Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, është përballur me reagime të shumta pas një deklarate të bërë gjatë një takimi me qytetarë, ku duke folur në mënyrë ironike për presidenten Vjosa Osmani, është dëgjuar duke thënë: “Qyre, kur jena te frizerkat”, ndërsa më pas ka shpërthyer në të qeshura bashkë me të pranishmit. Termi “frizerkë” është përdorur vazhdimisht në rrjete sociale dhe faqe të ndryshme që mbështesin Lëvizja Vetëvendosje, në përpjekje për të ironizuar dhe denigruar pozitën e presidentes Osmani. Pas kësaj deklarate ka reaguar ish-këshilltarja e presidentes, Meliza Haradinaj, e cila e ka dënuar gjuhën e përdorur nga Konjufca. Sipas saj, një qasje e tillë është e papranueshme për një zyrtar të lartë shtetëror dhe dëmton imazhin institucional të Kosova. “Shihni nivelin e përfaqësimit të Ministrit të Jashtëm Konjufca. Në vend që të fokusohet në diplomaci dhe në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ai përdor një gjuhë përçarëse me tentim denigrimi ndaj Presidentes Osmani. Kjo nuk i shërben institucioneve dhe dëmton seriozisht imazhin e shtetit. Këta njerëz nuk e meritojnë besimin që u është dhënë nga qytetarët. Për faqe të zezë”, ka deklaruar Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
