Bllokada në Kuvend rrezikon Kosovën të humbasë rreth 60 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Bllokada institucionale në Kuvendin e Kosovës po rrezikon seriozisht zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, duke vënë në pikëpyetje përfitimin e afro 60 milionë eurove deri në fund të muajit qershor. Kështu u tha në takimin e parë të Komitetit Monitorues BE–Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje. Koordinatori Kombëtar për këtë instrument, Jeton Zulfaj, theksoi se Kosova kishte qenë ndër vendet e para në rajon që përmbylli negociatat me BE-në për agjendën reformuese në verën e vitit 2024 dhe se qeveria e kishte miratuar atë pa vonesa në tetor të po atij viti. Megjithatë, sipas tij, vonesat në Kuvend kanë penguar ratifikimin dhe më pas edhe zbatimin e reformave të nevojshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e procesit. Zulfaj rikujtoi se Kuvendi kishte ratifikuar marrëveshjet për instrumentin dhe huanë më 13 shkurt të këtij viti, ndërsa pagesa e parë e parafinancimit në vlerë prej 61.8 milionë eurosh ishte pranuar në prill. Ai paralajmëroi se situata aktuale në Kuvend po vazhdon të vonojë miratimin e ligjeve të domosdoshme për zbatimin e reformave dhe se, si pasojë, deri në fund të qershorit mund të rrezikohen deri në 9 hapa reformues, me vlerë rreth 60 milionë euro. Sipas tij, mungesa e funksionimit të rregullt institucional po e vendos vendin përballë një rreziku real financiar, në një moment kur zbatimi i reformave është kyç për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së.

Kontrolloni gjithashtu

Sami Lushtaku kërkon përgjigje për rolin e Dejona Mihalit në Vetëvendosje

Kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku ka adresuar kritika dhe pyetje publike ndaj zyrtares …