leoni

Vezir Hysen Ademaj ( 15.3.1971 – 25.7.1998)

Vezir Hysen Ademaj ( 15.3.1971 – 25.7.1998)

Vezir Ademaj, dëshmor i kombit, u lind më 15 Mars, 1971 në fshatin, Sheremetaj, komuna e Gjakovës. Ishte njëri prej tetë fëmijëve të prindërve: Hysen dhe Mejreme Ademaj, të cilët me dinjitetet e sakrificë rritën dhe i  edukuan në traditën shqiptare, duke i frymëzuar gjithherë për liri e pavarësi të Kosovës dhe dashuri njerëzore. Përveç Vezirit që ra në fushë-betejë, në radhët e UÇK-së, ishin rekrutuar edhe dy vëllezërit e tij: Shaqiri dhe Rasimi. Ky i fundit kishte kaluar edhe nëpër burgjet serbe në Kosovë dhe në Serbi. Dhe, kështu, e tërë familja Ademaj, me armë dhe ndihma të tjera, ishte në mbështetje të pa rezervë të UÇK-së. Kulla trikatëshe e babait të Vezir Ademajt, bëhet bazë ushtarake e UÇK-së. Në këtë kohë Kosova e vitit 1998, po rënkonte nën mizoritë serbe. Asaj duhej t’i dilej zot.

Veziri, i inspiruar nga librat që kishte lexuar dhe nga historia që kishte dëgjuar në kullën e tij si fëmijë, pasi kishte kryer shkollën e mesme në Deçan, regjistrohet në Fakultetin Filozofik, drejtimi i shkencave natyrore. Mirëpo, regjimi i Beogradit i ndërpreu shkollimin dhe e mobilizoi dhunshëm në shërbimin ushtarak jugosllav. Ishte viti 1989 kur dërgohet në Tivar, në Mal të Zi, në vendin ku në pranverën e vitit 1945 ishin masakruar shumë shqiptarë të mobilizuar me dhunë dhe kësisoj, Serbia kishte projektuar shfarosjen e tyre. Veziri e dinte këtë histori të dhimbshme dhe vetë fakti që ishte në këtë vend, në Armatën Jugosllave, ai shqetësohej tej mase. Këtu, Vezir Ademaj, u ndesh me përbuzje, urrejtje dhe provokime të lloj-llojshme nga eprorët ushtarakë serbë.

Për shkak të aktivitetit të tij kombëtar që kishte pasur më para në Kosovë, si pjesëmarrës në demonstrata dhe protesta kundër dhunës serbe, e në anën tjetër i pabindur ndaj urdhrave të ushtrisë në të cilën shërbente, përcillej nga shërbimi sekret i garnizonit, si i dyshimtë. Ai, shërbimin në këtë ushtri e ndjente të huaj dhe armiqësor. Pas zgjatjes së afatit të rregullt, Veziri arratiset nga shërbimi ushtarak dhe kthehet në Kosovë.

Në rrethana të tilla acaruese pas kthimit, regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, po as këtu nuk i lënë vend. E vetmja rrugë i mbeti dalja jashtë Kosovës, duke pasur në ndërgjegjen e tij të plotë se një ditë kur të vijë koha, do të kthehej për t’i dalë zot popullit të tij të robëruar. Vendoset në Zvicër, derisa këtu gjen mundësi për punë, shkollim dhe afirmim në rininë e tij. Në këtë shtet evropian bie në kontakt me shumë bashkatdhetarë që ishin dëbuar nga Kosova dhe aktivist të çështjes kombëtare. Veziri shtathedhur, me pamje imponuese, kishte edhe dhunti të talentit sportiv. I pëlqente Kik-Boksi. Angazhohet në këtë disiplinë sportive dhe për një kohë shumë të shkurtër afirmohet, si më i miri në këtë vend. Në vitin 1994 shpallet kampion i Zvicrës. Një vit më vonë Vezir Ademaj, bëhet kampion evropian në Kik-boks. Jetën e kishte përpara dhe kur Kosova kishte nevojë për krah lufte, Vezir Ademaj i la të gjitha prapa dhe me uniformë të UÇK-së, mori rrugën për Kosovë  dhe që në fillim u vendos në  Sheremetaj, në vendlindjen e tij. Pasi me mall ishte përshëndetur me prindërit, sidomos me nënën e tij, Mejremen, dhe anëtarët tjerë të familjes, fillon aktivitetin ushtarak, bie në kontakt me disa luftëtarë dhe komandantë të kësaj zone dhe me Shtabin e Luftës në Gllogjan, që udhëheqej nga komandanti i Dukagjinit, Ramush Haradinaj, duke marrë përsipër përgatitjen e të rinjve në rajonin e Rekës së Keqe.

Në oborrin e Shkollës Fillore, në Sheremetaj, ai jep betimin dhe mban një fjalim se sa e rëndësishme është liria për Kosovën. Në Shtabin e Luftës në Gllogjan, kishte dorëzuar një shumë të madhe parash për blerje të armatimit që aq shumë mungonte në Kosovë. Duke parë zotësinë e tij, ai emërohet komandant i njësisë speciale “Komando” për rajonin e Rekës së Keqe.

Vezir Ademaj mbante nofkën “Alfredi” ku të njëjtën e kishte pasur edhe në Zvicër. Në këtë kohë kulla e familjes së tij në Sheremetaj bëhet bazë e rëndësishme ushtarake për luftëtarët e lirisë së Kosovës. Tregoi trimëri të jashtëzakonshme në luftimet, në Smolicë, në pjesët tjera të Rekës së Keqe, pastaj në luftimet në Rahovec, në ofensivën në Baballoq dhe në Prejlep. Ra heroikisht më 25 korrik 1998 në luftën e Junikut, në Kallavajë. Ishte vetëm 27 vjeç. Në luftimet disa ditëshe kundër forcave serbe ranë edhe shokët e tij, Hysen Arifi e Shaban Golaj. Ai në varrimin e Vezir Ademajt në Sheremetaj, ku merrnin pjesë shumë ushtarë të UÇK-së dhe banorë të kësaj zone, ishte betuar se do të hakmerrej kundër forcave serbe. Këtë amanet e kishte kryer duke i shkaktuar dëme të mëdha ushtrisë armike. Në këto luftime qe plagosur edhe Naim Maloku. Babai i Vezirit, Hysen Ademaj ishte shumë i besueshëm për UÇK-në nga që kishte tre djem në radhët e saj dhe vetë ishte njohës i mirë i terrenit për t’i ndihmuar ushtarët në bartjen e armatimit nga Shqipëria.

Sot përveç Shkollës Fillore në Sheremetaj që mban emrin e tij dhe të bashkëluftëtarit Hysen Arifi, emrin e Vezir Ademajt e mbajnë edhe një rrugë në Gjakovë dhe një tjetër në vendlindjen e tij, në Sheremetaj. Këshilli i qytetit të New York-ut dhe Asambleja e këtij qyteti, kjo e fundit me iniciativën e Mark Gjonajt, atë kohë asamblist, nderoi me mirënjohje dëshmorin e kombit Vezir Ademaj. “Përkushtimi i tij ka qenë kauzë për liri dhe demokraci dhe në të njëjtën kohë inspirim, jo vetëm për komunitetin shqiptaro-amerikan në Bronx, por për të gjithë ata që kanë vuajtur për liri”.

Për Heroin, Vezir Ademaj kanë shkruar disa gazeta prestigjioze të New York-ut si Daily News, New York Post, Bronx Times si dhe Bronx Times Reporter.

Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi ka dekretuar dëshmorin e Atdheut Vezir Ademaj me urdhrin “HERO I KOSOVËS”, me motivacionin “Për Trimëri dhe Sakrificë për Lirinë e Kosovës.” Familja Ademaj, në truallin e saj në Sheremetaj, në shenjë respekti për veprën dhe jetën e Vezir Ademajt, krijoi një mini-muze, ku përmjet shkrimeve, dokumenteve dhe fotografive, rrëfehet historia e këtij dëshmori të kësaj ane. (Muhamet Mjeku)

Kontrolloni gjithashtu

Selim Sali Veselaj (5.5.1977-26.4.1999)

Selim Sali Veselaj (5.5.1977-26.4.1999)

Familja Veselaj e Reçanit të komunës së Therandës (ish-Suharekë) njihet për tradita të hershme atdhetare …