Bilall Sherifi: Duhet të merren para sysh porositë e dhjetëra mijëra protestuesve

Opozita e bashkuar dje organizoi protestën më të madhe që nga periudha e pas përfundimit të luftës në Kosovë. Në vend që të nxjerrin konkluzionet e nevojshme nga porosia e kësaj proteste madhështore, qeveria e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit sapo përfundoi protesta u mundua ta përqendrojë vëmendjen vetëm në atë që ndodhi pas protestës e jo edhe në atë që ndodhi gjatë protestës, në të cilën dhjetëra mijëra qytetarë që kishin ardhur nga të gjitha anët e Kosovës dërguan porosi të qartë: përgjegjësi për shkelësit e Kushtetutës së Kosovës. Në vend që të flisnin, siç bënë shumica e medieve me peshë në botë, për dhjetëra mijëra protestues të cilët me dinjitet shprehën revoltën e tyre legjitime kundër kësaj qeverie, qeveria e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit flet vetëm për veprimet e dhunshme të dhjetëra protestuesve që u ndërmorën pasi përfundoi protesta.

 

Kjo qasje e tyre nuk ishte e rastësishme. Përkundrazi. Përqendrimi i vëmendjes vetëm te veprimet e dhjetëra protestuesve, kishte për qëllim të heshte veprimin dhe kërkesat e dhjetëra mijëra protestuesve. Përmes përqendrimit të vëmendjes vetëm te aktet e dhunës që nuk janë në përputhje me ligjet e vendit, qeveria ka për qëllim të bëjë që qytetarët të harrojnë shkeljen e Kushtetutës së Kosovës nga ana e tyre.

 

Dhjetëra mijëra qytetarë manifestuan dje në mënyrë të qetë dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë, si akt të pashmangshëm për shkeljet e Kushtetutës së Kosovës të cilat bartin me vete pasoja afatgjata për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Dëmet materiale të cilat u shkaktuan dje, sado të kushtueshme, janë të riparueshme dhe nuk kanë pasoja afatgjate. Prandaj, dhuna që ka ushtruar qeveria ndaj shtetit të brishtë të Kosovës është dhunë që nuk ka njësi që mund ta matë. Dhuna e tyre ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës godet të tashmen dhe të ardhmen e miliona njerëzve që jetojnë e që do të vijnë pas nesh në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …