Sejdi Elezi

Bisedë në studion e TV-Diellit me ish të burgosurin politik, luftëtarin e lirisë, pjesëtarin e TMK-së dhe të FSK-së, Sejdi Elezi-Kelmendi

Sejdi Elezi, nga fshati Karaçicë, tani me vendbanim në Therandë, rrjedhë prej një familje atdhetare, e cila në çdo përudhë të luftës e qëndresës kombëtare ka dhënë kontribut të pandërprerë. Gjyshi i tij, Sejdi Ramë Kelmendi (emrin e të cilit e trashëgon) ka rënë në vitin 1944 në Qafë të Duhlës si luftëtar i radhëve të LNDSH-së. Në kohën kur kryetar komune në Shalë ish Sedllar ishte Banush Hoxha, gjyshi i Sejdiut kishte detyra dhe përgjegjësi si kryeplak i fshatrave të Drenicës së Epërme. Ishte edhe bashkëluftëtar i Sadri Duhlës.

Sejdiu, shkollimin fillor dhe atë tetëvjeçar e ka kryer në fshatin e lindjes, në Karaçicë dhe në Pjetërshticë, në pjesën jugore të Drenicës, ndërsa shkollën e mesme teknike në Ferizaj, ku edhe i ka vazhduar studimet. Ka qenë pjesëmarrës në demonstratat e tre prillit të vitit 1981 në Ferizaj, me ç’ rast kishin rënë dëshmorët,  Sherif  Frangu dhe  Rizah  Matoshi.

Në vitin 1984 arrestohet nga UDB-ja dhe dënohet tre vjet burg për propagandë armiqësore. Dënimin e ka vuajtur në Burgun e Nishit ku ka rënë në kontakt edhe me shumë të burgosur të kohës, si Hysen Gega, Gani Krasniqi, Hydajet Hyseni, Sejdi Veseli, Enver Dugolli, Berat Luzha e të tjerë.

Pas daljes nga burgu ka kryer studimet në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë ka punuar në arsim. Në vazhdim të aktivitetit të tij atdhetar në gjysmën e dytë të viteve 90-të, bie në kontakt me Elez Durmishin dhe Sylë Qeriqin  nga Krojmiri, pastaj me Jetë Hasanin, tani dëshmor, Ramiz Qeriqin e të tjerë.

Sejdi Elezi, duke qenë në rrjedha të zhvillimeve, po ashtu edhe pjesëtar i një familjeje të njohur për rezistencë, por edhe në shënjestër të regjimit kriminal të Millosheviqit, sidomos lidhur me Aziz Kelmendin, i cili më 3 shtator të vitit 1987 kishte shtënë mbi Ushtrinë jugosllave, ai me kohë i kishte marrë masat dhe kishte ushtruar ndikim në konsolidimin e radhëve të UÇK-së, jo vetëm në Karaçicë e në Dukë por edhe më gjerë.

Me të ishin bashkuar edhe Shaip Kelmendi, vëllai i Shaipit, tani dëshmor, Xhavit Kelmendi e Naser Kelmendi, po ashtu dëshmor, e shumë luftëtarë të tjerë. Po thuajse tërë rinia e fshatit ishte kyçur në radhët e luftës.

Fillimisht ka vepruar në njësitin Çeliku, në Carralevë, në  disa pika të UÇK-së  në Qafën  e Duhles, Lushnicë, Javor, Dukë Karaçicë e më gjerë të cilat i komandonte, Ismet Jashari, Kumanova.

Pas ofensivave të verës së vitit 1998, Sejdiu ishte kyçur në Batalionin, “Ruzhdi Salihu”, (Batalioni i Dytë i Brigadës 121,  Ismet Jashari Kumanova i Zonës Operative të Pashtrikut), në Krojmir,  ku  së bashku me Sylë Qeriqin, Elez Durmishin, Ramiz Qeriqin ka vepruar në strukturat komanduese të batalionit të Dytë deri në fund të luftës.

Së bashku me Ilez Durmishin dhe Sylë Qeriqin ka dhënë një ndihmesë dhe kujdes edhe për stafin e Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapress, i cili në muajt tetor, nëntor  dhjetor të vitit 1998 ishte i vendosur në Krojmir, ku ndodhej edhe Shtabi i Batalionit, “Ruzhdi Salihu”. Ai me traktorin e tij në kushte dimri dhe dëbore të madhe ka bartur anëtarët e stafit por edhe  teknikën e radios nga Krojmiri në Diovjakë, në Fshin e Ri dhe  në fshatin Berishë.

Sejdi Elezi përkujton ngjarje të shumta nga lufta, në të cilat ka marrë pjesë me bashkëluftëtarët e tij. Përkujton momentet e rënies së dëshmorëve në mesin e të cilëve edhe të dy të afërmeve të tij sikur ishin Xhavit Kelmendi, pjesëtar i Njësive Speciale të SHP të UÇK-së,  i rënë më 1 prill të vitit 1999, në luftimet kundër forcave serbe në fshatin Tërpezë të Malishevës,  së bashku me luftëtarin nga Baica e Kolshit, Vezir Kolshi, pastaj Naser Kelmendin,  i cili kishte rënë në Formacionin e komandantit, Mujë Krasniqi, më 14 dhjetor të vitit 1998, në malet e Pashtrikut në mesin 42 dëshmorëve në krye me komandant “Kapuqin”.

Pas mbarimit të luftës, i burgosuri politik i vetëve 80-të, veprimtari dhe luftëtari i lirisë, edhe pse kishte kryer studimet universitare,  ishte inkuadruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, me qëllim për të vazhduar angazhimin dhe aktivitetin në drejtim të krijimit e konsolidimit të Ushtrisë së Kosovës. Pas transformimit të TMK-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Sejdi Elezi inkuadrohet në Ushtrinë e Kosovës ku ka dhënë kontribut deri në daljen në pension, në moshë 55-vjeçare.

 

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …