Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: NEPOTIZMI MODERN – TRAMBOLINË E KORRUPSIONIT QË E KA VËNË KOSOVËN PËRFUNDI

Një reflektim mbi lirinë, arsyen dhe shoqërinë tonë (Kosovare)

Kosova e pasluftës u ngrit mbi idealin e lirisë. Me kalimin e viteve, liria u zbeh nën hijen e korrupsionit, nepotizmit dhe pushtetit të mbyllur. Nga Rugova te Thaçi e deri te Kurti, politika ka prodhuar figura që kanë zëvendësuar idealin me simbolikë, ndërsa shoqëria ka mbetur peng i një lirie të pakryer. Ky shkrim është një reflektim mbi atë çfarë kemi bërë me lirinë që fituam dhe çfarë duhet të bëjmë për ta shpëtuar atë nga devalvimi moral.

 Nga liria e fituar te robëria e re

Një Ibrahim Rugovë pafund Brahima, një Hashim Thaç pafund Hashimthaqa, një Albin Kurt pafund Bina! Tri kolona mbytëse të Kosovës, tri figura që përfaqësojnë mënyrën si politika është kthyer në pasthirrma të pafundme, që mbulojnë krim e dhunë pushtetore dhe kapje të institucioneve nga brenda partive dhe përtej tyre për zhvatje e përfitim personal. Me një fjalë: krim i çdo lloji mbi institucionet publike, që po sjell mbytjen e ngadalshme të shoqërisë.

Ardhja e lirisë nga binomi UÇK–SHBA ngriti shpresat deri në të pamatshmen. Flukse kthimi në atdhe, ëndrra për një shtet të drejtë, shpresa për ringritje. Por, shumë shpejt pyetja e madhe u kthye në plagë:

 Ç’është në fakt liria?

Kjo pyetje intrigon mendjen e secilit, sikur i ka sfiduar përherë zhvillimet e secilës shoqëri, me veçanti kur ato kanë qenë në udhëkryqe, kriza e ngërçe, sikur është sot kjo e jona.

Sa herë flasim apo shkruajmë për Lirinë, mendja na hapet në mijëra segmente. Është një nocion i thellë që prekë jetën e çdo shoqërie. Kur dimensioni i lirisë na bënë ta kuptojmë se gjersia e tij është një shtrirje jo vetëm konceptuale por më shumë se kaq, atëherë fillojmë e kërkojmë referenca orientuese nga mendjet e ndritura.

 Disa Përkufizime të lirisë dhe hijet e saj në Kosovë

Aristoteli – Liria si veprim i arsyes

Liria është aftësia për të vepruar sipas arsyes.” Në një vend me ligje, kufij e institucione, sikur ky i yni, liria nuk matet me fjalime, por me mënyrën si përdoret arsyeja. Në Kosovë, ligji shpesh është justifikim, jo normë e zbatim. Pra, ne jetojmë në simulim të arsyes, ku normat vlejnë për të dobëtin dhe harrohen për të fortin.

John Locke – Liria si e drejtë e lindur

Secili njeri lind i lirë dhe i barabartë.” Por në realitetin kosovar, liria e lindur është zëvendësuar nga varësia e ndërtuar. Qytetari ndjehet më shumë peng i një partie sesa zot i fatit të vet. Liria është kthyer në privilegj e aset i pushhtetit që shpërndahet sipas interesit, jo një e drejtë që lind me njeriun.

Jean-Jacques Rousseau – Zinxhirët e padukshëm

Njeriu lind i lirë, por kudo është i lidhur me zinxhirë.” Zinxhirët tanë nuk janë më pranga – janë formularë, tenderë, poste, emërime. Rousseau do ta quante këtë robëri të butë, ku qytetari beson se është i lirë, ndërsa çdo rrugë përfundon te dera e pushtetit.

E ç’pushtete? Mjerë ne!

Mahatma Gandhi – Liria si moral dhe drejtësi

Liria nuk ka kuptim nëse nuk përfshin lirinë nga dhuna dhe padrejtësia.” Në Kosovë, dhuna dhe padrejtësia janë bërë pjesë e zakonshme e jetës publike. A nuk është dhunë zhvatja e vendit dhe grabitja e mundësive nga kasta sunduese me duart e pushtetit përmes institucioneve të kapura?! A nuk ka përfunduar  Liria në fjalë të lodhur, përdorur për dekor? Ka parë apo ka ndjerë drejtësi ndokush përtej kastave, të paktën për aq sa të mund ta përkufizonim veten ‘të lirë’?

Në vend të moralit publik kemi propagandë, dhe në vend të barazisë kemi heshtje. Barazia është mbytur në moçalin nga ku askush më nuk futë Duart për ta nxjerrur. E megjithatë pa të nuk bënë, pa të shoqëria jonë po vegjeton në lëngatë!

Martin Luther King Jr. – Liria si barazi

Askush nuk është vërtet i lirë derisa të gjithë të jenë të lirë.” Në Kosovë, barazia mbetet koncept ligjor në letër harruar në mykun e kujtesës dhe jo realitet shoqëror. Korrupsioni dhe klientelizmi kanë krijuar një liri me kufijë të brendshëm – një shtet ku disa janë më “të lirë” se të tjerët, ku disa janë afër detit e afër mbretit (sikur thotë populli), të tjerët në greminën e fatit që po ua jep heshtja.

Nga liria si fjalë te liria si frymë

Ne nuk vuajmë më nga mungesa e lirisë formale sanksionuar në letra, por nga mungesa e lirisë morale e faktike. Liria, nëse nuk ushqehet me drejtësi, ndershmëri, arsim, zhvillim e mundësi thahet si degë pa rrënjë. Kësaj traseje e kemi humbur atë që na e ka marrur politika e keqe me pushtetarët e babëzitur.

Nëse Aristoteli kërkonte arsye, Locke kërkonte të drejtë, Gandhi moral, e King barazi – ne duhet t’i kërkojmë të gjitha bashkë.

Liria nuk është monument në shesh, por ndërgjegje në shpirt. Njeriu është i lirë vetëm kur ka guxim të flasë, të mendojë dhe të kundërshtojë padrejtësinë. Korrupsioni nuk lind në zyrë. Ai lind në kompromisin që njeriu bën me heshtjen. Heshtja jonë i bashkon kastat. Kastat janë nepotizmi modern. Jo gjaku, por zakoni është foleja familjare e tyre.

Kosova ka nevojë për një brez që e kupton se liria nuk është një trashëgimi e përhershme e garantuar, por se fitoret e saj duhet të mbrohen çdo ditë.

Ka nevojë për një brez që e di se kritika nuk është armik, por oksigjen i lirisë.

Ka nevojë për një brez që e kupton dimensionin thellësi kënete, ku na kanë vënë këta peshkaqenë me të vegjlit e tyre, me ata që nuk u ngopën kurrë me fatkeqësinë tonë, me fatkeqësinë e Kosovës. Ata flejnë e zgjohen me matësit e heshtjes sonë në dorë e në mendje, sepse e dijnë që një shoqëri që hesht përballë padrejtësisë, heq dorë nga vetë liria.

Është koha ta pyesim veten tonë në mos vërtetë kemi hequr dorë nga liria?

Nëse jo, atëherë duhet të kemi kuptuar se vetëm kur arsyeja, ndershmëria dhe guximi të bëhen zakon, mund të themi me dinjitet: Po, kjo është Kosova e lirë.

Dhe nga kjo vetëdije e ringritur do të filloi rilindja e vërtetë e Kosovës, Lum kush e ka fatin ta jetojë!

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …