Berat Luzha

Berat Luzha: Nëse një popull është në agoni dhe në narkozë të thellë, duhet kërkuar se kush e qiti në anestezion të përgjithshëm

(Me rastin e 20 Vjetorit te rënies heroike te dëshmorit dhe intelektualit profesorit te historisë,  Selim Berisha)

Kalojnë vite, kalojnë edhe shekuj e kujtimi për dëshmorët mbetet prore i freskët në mendjet tona, në kujtesën tonë historike. Brezat që vijnë do t’i mbajnë në zemër dëshmorët, për t’i bërë ata flamuj në valim rrugëve e shesheve tona të lirisë.

Liria ndërtohet me jetëra, me gjak, me dëshmorë. Kurse, dëshmorët janë nderi dhe krenaria jonë.

U bën 20 vjet që ra në altarin e lirisë shoku ynë i shtrenjtë, Selim Berisha. Profesori i historisë, Selim Berisha, ua mësonte nxënësve ngjarjet e mëdha, luftrat dhe përpjekjet e popullit tonë për liri e bashkim kombëtar. Profesori u fliste nxënësve për personalitetet tona kombëtare, për heronjtë e dëshmorët, për trimat e trimëritë ndër shekuj, që nuk reshtën kurrë, për sakrificat e popullit tonë për liri. Ai ua mësonte fëmijëve historinë, për të hyrë edhe vetë në histori, u fliste për dëshmorët, për t’u bërë edhe vetë Dëshmor.

Profesori ra dëshmor në agun e ditës dhe në agun e lirisë, në pragun e shtëpisë dhe në prag të Shqipërisë. Ra atëherë kur bisha e plagosur po përpëlitej nëpër Kosovë duke bërë krime. Po ato krime nuk mund t’I duronte mësuesi patriot, duke i dale bishës përballë dhe në përballje kishte rënë. Dhe, rënia e tij nuk ishte fundi I tij, ishte vetëm fillimi i përjetësimit të emrit e të veprës së tij në histori. Rënia e tij ishte ora e fundit e historisë. Këtë herë Profesori po e mbante orën e historisë, jo para nxënësve, këtë herë orën e mbante para kombit të tij.

Selim Berisha nuk ishte vetëm një profesor historie në shkollën e fshatit të tij. Ai, me shumë kujdes dhe vëmendje, e përcillte situatën politike e shoqërore në Kosovën e okupuar gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar. Pos tjerash shkruante edhe shkrime analitike. Pata rastin ta njihja në Redaksinë e gazetës “Rilindja” kur e pruri një shkrim për botim. Shkrimi i tij mbante titullin “Popullit duhet t’i thuhet e vërteta”. Nga ky shkrim i gjatë po lexoj vetëm tri fjali:

Ky popull u ngop me dajak të pushtuesit, u ngop edhe me fjalë pompoze demagogjike që dalin nga goja e disa intelektualëve dhe e disa penave të zhurmshme.

Nëse një popull është në agoni dhe në narkozë të thellë, duhet kërkuar se kush e qiti në anestezion të përgjithshëm.

Popullit duhet t’i thuhet e vërteta, sado e hidhur të jetë ajo!

Si pjesëtar i Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare dhe nga karakteri i tij i fortë, Selimi nuk mund t’u bindej hordhive pushtuese. Kur u ballafaqua me ato, ai zgjodhi luftën para nënshtrimit, zgjodhi lavdinë para poshtërimit. Historia e kishte mësuar se si luftohet e vdiset për liri. Sepse liria nuk ka çmim apo, më mirë, çmimi është vetë liria.

Lufta e Profesorit ishte krejt e veçantë. E veçantë është në formë, në metodë, në kohë. Lufta e tij megjithatë ngjante shumë me luftën e Afrimit e Fahriut, të Rexhepit e Nuhiut, të Tahir Mehës, të Ahmet Delisë e të shumë trimave e heronjve kombëtarë.

Sot nxënësit e Profesorit jetojnë e punojnë të lirë në Atdheun e tyre. Tashmë ata janë burrëruar dhe punojnë e kontribuojnë për ndërtimin e shtetit të tyre. E shteti i tyre u bë edhe në saje të luftës dhe flijimit të profesorit të tyre, Selim Berishës.

Fëmijët e tij dhe tërë familja, fshati dhe tërë Kosova përballë dhembjes kanë krenarinë. Se, t’i japësh Atdheut më të dashurin e familjes është një nder e krenari, është edhe detyrë. Dhe, këtë detyrë jo gjithkush e kryen.

Dëshmorët janë vet liria jonë!

Lavdi Dëshmorit Selim Berisha, Lavdi Dëshmorëve të Kombit!

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Fronti Europian stacionin e radhës e ka pasur qytetin e Kërçovës, ku para një numri …