De Groot ka bërë thirrje për shfrytëzimin e mekanizmave ligjorë

Qëndrimi i Kryetares së Gjykatës Supreme të Holandës, Dineke de Groot nuk përbën vlerësim për drejtësinë apo padrejtësinë e aktgjykimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. De Groot nuk ka shprehur qëndrim për provat e administruara në proces, arsyetimin e trupit gjykues apo dënimet e shqiptuara, duke e kufizuar përgjigjen e saj në parimet e sundimit të ligjit dhe mundësitë procedurale. Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-komandantin e UÇK-së Rexhep Selimi. Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim. Trupi gjykues i shpalli fajtorë për vepra që përfshijnë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Në të njëjtin proces, katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi gjykata vlerësoi se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat, ndërsa ekipet e tyre mbrojtëse kanë kundërshtuar konstatimet e trupit gjykues. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund të kundërshtohet në procedurën e apelit. Në këtë fazë, çështja mbetet e hapur në aspektin juridik. Ndërsa De Groot ka bërë thirrje për shfrytëzimin e mekanizmave ligjorë, drejtësia e aktgjykimit dhe pretendimet e mbrojtjes do të duhet të trajtohen përmes procedurave përkatëse gjyqësore.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani

Enver Hasani: Kuvendi nuk mund t’i ndryshojë asnjë presje Ligjit për Specialen të kthyer nga Presidentja

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës …