Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar se në sheshin “Skënderbeu” do të vendoset një ekran i madh, përmes të cilit qytetarët do të kenë mundësi ta ndjekin drejtpërdrejt seancën gjyqësore në Hagë. Musmurati ka thënë se Komuna po përgatitet që qytetarët, bashkë me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së dhe mediat, ta përcjellin seancën së bashku, duke shprehur shpresën për një vendim të drejtë në favor të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. “Do ta organizojmë një ekran të madh në sheshin ‘Skënderbeu’, ku do t’i ftojmë qytetarët që ta ndjekim live seancën gjyqësore”, ka deklaruar ajo në një intervistë për Ekonomia Online, ndërsa ka thënë se shpreson që pas përfundimit të seancës të ketë festë. Ajo ka bërë të ditur se ky aktivitet është pjesë e angazhimeve të Komunës së Prishtinës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ku ka përmendur edhe “Orën e Pritjes”, muralin në Ulpianë dhe ekspozitën e fotoreporterit të luftës, Visar Kryeziu, e cila vijon të jetë e hapur në Pallatin e Rinisë. Ndërkaq, Musmurati ka veçuar 12 shtatorin si një nga aktivitetet kryesore, kur në Prishtinë do të mbahet marshi i organizuar nga “Liria ka emër”, i cili nis në orën 14:00 nga sheshi “Skënderbeu”. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të partive politike që t’i bashkohen marshit, duke theksuar se çështja e ish-krerëve të UÇK-së, sipas saj, nuk duhet të trajtohet mbi baza partiake.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
