KEK
Fillimi / Kultura / Cilët janë disa nga personalitetet dhe aktorët më të njohur të Turqisë me origjinë shqiptare?

Cilët janë disa nga personalitetet dhe aktorët më të njohur të Turqisë me origjinë shqiptare?

Prania e shqiptarëve në Turqi është shumëshekullore dhe është e shtrirë kudo në vendet e këtij shteti, ku dikur shqiptarët kanë drejtuar edhe formacionet më të rëndësishme pushtetare e qeveritare. Në mesin e shqiptarëve që kanë bërë emër në nivel të Perandorisë, përveç ushtarakëve, komandantëve të njohur, vezirëve e gjyqtarëve, kryengritësve burrështetasve, ata janë shquar edhe në  arkitekturë, arte, kulturë, letërsi  dhe pothuajse në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike e diplomatike.

Nuk do të ishte menduar shtrirja e Perandorisë Osmane, pa fitoret 20-vjeçare të Skënderbeut, derisa ishte në krye të forcave ushtarake dhe komandonte ushtrinë perandorake kundër Persisë dhe shteteve  të Lindjes. Në mesin e shqiptarëve që i kanë dhënë një kontribut të shquar ndërtimtarisë, urave, pallateve, ujësjellësve  është edhe arkitekti,  Mimar Sinani, i krahasuar me Leonardo da Vinçin. Në jetën diplomatike ushtarake të Perandorisë është shquar, Ibrahim Pashë Parga, (Pargaliu) Lutfi Pashai në fushën e ligjeve dhe administratës, të dy dhëndurë të Sulltan Sylejmanit.

Janë më shumtë se 30 serasqerë e vezirë të mëdhenj, ndër më të njohurit të Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare.

Në mesin e shumë jeniçerëve në zë, është edhe kryengritësi më i njohur gjatë tërë kohës së Perandorisë, Halil Arnauti i njohur si Halil Patrona, i cili kishte kërkuar të hiqeshin tatimet e përjetshme dhe të prisheshin e të ndaloheshin shtëpitë publike. Pastaj ndër vezirët më të njohur shqiptar ka qenë edhe Kara Mustafë Pasha, i cili kishte mbajtur në rrethim Vjenën dhe kishte pushtuar Evropën Qendrore, Kemankesh Mustafa Pasha dhe shumë të tjerë, shumë prej të cilëve u kishin prerë edhe kokat, në përpjekjet e tyre qofshin karrieriste, apo edhe pasojë e intrigave që buronin nga Pallati dhe qarqet kundërshtare brenda Perandorisë.

Familja e qypërlinjve të Beratit për 150 vjet kishte dhënë katër vezirë të mëdhenj, ndër më të njohurit e Perandorisë.

Kjo pjesë e historisë shqiptare është injoruar dhe është abortuar nga tekstet e Historisë sonë kombëtare dhe për më keq është fundosur edhe krijimtaria e begatshme letrare e artistike, vetëm sepse është shkruar me alfabet arab dhe i përket kohës së Perandorisë, asokohe më e madhja e  botës, e cila edhe mund të ishte gjakatare, por jo aq sa kishte qenë gjakatare e barbare perandoria Romake apo ajo e Bizantit, e Rusisë etj.

Kjo pjesë e lavdishme apo e palavdishme e historisë së shqiptarëve ekziston, dokumentohet, argumentohet e faktohet, pavarësisht qëndrimeve të djeshme e të sotme, politike për dhe kundër bashkëqeverisjes disa shekullore të disa personaliteteve shqiptare në Perandorinë Osmane. Por duhet të pranohet fakti se shqiptarët në Perandorinë Osmane ose kanë bashkëpunuar  dhe kanë bashkë-qeverisur me ta , ose kanë qenë mercenarë, vrastarë dhe vegla të Perandorisë. Është në dijen e ndërgjegjen tonë që ta pranojmë realitetin qoftë edhe i hidhur, apo ta injorojmë një segment tejet të rëndësishëm të jetës shqiptare afër 500 vjeçare.

Në fushën e arteve e letërsisë veç tjerësh shquhet, poeti i madh, Mesihi i Prishtinës, dhe poeti, shkrimtari e krijuesi më i madh i kohës, Jahja Bej Dukagjini, për të cilin thuhet se ishte  Danteja i Lindjes dhe i cili krenohej me origjinën e tij shqiptare, mu në qendrën e Perandorisë, në kohën e mbretit  më të fuqishëm, sikur kishte qenë Sulltan Sylejmani.

Edhe në kulturë, arte e letërsi shumë shqiptarë kanë bërë emër, në mesin e personaliteteve më të njohura të kohës së tyre si Hoxha Tahsini, Sami Frashëri, Mehmet Aksoj. Një lidhje të origjinës shqiptare nga gjyshja kishte edhe Mustafë Qemal Ataturku, krijuesi i Turqisë moderne, që me të drejtë konsiderohet si ati i Turqisë, sepse ai me ushtrinë e tij në luftë 12-vjeçare arriti ta shpëtojë Turqinë nga shpërbërja duke luftuar sikur thuhet me të drejtë, kundër tërë botës.

Edhe në mesin e aktorëve të filmit, shqiptarët janë bërë të njohur dhe shumica syresh nuk e mohojnë origjinën, disa madje edhe krenohen për atë origjinë, por jo aq sa ishte krenuar, Jahja Bej Dukagjini.

Edhe një aktor i famshëm Serkay Tutunxhu e ka pranuar se ka prejardhje shqiptare.

Serkay ka qenë i ftuar në një emision në Turqi dhe derisa po diskutonin me një aktor tjetër për ushqimin, ai e pranoi se është shqiptar dhe duke qeshur tha se shqiptarët hanë mish që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.

Janë edhe disa aktorë shumë të famshëm në Turqi që e kanë pranuar se kanë prejardhje shqiptare. Në mesin e tyre janë Halit Ergenç, Pelin Karahan, Kivanç Tatlitug, Baris Arduç, Xhan Jaman, Nuretin Sonmez, Engin Altan Dyzyatan e shumë të tjerë. Dy të fundit Nuretin Sonmez  dhe Engin Altan Dyzjatan, janë shumë të njohur  e të popullarizuar, në dy produksionet  më të mëdha e më të kushtueshme financiarisht të kinematografisë turke, në seritë e njohura filmike, “Erturgrul” dhe “Osman”.

Po kështu Halit Ergenç ka luajtur rolin e Sulltan Sulejmanit në serialin “Muhtesem Yizyil”, apo “Sulejmani i Madhërishëm”. Edhe bijën e Sulltanit, Mihrimah e ka luajtur aktorja me origjinë shqiptare, Pelin karahan.

Ahmet Qeriqi

  1. 8. 2021

Krojmir

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Rrjeti i Grave të Kosovës

RrGK fillon fushatën kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës 

Sot, me 18 tetor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në partneritet me Agjencinë për ...