Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë 36 persona të ndaluar gjatë manifestimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke u shqiptuar gjobë prej 700 eurosh, si dhe masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet për shtetasit e huaj. Sipas gjykatës, të akuzuarit kanë cenuar rendin dhe qetësinë publike duke brohoritur slogane si “Kosova është Serbi” dhe duke bërë gjeste nacionaliste gjatë tubimit të 28 qershorit. Gjyqtarja Naime Krasniqi deklaroi se dokumentet personale të të dënuarve do të mbeten të konfiskuara derisa të paguhet gjoba e shqiptuar nga gjykata. Policia e Kosovës kishte ndaluar 37 persona gjatë manifestimit, ndërsa 36 prej tyre u proceduan para gjykatës. Shumica janë shtetas të Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se do të shqyrtojë pretendimet për keqtrajtim të të ndaluarve, megjithëse deri tani nuk është paraqitur asnjë ankesë zyrtare lidhur me rastin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
