Brickos

Deklarata e ministrit, Liburn Aliu, për Shtetin e pa bërë të Kosovës, nuk ishte një rastësi emocionale

Deklarata ministrit të Qeverisë-Kurti,  Liburn Aliu, i cili ka thënë  se Shteti i  Kosovës është një “projekt i përkohshëm”, duke marrë parasysh aspiratën e ligjshme të shqiptarëve  për bashkim me Shqipërinë, ka nxitur reagime, por e ka gjetur të papërgatitur për ta komentuar edhe vetë kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Në kohën kur ai u  pyet  nga gazetarët për komentet rreth kësaj deklarate, kryeministri që Liburnin e ka njërin ndër  bashkë-partiakët më besnikë e më militantë,  u arsyetua se nuk komenton emisione televizive megjithatë tha se në emisionet festive (sa për sy e faqe),  paska mundësi të flitet edhe për bashkim kombëtar, por vetëm në rast të festave, pasi tash e ka mësuar  se bashkimin kombëtar nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës.

Kjo deklaratë,  në dukje hipotetike e Albin Kurtit flet dhe lë për të nënkuptuar shumë çështje të ndërlikuara, me të cilat po ballafaqohet Kurti brenda Qeverisë e brenda Partisë.

Pranimi i Asociacionit është heqja e petës së lakrorit dhe tashmë nuk pinë ujë pallavrat e mashtrimet elektorale, me rëndësi është se ato e kanë bërë të vetën, tash duhet të bëhen përpjekje maksimale që të ruhen postet dhe fjalët e premtimet të lakohen në të gjitha rasat jo gramatikore, por politike.

A nuk qenka më shumë se hipokrizi të konstatohet hapur se për bashkimin kombëtar u lejuaka të flitet gjatë festave, vetëm për emocione, kur pikërisht këto festa reflektojnë realitetin, të kaluarën historinë mesazhet, aspiratat.

Ministri, Liburn Aliu, i cili nuk di të dredhë e të zhdredhë sikur Albini, ka folur pa i marrë parasysh reagimet e mundshme, as pa ndonjë kontest më të thellë të krejt atë po ndodh me pranimin e Asociacionit.  Ai thjesht  ka folur  si militant i Vetëvendosjes, duke i mbetur besnik programit dhe premtimeve elektorale.

Shikuar realisht Kosova është shtet i pavarur, juridikisht, në të gjitha segmentet, i pranuar nga shumica e vendeve të botës  dhe nuk e zhbën dot pavarësinë kërcënimi dhe mospranimi i Serbisë. Por pranimi i asociacionit e defaktorizon nga brenda shtetin e Kosovës, e gjymton territorialisht dhe bëhet pengesë në të gjitha segmentet e shtetësisë.

Ja pse ndodh kështu.

Serbët në Kosovë nuk jetojnë vetëm në katër komunat e veriut, ka kanë shumicën e popullsisë, por jetojnë edhe në gjashtë komuna  të tjera në brendi të vendit. Asociacioni i ka 10 komuna me gjashtë për qind prani të popullatës serbe në Kosovë, ndërsa, shqiptarët e pakicat e tjera me popullatën dërmuese 95 për qind,  kanë 28 komuna.

Serbët në Kosovë kanë të drejta eksterritoriale, që administrohen nga Kreu  i Kishës, në Beograd dhe që janë territore të pavarura nga shteti i Kosovës.  Kjo u pa hiq më larg se ditën e shtunë, kur Dioqeza Serbe e Rashkës-Prizrenit, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, e kanë kthyer, në vendin ku ka qenë më parë, një pllakë përkujtimore të ushtarëve okupatorë serbë në luftërat e viteve 1912-1918, kur ata pushtuan Kosovën dhe vranë e masakruan dhjetëra  mijëra shqiptarë, qindra mijëra të tjerë i dëbuan për të Turqi.

Ky monument, i vendosur në varrezat ortodokse në Prishtinë, është zhvendosur në një anë të varrit në mes të muajit nëntor, me iniciativën e Ambasadës franceze dhe asaj gjermane, por pa i  pyetur, as pa marrë pëlqimin e autoriteteve të Kosovës.

Lidhur me këtë akt fyes e diskriminues  për shqiptarët, nuk kanë reaguar institucionet, as historianët, madje as veteranët, apo shoqatat që rrahin gjoks për patriotizëm.

Me siguri se edhe kjo çështje ka të bëjë me Asociacionin dhe eksterritorialitetin e kishave, manastireve e pronave  të tyre, projekt të cilin e ka pranuar Qeveria e Albin Kurtit.  Disa nga mediet në Kosovë,  ushtarët okupatorë serbë i konsiderojnë si të rënë, dëshmorë, e jo pushtues,  vrastarë e kriminel sikur kanë qenë.

Një shtet me një asociacion të tillë përbrenda është më shumë dhe më keq sesa një republikë si ajo serbe e Bosnjës,  sepse ajo e ka territorin e vet kompakt, të ndarë nga entiteti kroat e mysliman.

Në Kosovë nuk kemi ndarje territoriale kompakte etnike, për veç katër komunave me shumicë të popullatës  serbe,  në Veri. Andaj, Asociacioni, Vetëmenxhimi sikur e quan Albin Kurti me të vetët, Republika serbe brenda Kosovës sikur e pretendon Serbia, degradojnë Shtetin e Kosovës në disa segmente shumë të rëndësishme dhe  nuk është fare për t u habitur se zgjidhja përfundimtare do të jetë me ndërrimin e territoreve sipas parimit etnik. Në një rast  të tillë shqiptarët, nuk humbin asgjë por fitojnë shumë.

Ahmet Qeriqi

  1. 12. 2023

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Kolektivisht të përhumbur!

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do të presin në radhë për t’u turpëruar”, …