Dhjetëra ushtarë të plagosur rëndë bashkëluftëtarët e tyre i nisin në drejtim të Javurit. Gjatë natës duhet të depërtohen në Zonën Operative të Neredimës (E hënë 5 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Dhjetëra ushtarë të plagosur rëndë bashkëluftëtarët e tyre i nisin në drejtim të Javurit. Gjatë natës duhet të depërtohen në Zonën Operative të Neredimës (E hënë 5 prill, 1999)

Edhe pse në një kthinë të ngushtë dhe të ftohtë kemi pushuar dhe kemi fjetur mirë. Në mëngjes, sërish dalim në Fushmbifushë për të parë se ç` ka ndodhur.  Dëgjohen krismat e shembjes së kulmeve të shtëpive nga zjarri.

Te Guri i Fushëmbëfushës takojmë edhe xha Mehdiun dhe tri luftëtaret: Teutë Mazreku, Melikie Qeriqi dhe Manushaqe(!). Mixha rrëfen se për pak ka shpëtuar nga serbët meqë ka qëndruar deri vonë në shtëpi.

Kthehemi në tendë dhe pasi hamë bukë, së bashku me Nezir Myrtajn  jemi nisur në drejtim të Divjakës e Berishës.

Gjatë kalimit nëpër fushën e Lezhës, takojmë ushtarët e plagosur të cilët po i mbartin bashkëluftëtarët dhe ata që janë caktuar nga komanda. Në mesin e tyre ka të plagosur rëndë. Ata po i afrojnë deri te malet e Carralevës dhe gjatë natës, pasi të jetë vëzhguar terreni do të depërtojnë nëpër Rancë dhe tutje drejt Mollapolcit, ku është një spital tjetër ushtarak. Atje mjeku Isë Haxhiu, nga Rashinca  dhe të tjerë bëjnë intervenime të ndryshme kirurgjike. Rastet e veçanta bashkëluftëtarët i nisin për në Shqipëri.

Gjatë ecejakeve të zakonshme përveç gjërave elementare kemi edhe tranzistorin. Neziri i dëgjon lajmet dhe sakaq fillojmë komentimin e ndonjë ngjarjeje. Ai është i bindur se fitorja është në anën tonë, edhe pse aktualisht po përballemi me sfida të rënda dhe tejet të rrezikshme.

Gjatë rrugëtimit tonë nëpër Rrafshnaltë shohim të zhvendosur të cilët kanë arritur nga Drenica Qendrore. Shumica janë të rinj prej moshës 16 deri në 20 vjet. Ata janë ndarë nga familjet dhe me një batanie në shpinë janë nisur për të jetuar kudo ku do të gjejnë strehë, për t`iu ikur masakrave serbe, meqë ata të rinjtë po i ndajnë nga familjet dhe po i pushkatojnë, ose po i përdorin për hapjen e bunkerëve dhe pastaj po ashtu i pushkatojnë.

Shumica prej tyre nuk kanë cak të hapërimit. Ata lëvizin në grupe nga një grykë në tjetrën. Ndonjëri gjen ndonjë të njohur..

Rreth orës 16.00 kemi hyrë në Kompleksin ushtarak të Shtabit në Divjakë.

Shtabi është braktisur. Gjithçka duket shkret. Atje takojmë vetëm Hilmi Ramadanin, Ferat Shalën dhe  ushtar Xhemën nga rrethina e Klinës. Pasi pushojmë paksa nisemi drejt Lagjës së Munollëve në Fshatin e Ri ku, ku pas urdhrit të prerë të Rexhep Selimitm janë shtrënguar të kthehen Berat Luzha dhe të gjithë ata që menduan të depërtojnë në Zonën e Neredimës.

Pasi hyjmë në Shtëpinë e dëshmorit Liman Gega(!) në Fshatin e Ri, kuptojmë se aty  kanë mbetur vetëm Berat Luzha, Qemal Aliu, Besnik Berisha dhe Isë Krasniqi. Ndërsa Martin Çuni, Nusret Pllana, Valdet Hoti, Fatmir Dugolli dhe Rizah Berisha janë në përfundim e sipër të punëve në rregullimin e bunkerit në maje të Pallanikut ku së shpejti do të rifillojmë transmetimin e programit.

Nga Fshati i Ri sërish kthehemi në Divjakë. Më askush nuk na ndalë te porta, për të verifikuar se kush kënd po e kërkon. Divjaka ka mbetur shkret. Ndoshta ushtarakët, me rastin e largimit  kanë përdorur një trill strategjik, me qëllim të hutimit të armikut. Sido qoftë Shtabi ka mbetur shkret. Sipas informatave të Elez Durmishit në Shtab kanë mbetur vetëm komandantët e operativës, dhe eprorët Tahir Sinani, Rexhep Selimi dhe Ajvaz Berisha. Një muaj më parë këtu kanë qëndruar me qindra eprorë, komandantë dhe ushtarë. Duhej pritur në radhë madje edhe disa orë për të vërë ndonjë kontakt.

Tani kemi mbetur vetëm pesë vetë.

Ferat Shala na thotë që për shkaqe sigurie do të flemë në bodrum, meqë është e mundshme që serbët të na godasin nga distanca.

Nga lodhja e rraskapitja e ditëve të fundit kemi fjetur sapo jemi shtrirë në  krevatet e drurit.

Duhet të ngrihemi pa zbardhur drita për shkaqe sigurie…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një lajm i befasishëm dhe shumë i rrezikshëm (E shtunë 1 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një lajm i befasishëm dhe shumë i rrezikshëm (E shtunë 1 maj, 1999)

Sot në tendën tonë në Berishë, kanë ardhur nga Krojmiri Faruk Gashi dhe Nusret Gashi. …