KEK
Fillimi / Botimet / Botohet “ADRENALINA E NJË TITISTI” nga Shefqet Dibrani
Botohet “ADRENALINA E NJË TITISTI” nga Shefqet Dibrani

Botohet “ADRENALINA E NJË TITISTI” nga Shefqet Dibrani

NJERIU ME ADRENOLINË E SHKATËRROI LDK-në DHE KOSOVËN

Këto rrëfime janë rezultat i zhvillimeve politike në Kosovë dhe brenda vetë Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK-ja doli përsëri humbëse, por mania për ta kthyer humbjen në fitore, mbetet ves i atyre që janë të prekur nga adrenalina, sëmundje kjo që ua dobëson arsyen e të menduarit aktiv dhe pozitiv. Ndoshta është kjo arsyeja pse Isa Mustafa insiston t’ia sigurojë vetes edhe postin e Presidentit të Kosovës, prandaj është në gjendje të bëjë çmos, të krijojë ngërç e madje t’i ndërrojë partnerët e koalicionit?! Në këto rrethana “LDK-ja po e kushtëzon VETËVENDOSJEN, për postin e presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë KOSOVA e ka rastin historik për t`u futur në Librin e Rekordeve Guinness!”. Këto analiza të cilat rrëfehen si tregime, janë publikuar edhe në rrjetet sociale duke e kryer misionin e vet. Tash rikthehen në libër, si rrëfime, si tregime të trishta për kohë absurde, vetëm iu kanë nënshtruar një retushimi si domosdoshmëri profesionale!

Sipas këtyre rrëfimeve na bëhet sikur edhe Kosova ka probleme me çrregullimin e adrenalinës, (në kimi: C9H13NO3). Adrenalina është hormoni i gjëndrave mbiveshkore, kurse veshkat janë filtër për trupin. Ky hormon ndikon në gjak, në zemër, rrit stresin, krijon siklet psikik, çrregullon funksionimin normal, kurse shoqërisë mund t’i sjellë paradokse të mëdha, kuptohet nëse edhe politika vuan nga çrregullimet e adrenalinës?! Mungesa e saj, rrit lipozën (yndyrat), shton glukozën, gjegjësisht sheqerin në gjak. Po ashtu adrenalina ndikon në muskuj, në tru e në sistemin e neuroneve, krijon metabolizëm në mëlçi etj., d.m.th. adrenalina, në trupin e njeriut ka rol specifik dhe mjaft të rëndësishëm. Adrenalina ka veprim të kundërt me insulinën, sepse ajo rrit sasinë e sheqerit në gjak, kurse insulina e zvogëlon. Ndonëse është hormon me kohëzgjatje të shkurtër veprimi, pasojat nga ky çrregullim janë të mëdha dhe shpeshherë të përjetshme, prandaj krahasimi i këtyre çrregullimeve me sistemin politik tek ne në Kosovë, veçmas në strukturat e LDK-së, më duket gjetja ma fatlume, sidomos kur e kemi parasysh karakterin korruptiv e kriminal dhe pozitat e pamerituara, të atyre që qenkan shkolluar në Amerikë(?!), me frikën se kohëzgjatja e tyre në pushtet, ka rrezik permanent t’iu bëhet ves i përjetshëm…

Numri 13, cilësohet i pafat, ndërsa në mitologji thuhet se ndjell mallkim. Edhe reagimet në një farë mënyre janë “mallkime”, që shprehen kundër një shëmtimi të bërë, për një punë të keqe, kundër veprimeve të dëmshme etj. E duke pasur parasysh efektin psikologjik i cili mund të ngjallë halucinacione, menduam se këto tregime do të ndikojnë në psikologjinë e individit dhe të lexuesit, ndoshta ishin dhe janë arsye të vetme pse i kemi kundruar si mallkime, të vetëdijshëm se komunisti nuk beson në Zot, aq më pak frikësohet se mund ta zë mallkimi i demokracisë kaotike?!

Isa Mustafa, në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe të kryetarit të LDK-së, (2015 – 2016), karshi autorit i ka bërë dy veprime të shëmtuara. Si rezultat po i bart këto mallkime kundër konceptit të tij ideologjik. Isa Mustafa, nuk ka pasur kurajë të bisedojë me themeluesit e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani.

Edhe suita e tij është identike, ajo është e prekur nga adrenalina andaj rri heshtur! Të të zhbëjë një komunist, është sikur të të kafshojë gjarpri. Helmi i tij ideologjik tashmë ka helmuar demokracinë e brendshme në LDK. Por strukturat udhëheqëse duhet ta dinë se ai ka Mision për ta shkatërruar Lidhjen Demokratike të Kosovës, si hakmarrje, pse kjo Parti ia shkatërroi Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë.

Isa Mustafa pa qenë kurrë më parë anëtar i LDK-së, arriti të bëhet kryetar i saj. Tash, bashkë me klientelën nga Instituti RIINVEST dhe të ashtuquajturin “Brez i Republikës”, janë duke bërë kërdi mbi proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Nga ky brez, që u sistemua në hierarkinë e LDK-së, madje jashtë rregullave demokratike, janë shqetësuese sidomos çirrjet se do të vejnë rregull në strukturat shtetërore. Kudo, infrastruktura njerëzore duhet të ketë kredibilitet moral e intelektual që ka rëndësi jetike për vendin. Por Kosova, po vuan mallkimin e Isa Mustafës. Një të tillë e ka provuar drejtpërdrejt Kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, i zgjedhur në Kuvendin VIII Zgjedhor, më 10 maj 2015.

Reagimet, kundërshtimet dhe mospajtimet ishin të shumta por nuk i dëgjoi kush, edhe pse ishin mirë dhe në kohë të informuar. Kosova, po vuan nga Njeriu teknokrat, i sëmurë me adrenalinë, i paralizuar në tru, e paradoksalisht dëshiron ta paralizojë Kosovën, prandaj i kushtëzon proceset, krijon ngërç institucional dhe në anën tjetër ka qëllim për ta shndërruar humbjen në fitore, pse jo edhe për ta mashtruar elektoratin që prapa i shkon.

Mallkimi tjetër ka të bëjë me rrenën që sllavët dhe komunistët e kanë ngritur në parim për të ndëshkuar të tjerët. Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryetari i LDK-së, pat deklaruar rrejshëm se “ata që merren dhe shkruajnë letra, do të ishte më mirë që një herë në jetën e tyre të punojnë e të jetojnë nga puna dhe djersa e tyre dhe jo të jetojnë me ndihmat e taksapaguesve të atyre vendeve e të djerrin kohën duke prodhuar patriotë e tradhtarë në Kosovë”, (Koha.net, 07.02.2016). Kjo deklaratë – ishte gënjeshtër, e cila është publikuar kudo, ndërsa nuk u lejua përgjigja të publikohej. Së këndejmi Isa Mustafa, beson në Misionin e tij për ta shndërruar LDK-në në LIDHJA, një solucion ideologjik nga mbetjet titiste e komuniste dhe nga bijtë e tyre plëngprishës, të cilët po përkrahin NJERIUN kufomë?!…

Shikuar në përgjithësi këto 13 Tregime, arsyetojnë mendimin pse Isa Mustafa nuk duhet të bëhet President i Kosovës?! Arsyet janë të shumta. Ai nuk e meriton të paraqitet në publik, pa le më të bëhet President i Kosovës. Pavarësisht aventurave të tij, përgjegjësia bie edhe mbi përkrahësit dhe mediat në Kosovë, të cilat sikur paskan mision, bashkë me LIDHJEN, për ta dështuar Kosovën, e cila ngjason me të prekurin nga adrenalina.

Në fund të këtij fillimi, i mbetem borxh lexuesit për t’i shpjeguar se të gjitha faktet i kemi mbështetur në citime dhe burime publike që janë theksuar me korrektësi brenda librit!

Zvicër, janar 2020.

Sqarim i autorit: Libri ka 172 faqe, është i pajisur me dokumente, fotografi dhe referenca që janë vendosur nëpër fusnota në fund të secilit shkrim, (mbi 300 sish), e përveç atyre shënimeve sqaruese, në fund të secilit “Shkrim / mallkim”, është shënuar gazeta, gazeta elektronike dhe portalet ku janë publikuar këto shënime!

Kontrolloni gjithashtu

MSc. Adem Lushaj: Libri, "Resurset natyrore të Deçanit" do promovohet edhe në Amerikë

MSc. Adem Lushaj: Libri, “Resurset natyrore të Deçanit” do promovohet edhe në Amerikë

Një vit më parë, më 30 tetor 2019, me rastin e promovimit të monografisë ” ...