D. Goxhaj: Kush e autorizoi Koço Kokëdhimën t’u marrë leje grekëve për reformën territoriale?

Nga mediet e Tiranës të këtyre ditëve mësojmë se deputeti i qarkut të Vlorës Koço Kokëdhima është takuar me ish shqiptarin me origjinë nga Himara, por ish banor i Tiranës, tashmë i vetëshpallur grek dhe deputet i partisë greke të  Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Evangelos Venizelos, Piro Dhima, i cili pas bisedës me Koço Kokëdhimën deklaron se “Për Epirin e Veriut është e papranueshme dhe kundër konceptit të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e gjejmë të përshtatëshme ndarjen administrative”. Dhe këtë deklaratë ai e bën pasi i është raportuar nga deputeti ynë socialist se Himara do të jetë në një njësi administrative me komunën e Vranishtit dhe të Lukovës.

Lind pyetja: Pse duhet marë miratimi i një deputeti grek se si do ta bëjmë ne reformën administrative territoriale? A është pyetur Koço Kokëdhima apo ndonjë deputet, ministër apo kryeministri shqiptar nga deputetë a personalitete të tjera greke për reforma të ngjashme të qeverisë së tyre? Kush e autorizoi Koço Kokëdhimën që t’i kërkonte mendim dhe t’i merrte leje Piro Dhimës për projekt-reformën tonë territoriale, duke i dhënë edhe mundësinë deputetit grek të na diktohet, apo është autorizuar nga Kryeministri Edi Rama? E shtrojmë këtë dyshim, pasi Kokëdhima nuk kish pse të na shkruajë në media: “I shpjegova Piros pikëpamjet e Qeverisë Shqiptare për bashkimin e Himarës me Vranishtin”. (shih gazeta “mapo”, 29.7.2014). Përderisa Koço Kokëdhima flet në emër të Qeverisë Shqiptare, duke mos qenë antar i kabinetit qeveritar shqiptar,do të thotë se është autorizuar nga vetë  Kryeministri

 Shqiptar Edi Rama. Apo mos vallë është Koço Kokëdhima ai që urdhëron Kryeministrin Edi Rama? E shtrojmë këtë pyetje dyshuese bazuar në atë çka na thotë gazetari Mero Baze, përmes gazetës “Dita”, datë 29.7.2014: Po pate mik Koço Kokëdhimën ke edhe Edi Ramën, dhe për këtë na jep shifra dhe fakte: “Në investimet e ofruara nga qeveria Rama për programin e “Rilindjes Urbane”, fshati i Koços ka marrë rreth 700 milionë lekë, përfshi dhe rrugën nga shtëpi e re e Koços, tek shtëpia e vjetër e Kokëdhimëve, ndërsa Labëria asnjë qindarkë. Sa për të pasur një ide krahasuese, Koço ka marrë për fshatin e tij tre herë më shumë lekë se rrethi i Përmetit, si një rreth i afërt me Qarkun e Vlorës, ku mund të investohet për turizmin e brendshëm dhe ku ka turistë përgjatë gjithë vitin më shumë se sa ka Qeparoi në verë… Në Sarandë, 80 përqind e administratës janë nga Bregu, në një qytet ku

 shumica përbëhet nga Labëria, ortodoksit vendas, grekë apo shqiptarë, dhe komuniteti çam. Një lagje labësh në Sarandë, e quajtur Baba Rexhepi, me banorë të ardhur pas vitit 1992, kryesisht nga Labëria e thellë, janë të gjithë socialistë, por janë të gjithë të përjashtuar nga pushteti i Kokëdhimës në Sarandë, se nuk hyjnë në rezonancë me deliret e tij.”

Përveç ktyre fakteve, mosreagimi i Kryeministrit Shqiptar ndaj këtij takimi dhe deklarimi i Koço Kokëdhimës për t’i marë leje Piro Dhimës, është një fakt më shumë që të bën të dyshosh se duhet të jetë Koçua ai që i imponohet Edi Ramës.

Po ashtu, shkuarja e Koços tek greku për t’i marë dorën për reformën, vërteton atë çka Mero Baze e akuzon Kokëdhimën për pro grek dhe racist antilab, dhe Merua duhet ta dijë më mirë se cilido tjetër, pasi kanë qenë shumë kohë shumë të afërt, ndaj edhe e shkruan në gazetën “Dita”:  “E kam akuzuar Kokëdhimën se ka qëndrime raciste politike ndaj Labërisë dhe po përdor pushtetin e tij kundër interesave të shumicës në Bregdet. Nuk e kam akuzuar se nuk e do Greqinë. Larg qoftë ta them këtë! Greqisë po i bën nder, sidomos nacionalistëve grekë, pasi po u ringjall kauza të vdekura, që i kanë kushtuar këtij vendi. Për këtë vlen të shpërblehet nga grekët, jo nga ne…”.

Prandaj dyshojmë se duhet të jetë Koçua ai që i imponohet Kryeministrit tonë dhe jo e kundërta. Dhe këtë na e dëshmon vetë Koçua kur thotë: “Hartën e ndarjes së Jugut të Shqipërisë nuk e kam propozuar unë. Në krye të këtij projekti kanë qëndruar Bledi Çuçi, Bashkim Fino dhe Edi Rama” (gazeta “Dita”, 29.7.2014). Që do të thotë se, Koçua ka shkuar e është takuar për të marrë leje tek Piro Dhima, për reformën territoriale, ngaqë nuk na paska qenë dakort me hartën e autorëve të mësipërm dhe ka shkuar për ta informuar Piro Dhimën, pavarësisht se shkruan ndryshe në fejs-book. Dhe, për ta mbuluar Diellin me shoshë, Koçua, para një jave na u hoq patriot, duke u shprehur: “Himara nuk është greke”. Që Himara nuk ka qenë kurrë minoritet grek, këtë e di edhe bufi, e jo më Bollanua e Dulja. Por, të thuash se Himara nuk është greke dhe të nesërmen  të shkosh e t’i kërkosh qoftë edhe

 mendim deputetit grek që të bashkohet apo jo në një administrim Himara labe me Vranishtin lab, sikur nuk shkon, apo jo, zoti/shoku Koço? A është hipokrizi e pastër kjo? Ja pra që Merua ka të drejtë kur i thotë: “Nuk e kam akuzuar Koçon se nuk e do Greqinë. Larg qoftë ta them këtë! Koço urrekërka Greqinë!? Nuk e kam thënë në asnjë rresht, në asnjë fjali dhe me asnjë nënkuptim këtë gjë. I kam thënë qartë dhe haptazi se urren Labërinë … Përfaqësimi politik i Labërisë në Vlorë, si në grupin e deputetëve, por mbi të gjitha në emërimet nepotike të Kokëdhimës, është poshtërues.” Dhe Merua ka të drejtë, pasi nuk e pranon asnjë lloj logjike që të jesh edhe anti lab, edhe anti grek dhe shkon pastaj e konsultohesh me grekët për reformën territorjale!

Dhe nuk besohet të jetë rastësi që, të nesërmen e takimit të Koços me Piro Dhimën, dogana greke në Kakavije nuk lejon qytetarët shqiptarë të kalojnë nëse nuk votojnë pro ose kundër zgjerimit të komunës së Himarës. Të gjitha këto të bindin se ka gjasa që Koçua të ndajë të njëjtat mendime për të ashtuquajturin “Vorio Epir” me grekodeputetin e ri Piro Dhimën, dhe për këtë ndoshta ka edhe leje nga lart. Nuk duam ta besojmë një gjë të tillë, por mosreagimi i Qeverisë Shqiptare për rastin e datës 27 dhe 28 Korrik në Doganën e Kakavijes, ku dy doganierë grekë organizuan referendumin, duke vendosur një kuti, dhe u kërkojnë emigrantëve shqiptarë të japin mendimin e tyre rreth ndarjes administrativo-territoriale për Himarën, gjë që të bën të dyshosh.

30.7.2014

Kontrolloni gjithashtu

Nën patronatin e kryeministrit Haradinaj sot bëhet rivarrimi i heroit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit, Hazir Malaj

Më 9 maj të vitit 1998, kanë rënë Komandanti i Logjistikës së UÇK-së, Ilir Konushevci dhe mjeku i luftës, Hazir Mala

Më 9 maj të vitit 1998, në një pritë të organizuar nga trafikantët e armëve, …