Xhevat Hasani: DY FITORE PAS DISA SALLTAVE MORTALE!

Më 6 tetor të vitit 2026, «bijtë më të mirë dhe bijat më të mira të Kosovës», të zgjedhur me votën e popullit, pasi për rreth një vit e gjysmë ia kishin futur Kosovës të dyja këmbët në një këpucë, duke e lënë pa qeveri, si të ishte një vejushë, më në fund, pasi bënë disa sallta mortale, si ata pelivanët që ecin serbes mbi telin e hollë të cirkut, diku pesë minuta para mesnatës së 6 tetorit korrën dy fitore të mëdha: 1) Miratuan ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Hagës dhe 2) e bënë Kosovën me qeveri, duke zgjedhur presidente zonjën Justina Shiroka-Pula.

Nëse, diku pesë minuta para mesnatës së 6 tetorit 2026, kur po përfundonte afati ligjor për zgjedhjen e presidentit apo presidentes, «bijtë më të mirë dhe bijat më të mira të Kosovës» të zgjedhur me votën e popullit, nuk do të merreshin vesh për ta zgjedhur presidente të vendit zonjën Justina Shiroka-Pula, Kosova do të shkonte sërish në zgjedhje, tashmë për të katërtën herë.

Por shkuarja në zgjedhje për të katërtën herë, së paku për mua, nuk do të ishte gjë tjetër veçse një thirrje e «bijve më të mirë dhe bijave më të mira të Kosovës» drejtuar Bashkësisë Ndërkombëtare:

«Të nderuar miq, na e hiqni qafe shtetin e Kosovës që ju na e dhatë, sepse ne s’jemi të zotë ta menaxhojmë e ta mbajmë!»

Dhe krejt kjo do të tingëllonte në stilin e asaj kënge popullore:

«Barbaro, Vasiliko, dhentë e mia, o kush i do,

dhentë e mia, o kush i do, se s’jam i zoti për to!»

Jam çuditur me pelivanët e shumtë që kishte kjo Kosova jonë e vogël, të cilët bënin sallta mortale mbi telin e hollë të cirkut edhe në momentet më kritike për Kosovën, kur në mesnatën e 6 tetorit po përfundonte afati për zgjedhjen e presidentit.

Disa miq, po ashtu pelivanë, më kanë thënë se Belgjika, para disa vitesh, kishte pasur një ngërç politik, duke mbetur dy vjet me radhë pa qeveri, dhe nuk i kishte ndodhur asnjë e keqe!

Po, u thashë miqve të mi, por Belgjika nuk është Kosovë dhe Kosova nuk është Belgjikë.

Belgjika, përveçse është një shtet i konsoliduar, i krijuar para afro 200 vjetësh, është edhe vend anëtar i BE-së dhe i OKB-së. Është vend me zhvillim ekonomik dhe nuk ka ndonjë shtet fqinj që synon pushtimin e saj. Kjo tregon se Belgjika, jo dy vjet por edhe sikur katër vite  të mbetej pa qeveri nuk do ta pësonte.

Por krejt ndryshe është puna me Kosovën. Ajo është një shtet i ri i krijuar para 18 vitesh; nuk është as anëtare e BE-së e as anëtare e OKB-së; është shteti më i varfër i Europës; ka në kufi një Serbi e cila mezi pret ta ripushtoj dhe, janë pesë vende të BE-së që nuk e njohin si shtet. Kjo flet se mbetja e Kosovës pa qeveri qoftë edhe për tre muaj mund të ketë pasoja për të.  Kosova është si peni i hollë që nuk duron shaka e lojë!

Cyrih, tetor 2026

Kontrolloni gjithashtu

Shqipe Krasniqi: Si një luftetare lirie, kam dhimtë deri në palcë çka po shohë në këtë Kosovë…

Si një luftetare lirie, kam dhimtë deri në palcë çka po shohë në këtë Kosovë… …