Besim Xhelili: Shkëmbime letrare dhe kulturore në Vjenë të Austrisë

Besim Xhelili: Shkëmbime letrare dhe kulturore në Vjenë të Austrisë

 Nga përvoja e mirë e shkëmbimeve dhe përafrimeve kulturore mes popujve dhe shteteve, nën moton “Të rizbulojmë të përbashkëtat”, viti 2018 u shpall nga ana e dy shteteve mike, Austrisë dhe Shqipërisë si Viti i Kulturës Austri-Shqipëri. Me këtë rast përgjatë gjithë vitit një mori aktivitetesh të ndryshme kulturore, letrare, artistike dhe shkencore janë planifikuar të organizohen në të dy vendet. Dy shtetet dhe dy popujt tanë kanë një histori të lavdishme bashkëpunimi dhe gjithsesi se kanë shumë qëllime dhe ambicie të përbashkëta për të ardhmen.

Me këtë rast, më 23 prill 2018, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Austri dhe Ministrinë Federale për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, organizoi një orë letrare të një niveli të lartë artistik dhe letrar. Ky aktivitet shkoi gjithashtu nën ombrellën e “Javës Vjeneze të Integrimit 2018”, ku krijuesit shqiptarë në Austri për të pestën herë me radhë marrin pjesë në këtë organizim të madh tradicional në Vjenë, organizuar me mbi 400 evenimente, kryesisht nga të huajt që jetojnë në Austri.

Në fjalën e përshëndetjes, Ambasadori Roland Bimo ndër të tjera vuri në dukje kontributin e ndjeshëm të krijimtarisë artistike në Diasporë në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në të njëjtën kohë në shkallën e lartë të integrimit të diasporës shqiptare në shoqërinë austriake. Të pranishmit i përshëndeti z. Arno Riedel, ish Ambasador i Austrisë në Shqipëri dhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Shqipëri, aktualisht funksionar i lartë në Ministrinë Federale për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë. Me pjesëmarrjen dhe nga një fjalë rasti evenimentin e nderuan Prof. Marianne Gruber, Kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë dhe Dr. Helmuth A. Niederle, Kryetar i PEN Klubit të Austrisë. Të pranishëm ishin edhe Ambsador Zef Mazi, Konsulli i Nderit i Shqipërisë z. Reinhard Gnilsen dhe znj. Renate Seib, e cila nga vera e këtij viti merr detyrën e Konsulles së Austrisë në Shqipëri.

Në këtë pasdite ku fjalën e kishte arti, fjala e shkruar dhe bukuria e krijimit, disa nga krijuesit shqiptarë në Austri lexuan nga librat e tyre më të fundit në gjermanisht dhe në shqip. U promovuan shkurtimisht librat në gjermanisht, romani “1803”, i autorit Besim Xhelili, i cili gjithashtu është publikuar edhe në suedisht, kurse një fragment nga ky roman e lexoi Kaltrina Zyberi nga Shkupi, magjistre e diplomuar në Vjenë. Promovimi vazhdoi me librin “Du meine Stimme (Ti, zëri im)” nga Anton Marku, nga i cili vetë autori lexoi disa poezi dhe “Zetrümmerung der Zeit (Kohëthyerja)” të autorit Hazir Mehmeti, mësues dhe gazetar nga Vjena, një fragment nga i cili e lexoi Kaltrina Durmishi. Përndryshe znj. Durmishi me shumë zell dhe përpikëri e udhëhoqi programin e mbrëmjes, kurse për pikat muzikore u përkujdesën Anna Isabel Chan dhe Caroline Duffer.

Pjesë e veçantë e kësaj ngjarjeje ishte pjesëmarrja e albanologut dhe shkrimtarit Dr. Kurt Gostentschnigg nga Universiteti i Gracit, i cili mbajti ligjeratën mbi “Studentët shqiptarë të Austrisë në periudhën midis të dy luftrave”.

Në fund u shtrua një koktej rasti për mysafirët, u shpërndanë libra dhe u vlerësua pozitivisht motoja e mbrëmjes, ku vërtet u rizbuluan shumë të përbashkëta mes dy popujve dhe njëzëri u shpreh dëshira që miqësia të thellohet në të ardhmen dhe organizimet e tilla të mos mungojnë, por të shtohen.

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …