Brickos

Gazetarët po spekulojnë se Aleksander Vuçiq ka ndenjur mbrëmë në Bruksel për t’ u takuar me Albin Kurtin

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, çalon nga të gjitha anët, pasi çalojnë edhe mospajtimet: Amerikë-BE-Rusi

Kanë kaluar më shumë se 10 vite kur ka filluar i ashtuquajturi “dialog teknik mes Kosovës dhe Serbisë”, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me kërkesë të Serbisë, kishte shpallur verdiktin, se Shpallja e pavarësisë së  Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e kishte shkelur të Drejtën Ndërkombëtare. Në kohën kur ishte momenti më i volitshëm, për të mos biseduar kurrë më me Serbinë, pa e njohur paraprakisht pavarësinë e Kosovës, filloi loja politike e qarqeve të BE-së, për bisedime teknike, duke anashkaluar për fillim bisedimet politike.  Institucionet e Kosovës, në atë kohë gëlltitën “kerremin” që u kishte përgatitur vetë BE-ja, dhe prej atëherë e deri tani, problemi i përmbylljes së hesapeve me Serbinë, jo vetëm që ka mbetur pezull, por nga një problem teknik, sikur konsiderohej asokohe  me mashtrim, ka degjeneruar në çështje tejet delikate që ka për qëllim  degradimin e Pavarësisë së Kosovës, krijimin e një asociacioni ekzekutive serb brenda Kosovës, ose shkëmbimin e territoreve.

Tani po shihet gjithnjë e më hapur  se të gjitha çështjet janë të hapura me faktin se faktori ndërkombëtar unanimisht përkrah bisedimet me kompromis të dyanshëm, ndërsa dialoguesit e Kosovës dhe Serbisë, nuk lëvizin dot nga pozicionet e veta. Kosova me të drejtë thirret në Kushtetutë, po ashtu edhe Serbia thirret në Kushtetutën  e saj ku Kosova figuron si provincë e saj.

Tani kur raportet ndërkombëtare janë acaruar me rastin e pushtimit rus në Ukrainë, tani kur Serbia ndihet më e fortë se kurrë, pasi fare lehtë mund të lëshohet në ndonjë aventurë ushtarake, në rast se merr ngjyrë të gjelbër nga Rusia, si gjithnjë edhe tani  hetohen hapur pretendimet e BE-së për ta gjunjëzuar Kosovën me qëllim të përfitimit të Serbisë, gjithnjë të përkëdhelur. Në rrethana të tilla nuk e ka as shansin më të vogël një marrëveshje me të cilën do të pajtoheshin të dyja palët, sepse Serbia, ka konfirmuar sa e sa herë se nuk ka bisedime për njohjen e Kosovës, por vetëm për stabilizimin e marrëdhënieve dhe ruajtjen e Status-Quosë.

Klasa e sotme dialoguese me Albin Kurtin në krye e bën më të vështirë dialogun, për faktin se pikërisht mbi parimet e kësaj çështje dhe këtij dialogu dhe me premtime  ajo ka ndërtuar kauzën me të cilën ka fituar edhe zgjedhjet e fundit. Dhe kjo nuk do të jetë keq për Kosovën, por do të jetë e pamundshme të realizohet, sepse kompromisin si metodë për zgjidhje politike mes Kosovës dhe Serbisë  e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pozicioni i Albin Kurtit është i ngurtë, por i drejtë, kërkesat janë parimore  dhe realiste, mirëpo është forca ajo e cila nuk e pyet të drejtën, andaj Kurti si palë më e dobët, dashur pa dashur ose do të lëshojë pe, ose do të detyrohet të shpallë zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme.

Serbia nuk është më pozicionin e dobët, sikur ishte  para fillimit të luftës në Ukrainë. Me faktin se ajo po e përkrahë Rusinë, ajo përkrah edhe ndarjen e Donjetskut nga Ukraina me popullatë shumicë ruse. Në analogji, Serbia do të kërkojë ta shkëpusë veriun e Kosovës, me shumicë serbe, por nuk do të kënaqet me aq. Ajo do t i ruajë edhe tri komunat e Kosovës Lindore, të cilat janë bërë Kurban i përpjekjeve për ta ruajtur veriun dhe që në vetve  është një padrejtësi  e padurueshme. Shkëmbi i territoreve është anatemuar vetëm për  faktin se e kishte  propozuar Hashim Thaçi, por edhe është pjesë e kauzës së Albin Kurtiti dhe Vetëvendosjes.

Nga do të analizohen dhe të studiohen faktorët relevantë në këto relacione, nëse logjikojmë realisht, me gjuhën e fakteve dhe argumenteve, del se   pozita e Kosovës në bisedime me Serbinë, në Bruksel  është më e dobët, sesa ka qenë disa vite më parë. Andaj, vajtje-ardhjet në Bruksel mund dhe do të vazhdojnë vetëm për ta ruajtur “satus-quonë” nga frika se mund të shpërthejë konflikti në veri të Kosovës.

Tri forcat politike por edhe ushtarake: Amerikë-BE-Rusi, të involvuara  në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje, mes Kosovës e Serbisë,  sikur paragjykohet të jetë një mundësi e tillë ( e paragjykuar si historike) mes Kosovës e Serbisë, në radhë të parë kanë problemet e veta, pozicionet dhe përfitimet e tyre.

Qëndrimet e Rusisë dhe Amerikës tashmë janë më të përkeqësuara si kurrë ndonjëherë më parë, ndërsa BE-ja ndodhet në mes si kompromis, por jo parimor.

Fakti se dy krerët kryesorë në bisedime, Borell dhe Lajçak  janë nga dy shtete që nuk e kanë njohur as e njohin Kosovën si Shtet të pavarur, është shumë domethënës, dhe nuk është fare  një koincidencë, por një politikë perfide, vështirë e besueshme të jetë proshqiptare, para se të jetë  krejt natyrshëm pro serbe, pro sllave dhe pro krishtere.

Andaj, marrëveshje paqësore, të pranuara nga të Kosova dhe Serbia kurrë nuk do të ketë, sepse shqiptarët vendës  dhe autoktonë  në Ballkan dhe sllavët e serbët ardhës  e uzurpues të trojeve tona historike, kanë 13 shekuj armiqësi, mospajtime, luftë, terror, barbari dhe mos durim, përveç ndonjë periudhe paqeje të përgjithshme botërore.

Vetëm forca e zgjidh problemin.

Forca e vitit 1999, që solli pavarësinë e Kosovës, tani ka shumë preokupime dhe po ballafaqohet me probleme shumë më të rënda të përmasave botërore.

Aleanca e Lindjes aziatike: Rusi, Kinë, Iran, Kore e Veriut e shtete të tjera, kundër NATO-s dhe Amerikës,  ka ndërruar dhe po e ndërron me shpejtësi dhe në tërësi raportin e forcave në botë.

Ne kemi mbetur si gjithnjë, diku në mes, mes lindjes dhe perëndimit, as lindorë as perëndimor të mirëfilltë, jo sepse duam të jemi të tillë, por sepse këtë e ka përcaktuar fati, apo fatkeqësia jonë historike.

Mbetet të shpresojmë sepse nuk thonë kot se shpresa vdes e fundit, e derisa jeta është luftë,  dhe ajo vdes kur mbaron lufta,  nuk duhet të lejojmë të vdesim, të paktën jo për së gjalli,  nga frika.

Kanë kaluar këtu pari, Roma, Bizanti, Dushani serb, Turqia, Austrohungaria, Serbia e parë dhe e dytë, Italia e Gjermania ish RSFJ dhe kemi mbijetuar, të lagur, të plaçkitur, të rrudhur, të tkurrur, por ende jemi dhe do të jemi, edhe pse të ndarë në pesë e gjashtë shtete, ende gjallojmë tok me besimin për bashkim, për mbijetesë…

Ahmet Qeriqi

Krojmir, 19. 8. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …