Bisedë në studion e TV-Diellit me Mr. Sheremet Krasniqin, veprimtar, studiues dhe publicist

Bisedë në studion e TV-Diellit me Mr. Sheremet Krasniqin, veprimtar, studiues dhe publicist

Në emisionin, “Bisedë në studio” të TV-Diellit, veprimtari e publicisti, Sheremet Krasniqi ka rrëfyer  disa segmente për jetën dhe angazhimin e tij shumëvjeçar në arsim, kulturë, publicistikë dhe aktivitete të tjera.

Ai ka rrëfyer për jetën e rëndë të fëmijërisë, në vendlindjen e tij, në fshatin Karaçicë, një fshat i përthyer malor, asokohe  pa rrugë, pa rrymë, me kushte minimale për ekzistencë dhe i izoluar sidomos në kohën e dimrit.

Në moshën shtatë-vjeçare ishte regjistruar në shkollën e fshatit Pjetërshticë, për ku duhej të rrugëtonte dy orë vajtje-ardhje nëpër grykën e përthyer  të lumit dhe me pengesa të shumta. Pastaj tetëvjeçaren e kishte mbaruar në fshatin Shalë, ish-Sedllar, ku në vajtje- ardhje kishte bërë katër orë këmbë, për çdo ditë duke rrugëtuar tatëpjetë e teposhtë terrenit të përthyer malor.

Magjistri i Shkencave Filologjike,  Sheremet Krasniqi ka folur edhe për kontributin atdhetar të familjes së tij, veçmas të babait, Ajet Brahim Godeni, pastaj Rashit Godenit, njëri ndër bashkëluftëtarët e Azem e të Shote Galicës , nga fshati Pomozotin i komunës së Fushë-Kosovës, i lindur në vitin 1881, i cili së bashku me vëllanë e vet binjak, Halit Godenin, kanë jetuar 112 vjet, deri në vitin 1993. Pas rënies së Azemit më 1924, Rashiti së bashku me një grup shokësh të çetës së tij kalojnë në Shqipëri, në Derven të Fushë-Krujës. Aty ka jetuar  22 vjet së bashku me vëllanë e vet binjak, e më vonë janë kthyer në Kosovë.

Sheremet Krasniqi ka sjellë në kujtesë  rastin kur në tubimin e madh popullor në Galicë të Drenicës, më 25 korrik 1990, Rashit Godeni-Krasniqi kishte  zbuluar pllakën përkujtimore të Azem Bejtë Galicës dhe me atë rast kishte  thënë: “ E more Azem, a t’kam pas thanë se prapë kemi m’u takue !”

Po ashtu në kohën e robërisë, sidomos në dimrin e vitit 1944-1945, shtëpia dhe familja e tij ishte në shënjestër të OZN-së meqë babai i tij, Ajeti kishte strehuar luftëtarët e NDSH-së dhe Kapitenin  e Ushtrisë Mbretërore, Shefqet Bylykbashi, i cili asokohe ishte kthyer nga Kosova Lindore dhe me disa nga ushtarët e tij ishte pozicionuar në Rrafshnaltën e Drenicës jugore në fshatrat, Dukë Karaçicë, Javur, Luzhnicë e të tjerë.

Edhe pse gjatë atij dimri familja e Ajet Godenit me vëllezër ishte bastisur shtatë herë nga OZN-a, asnjëherë nuk ishin zbuluar luftëtarët e NDSH-së që luftonin maleve, sepse ai me vëllezër u kishte rregulluar strehimoret në vendet e thella malore, duke i kamufluar me qëllim që të mos zbuloheshin. Në kushte të tilla disa syresh i kishte mbajtur me bukë edhe pse ishte krizë e urisë.

Sheremet Krasniqi, gjatë kohës sa ishte student i Fakultetit Filozofik ka marrë pjesë në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, të cilat i ka përshkruar në hollësi, duke i paraqitur edhe kërkesat e studentëve, më pas edhe ballafaqimin me zyrtarët e Komitetit Krahinor, të cilët u bënin presion studentëve të diferencoheshin nga kërkesat e demonstratave dhe t’i dënonin ato. Ai kishte hartuar edhe një kërkesë me pesë pika, të cilën e kishte lexuar para partiakëve dhe e cila ishte përcjellë me brohoritje nga të pranishmit por ishte injoruar nga krerët  e Komitetit.  Po ashtu ka bërë me dije se shumë nga takimet që i organizonte Komiteti dhe LKJ studentët i sabotonin, meqë kërkohej nga ata që t’ i dënonin demonstratat e nëntorit të vitit 1968.

Në vitet 70-të pasi kishte diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ka punuar në arsim në Lypjan, Janjevë e vende të tjera. Më vonë ka punuar në Radio Prishtinë, pastaj prej vitit 1974 është pranuar në punë në të përditshmen Rilindja, ku ka punuar deri në mbylljen e saj.

Ai ka folur për problemet me të cilat ishte ballafaquar “Rilindja” sidomos pas protestave dhe demonstratave të vitit 1981, për periudhën e diferencime ideo-politike, për ndikimin që ushtronte Komiteti përmes njerëzve të vet në redaksitë  e kësaj gazete dhe vështirësitë në të cilat hasnin gazetarët që kishin orientim kombin, kulturën kombëtare shqiptare dhe informimin e drejtë të ngjarjeve që zhvilloheshin në Kosovë.

Sheremet Krasniqi me vëllanë e tij, Shabanin ( 1938-2020) i cili ka vdekur më 14 maj të këtij viti, kanë shpërndarë edhe literaturën që e sillte tinëz nga Gjermania, Shaban  i cili edhe pse nuk kishte pasur fat të kryente as shkollën e mesme, ishte lexues i apasionuar dhe veprimtar i Çështjes Kombëtare.

Në shtator të vitit 1987, kur Aziz Kelmendi, nga Fshati Karaçicë  kishte vrarë katër ushtarë jugosllavë në Kazermën e Paraçinit, por  gjatë largimit nga kazerma e kishin vrarë rojet, që iu kishin vënë në ndjekje. Ai asokohe kishte përcjellë tërë fushatën që ishte zhvilluar kundër Azizit dhe familjes së tij, por edhe kishte ruajtur  disa nga shkrimet  e botuara kundër tij

Pas luftës, një kohë ka punuar  në Redaksinë “Dëshmorët e UÇK-së” deri në botimin e numrit të gjashtë, pastaj deri në pension ka punuar lektor zyrat e Qeverisë së Kosovës.

Sheremet Krasniqi, ka botuar veprat: “Hasan Hysen Budakova”, në vitin 1997, monografi për luftëtarin e kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912, pastaj veprën studimore gjuhësore, “Komisia Letrare e Shkodrës”, në vitin 2004 që ishte edhe temë e magjistraturës si dhe veprën e fundit, në vitin 2017, “Studime gjuhësore dhe publicistike”.

Ka redaktuar dhe lekturuar vepra të shumta shkencore, historike, publicistike dhe letrare e artistike. Është ndër lektorët më të  njohur gjuhësorë, me një përvojë pune rreth dyzetvjeçare.

(Bisedën,  në studion e TV-Diellit me Sheremet Krasniqin, e zhvilloi Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …