Bernard Nikaj: Gjithëpërfshirja në udhëheqje të sistemit arsimor, është e domosdoshme 

Në kuadër të Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, është mbajtur paneli i gjashtë i diskutimit me temën “Gratë dhe Arsimi”. Në këtë panel, i cili u moderua nga anëtari i kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj morën pjesë Drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, Drejtoresha për Arsim në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj – Gutaj, Drejtoresha për Arsim në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit,  Leonora Morina – Bunjaku. Nikaj theksoi vlerën e arsimit, duke prezantuar çështjet e lidhura me këtë temë, si dhe udhëheqjen e menaxhimin e sistemit arsimor.

“Gjithëpërfshirja në udhëheqje të sistemit arsimor, është e domosdoshme”, tha ai

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi vlerësoi panelistet me përvojë arsimore dhe fushën arsimore, duke potencuar edhe potencialin arsimor që disponon PDK në tërë Republikën.

“Përvojat e arsimit nga vendet ku kam zhvilluar vizita studimore, si Finlanda dhe Japonia, janë me shumë interes për neve. Arsimi është produkt që e prodhojnë të gjitha fushat tjera të shtetit. Kërkohet reformë arsimore, të thjeshtësohet dhe shkollat tona të kenë më pak mekanizma që pengojnë arsimin. Nëse duam rezultate në arsim, sistemi duhet të jetë i thjeshtë, duke vlerësuar profesionin fisnik të mësimdhënësit dhe barazinë gjinore në arsim’, tha ai.

Drejtoresha për Arsim në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu kërkoi që të punohet më shumë në transformimin e të menduarit.

“Kjo frymë hap mundësinë nëpërmjet arsimit me rrethana të reja, me ambiente të sigurta në shkolla, që buron nga mësimdhënësit. Nevojitet krijimi i mekanizmave mbështetës për mësimdhënës, qoftë të sigurisë, mësimdhënies apo transformimin shoqëror, drejt politikave arsimore”, theksoi ajo.

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, theksoi se reformat  në arsim nuk janë të lehta.

“Reformat në arsim nuk janë të lehta. Greva ka pasur gjithmonë, por mësimdhënësit nuk bën të neglizhohen. Uroj të gjendet kompromis dhe të fillojë mësimi për nxënësit”, tha ajo.

Drejtoresha për Arsim në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj – Gutaj potencoi se besimi në vizionin e përbashkët për barazinë e plotë na solli këtu ku jemi.

 “Puna jonë duhet të jetë e tillë që vajzat dhe gratë të vijnë vet në PDK, sepse, vajzat dhe gratë me fakte do ta gjejnë hapësirën e favorshme për to, duke parë punën tonë dhe përkushtimin tonë”, tha ajo.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati tha se ka pak aktivitete jashtë kurikulare për vajzat, dhe nënvizoi nevojën e përfshirjes së tyre në shkencë e teknologji.

 “Në të ardhmen, gratë duhet të jenë më të përfshira në shkencë e teknologji. Është përqindje e ulët e regjistrimit të vajzave në shkencë e teknologji. Duhet më shumë përfshirje të vajzave e grave”, shtoi Musmurati.

Kontrolloni gjithashtu

Wisner: Është shqetësuese të shohësh sulmet që kemi parë, ato nuk kanë vend këtu, nuk është mirë që shqiptarët të shohin këtë gjë

Wisner: Është shqetësuese të shohësh sulmet që kemi parë, ato nuk kanë vend këtu, nuk është mirë që shqiptarët të shohin këtë gjë

I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner, në një intervistë …