leoni

Bilall Sherifi: Pa një bashkërendim të formave të veprimit, askush nuk të merr seriozisht

Në seancën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 30. 11. 2015, deputetët e PDK-LDK emëruan Gresa Caka-Nimanin dhe Selvete Gërxhaliun si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo që ndodhi atë ditë pa prezencën e deputetëve të opozitës, nuk ishte zgjedhje por emërim.

Ishte vetëm formalizim i marrëveshjes mes dy partive të koalicionit. Prandaj, lirisht mund të themi se në atë seancë nuk pati zgjedhje por vetëm emërime.

Të nesërmen, menjëherë pas shpalljes së këtyre emërimeve, pati reagime të shumta si nga partitë opozitare ashtu edhe nga shumë OJQ dhe figura të ndryshme publike kundër kësaj forme të veprimit nga mazhoranca.

Në veçanti reagimet ishin të mëdha kundër emërimit të Selvete Gërxhaliut, madje nga presidentja e vendit u kërkua të mos e bëjë fare dekretimin e saj, pasi që e njëjta kishte qenë kandidate për deputete e LDK-së.

Presidentja nuk tha asnjë fjalë lidhur me këto kërkesa, ajo heshti tërë kohën. Dhe, ashtu siç është bërë zakon te ne, mjafton ta shtysh një vendim për disa ditë apo javë dhe më pas kur ta zbatosh atë, askush nuk do të bëjë më asgjë. Në stilin, i thamë por nuk na dëgjoi, ne e bëmë punën tonë, ajo e bëri të sajën.

Ja, e shihni se cili ishte fati i një kërkese dhe kundërshtimi të “civilizuar”? Shtyrje për disa ditë dhe injorim total i kërkesave dhe kundërshtimeve, asgjë më shumë.

Ky është një mesazh i keq të cilin sot përmes dekretimit të Safete Gërxhaliut e përcolli presidentja në largim e Kosovës Atifete Jahjaga.

Për ata që ishin dhe vazhdojnë të jenë kritik ndaj formave të veprimit të opozitës në Kuvend kundër zajednicës dhe demarkacionit, sot mund t’ju them vetëm një gjë, ja shiheni rezultatin e kundërshtimeve vetëm me mjete të “civilizuara”. Ky do të ishte edhe fati i kundërshtimit të zajednicës dhe demarkacionit po të mos i kombinonim format e veprimit. Heshtje disa ditore apo javore dhe në fund sërish veprime ashtu siç duan vet ata.

Sot, pas këtij veprimi të presidentes, ndjehemi të konfirmuar se pa bashkërendim të të gjitha formave të veprimit, fatkeqësisht, në këtë vend, nga këta bartës të institucioneve, kërkesat apo kundërshtimet, sado të bazuara dhe të argumentuara të jenë askush nuk i merr seriozisht.

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …