lirisë

Dibran Fylli: Drenica flamurtare e lirisë

Kjo trevë kreshnikësh në antikë njihej me emrin Klapotnik. Kur përmendet ky emër, nuk mund të mos kujtohet historia e lavdishme kombëtare dhe emri Drenicë. Kjo trevë gjithmonë ka qenë, është dhe do të mbetet tmerr për armikun. Është fole trimash që u bë sinonim i rezistencës dhe i qëndresës mbarëshqiptare për liri dhe pavarësi kombëtare.

Drenica në historinë kombëtare, mbetet territor i qëndresës shqiptare, që secilit pushtues i rezistoi me armë. Që nga Beteja e Kosovës (1389) e deri më sot, nga kjo trevë dolën njerëz që me pushkë e me penë qëndruan për çlirim dhe pavarësi kombëtare. Në Betejen e Kosovës, Millosh Nikollë Kopiliqi (ishte nga fshati Kopiliç i Skënderajt) e plagos për vdekje Sulltan Muratin I.

Drenica ua fuste frikën armiqve. Edhe vet Sulltanin nuk e linte të qetë në Stamboll. Terë Ballkani dhe Evropa ishin qetësuar, kurse në Drenicë ende s’kishte pushtet të plotë turk, edhe atëherë kur provuan ta vejnë pushtetin, më 1891, dështuan, Saraji Hamidije në mes Llaushës, Palacit e Prekazit u rrënua plotësisht, kurse kajmekami me gjithë nëpunësit e tij u dëbua nga Drenica brenda natës.

Drenica përfshin një territor kodrinor ndërmjet Fushës së Kosovës në lindje prej Goleshit e Qyqavicës, maleve të Carralevës në jug, malit Mokna në veri dhe Rrafshit të Dukagjinit në perëndim. Drenica paraqet një territor kompakt, një tersi gjeografike, në të cilen gravitojnë mbi 100 fshatra. Në pikëpamje administrative është e copëtuar dhe fshatrat e saj u takojnë disa qendrave komunale: Skënderajt, Gllogofcit, Klinës, Lypjanit, Vushtrrisë dhe Malishevës.

Pushteti borgjez serb ia kishte frikën aq shumë kësaj treve, sa që e quante “Vend grejzish”. Edhe në elaboratet e ndryshme që gatuheshin nëpër kabinetet e krerëve dhe akademikëve serb për shpërnguljen dhe zhdukjen e shqiptarëve, Drenica parashikohej si vendi më i rrezikshëm prej nga duhej dëbuar popullsia vendëse shqiptare. Vetë Mbreti Aleksandër kishte propozuar që ky territor të shkatërrohej plotësisht. Borgjezia serbe mendonte se me djegien e fshatit të fundit dhe me vrasjen e fëmijës së fundit në Drenicë, do të hiqet nga rendi i ditës çështja shqiptare…

AHMET DELIA DHE BETEJAT E TIJ

Atëherë kur xhandarmëria e Pashiqit kishte filluar reprezaljet nëpër disa fshatra të Drenicës, Ahmet Delia, i vetëdijshëm për qëllimet e Serbisë, mblodhi krerët e Drenicës në kullën e tij, dhe së bashku me trimat, bënë edhe një Kuvend duke kujtuar besën e dhënë!

Në fillimin e janarit të vitit 1913, veprimet kriminale e të dhunshme të xhandarmërisë serbe po shtrëngonin dhe po ashpërsonin rrathët e krimeve mbi popullin e Drenicës. Aty ishte dhënë edhe një herë fjala e burrave se do të rezistojnë me të gjitha mjetet e mundshme, pa e kursyer as jetën në mbrojtje të tokave dhe të popullit shqiptar, duke i dalë në mbrojtje vëllai vëllait, fqinji fqinjit, fshati fshatit…

Një grup prej 13 xhandarësh serbë, pak ditë pasi që ishte dhënë “besa e burrave”, në kullën e Ahmet Delisë, kishin mësyrë Prekazin, duke terrorizuar dhe plaçkitur dy-tri shtëpi në Prekaz. Lajmi kishte shkuar tek Ahmet Delia, i cili lëshoi zërin e mobilizimit, por ai nuk priti as sa të mblidheshin trimat! I vendosur dhe pa humbur kohë, mori sëpatën dhe i lëshoi zë të birit, Murselit, që të shkonin në mbrojtje të fqinjit të tyre, Halilit!

Ahmeti me të birin Murselin, i marrin sëpatat shpejt e shpejt dhe pa hezituar i shkojnë ne ndihmë fqinjit të tyre. Në derë të oborrit, takohen në rojën serbe dhe aty fillon beteja në mes pushkës se çetnikëve dhe sëpatës se Ahmet Delisë, e cila doli fitimtare duke e lënë në vend rojën serbe.

Në brendësi të oborrit, Murseli ia nxjerr pushkën një serbi dhe fillon të godasë, me ç’rast vret disa xhandarë. Ahmet Delia mësyn kullën, Në të hyrë të saj, në shkallë ndeshet me një tjetër

xhandar dhe e godet me sëpatë. Përleshja ishte e ashpër. Ndërkohë Ahmeti plagoset rëndë, kurse trimat e tjerë të Prekazit, si Ramë Islami, Xheladini, Jetullahu, Hajredini e shumë trima të tjerë të pushkës, kishin rrethuar vendin.

Në këtë qëndresë heroike të burrave që kishin lidhur besën për ta mbrojtur atdheun, ra në altarin e lirisë, Ahmet Delia, kurse nga ekspedita e xhandarëve, 12 mbetën të vrarë, shpëtoi vetëm Jovani.

Organizimi luftarak për çlirimin e atdheut në Drenicë, nuk u shua asnjëherë. Përpjekjet për çlirim vazhduan nën udhëheqjen e trimit të shquar Shaqir Smaka, ndërkaq pas rënies së tij, Lëvizjes i priu Azem dhe Shotë Galica. Gjatë tërë kohës së rezistencës për çlirim kombëtar, Murseli, i biri i Ahmet Delisë, ishte ndër luftëtarët më të shquar në çetën e Azem Bejtë Galicës dhe njeriu më i afërt i tij.

Murseli nuk e hoq për asnjë çast pushkën nga krahu. Ai vdiq në vitin 1930, në rrethana misterioze në një spital të Shkupit. I vetmi trashëgimtar i Murselit, nga gjinia mashkullore, mbeti i biri i tij, Zeneli, i cili nuk jeton më. E tërë veprimtaria e Ahmet Delisë ishte në shërbim të organizimit të rezistencës për çlirimin e atdheut.

BETIMI I AZEM GALICËS

Në pranverën e vitit 1915, Azemi vendosi ta formojë çetën e vet luftarake. Bashkë me dy vëllezërit dhe disa trima nga fshatrat përreth që u grumbulluan në Galicë, nën hijen e Qarrit qindravjeçar (Lisi i varreve), e shtruan sofrën dhe u ulën rreth saj. Nëna Sherife ua solli flamurin kombëtar, që e kishte ruajtur në fundin e arkës dhe pasi e shpalosi, e shtroi mbi sofër. Trimat me dorën e majtë në zemër e me të djathtën mbi flamur njëzëri u betuan: “Betohemi në këtë flamur të shenjt se sa të jemi gjallë do të luftojmë për lirinë e këtyre trojeve. Betohemi dhe bëjmë be se për Kosovë japi jetën sikurse me le”.

Kjo çetë, e cila më vonë do të bëhet “Nëna e çetave të Kosovës”, menjëherë filloi aksionet e veta luftarake. Kështu nisën edhe ditët e frikshme për xhandarët e postave në Drenicë dhe për spiunët. Gjatë trembëdhjetë vjetëve, sa ekzistoi kjo çetë, arriti t’i zhvillojë mbi shtatëdhjetë beteja të suksesshme e fitimtare.

KOMANDANT SHABAN PALLUZHA

Komandanti Suprem i FBLÇBK-së, Shaban Palluzha, në fillimin e Luftës së Drenicës më 1945, ishte shprehur: “Dominimi i komunizmit në Shqipëri, koalicioni me sllavët si dhe rreshtimi në krahun e Lindjes, në fakt, është njëri prej fataliteteve që shënoi dëmet më të mëdha në historinë e re kombëtare”. Për karakteristikat e Luftës së Drenicës, në vitin 1945, mjetet amerikane të informimit ishin shprehur qartë: “Drenica heroike, nën udhëheqjen e trimave të saj, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica, i shpallën luftë ushtrisë jugosllave dhe ideologjisë komuniste, sikurse Pashallëku i Janinës, nën udhëheqjen e Ali Pashë Tepelenës që i shpalli luftë Perandorisë turke”.

TRIMI QË LA TË VRARË 13 MAJIN E PUSHTUESIT SERB

Burri i Dheut – trim i paepur, paraardhës i sakrificës ademjashariane për atdheun, Tahir Nebih Meha u lind, më 10 tetor 1943, në Prekaz të Drenicës, Panteon i dëshmuar i shqiptarizmës. I ndjekur nga i ati, 71 vjeç, Nebihu, Kullën stërgjyshore e ktheu në varr të hapur për pushtuesin jugosllav të tokave shqiptare, më 13 maj 1981. Gjyshi i Tahirit, Emin Lati ishte pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare Kaçake të Kosovës, bashkëluftëtar i Azem Bejtës. Ishte Burrë i vendit e i kuvendit, symprehti i Çetës. Pas vrasjes së Azem Bejtës, më 14 qershor 1924, Emini e ruajti pushkën e Azemit me admirim e me krenari dhe, më 1941, ia dorëzoi të birit, Nebihut, që ky ta nderonte shqiptarinë në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës në Sanxhak, pjesë historike e Shqipërisë. Pushka e Azem Bejtës në dorën e Nebihut shkëlqeu edhe në Luftën e Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Palluzhës dhe në Luftën e Tahir Mehës.

OSMAN GECI (1943-1998)

Osman Geci, i lindur në Llaushë të Skenderajt, ishte biri i Shaban Gecit, daja i Komandantit Legjendar Adem Jashari. Osmani i qëndroi besnik luftës për liri e bashkim kombëtar, si dhe nipave të vet, që nga dita kur Rifati, Hamza dhe Ademi ia kthyen pushkën pushtuesit serb. Dajë Osmani kishte qëndrim burrëror dhe i vendosur në qëndrimet e veta me dukje prej mashkullores. Ishte njohës i shkëlqyer i historisë së popullit shqiptar dhe i luftërave kaçake.

Që nga viti 1981, Dajë Osmani, kudo që ndodhej, nëpër oda, tubime e manifestime ishte ligjërues dhe këshilldhënës se si duhet bërë luftën kundër pushtuesit serb, në fakt ishte kënaqësi ta dëgjoje tek fliste për historinë e lavdishme të shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë. Për luftën e trimave që kishin luftuar e po luftonin kundër okupatorit serb dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Meqë, pushtuesi serb i kishte rënë në gjurmë, Dajë Osmani që i detyruar t’ia vërë armën krahut dhe t’iu ngjitet maleve të Drenicës bashkë me nipat e tij.

Ky burrë Drenice, shumicën e kohës e kaloi në Prekaz, te nipat e tij, duke u bërë pjesë e pandarë e grupit të parë të armatosur të Adem Jasharit.

Një natë para Epopesë së Lavdishme të UÇK-së, më 5 mars 1998, Dajë Osmani së bashku me nipin e tij Ademin, u nisën prej fshatit Ticë për në Kullën e Qëndresës në Prekaz. Aty, së bashku me dhëndrin e tij, Shabanin, me nipat Hamëz e Adem Jashari dhe anëtarët e tjerë të Familjes Jashari, për tri ditë rresht luftuan kundër makinerisë policore e ushtarake serbe dhe ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë.

ADEM JASHARI (1955-1998)

Më 28 nëntor 1955, Shaban Jasharit, krahas Festës së Flamurit, që e festonte për çdo vit, iu shtua edhe një festë tjetër, Datëlindja e djalit të cilin e pagëzoi me emrin Adem. Ishte e natyrshme që djepin e të porsalindurit ta mbulojë me flamurin e Skënderbeut. Kështu ndodhi atë ditë në familjen Jashari, në Prekazin e Ahmet Delisë. Familjes se Shaban Jasharit iu shtua edhe një pushkë, në Drenicë jehuan krismat e pushkëve për flamur dhe ushtarin e porsalindur të lirisë së Kosovës.

Atë ditë, Flamuri – Lindja – Krisma e jehona ishin lavdi për Prekazin, Drenicën, Kosovën e krejt shqiptarinë. Adem Jashari erdhi në këtë botë me të vetmin ndryshim nga gjithë moshatarët e tij, sepse ky u lind në ditën e fitoreve më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit. Shabani ishte i kujdesshëm me të gjithë fëmijët, por ndaj Ademit tregonte një kujdes të veçantë,

ndoshta pse i kujtohej dita e lindjes, i kujtoheshin krismat e pushkës dhe jehonat e përsëritura të atyre krismave në 28 Nëntorin e vitit 1955.

Kështu po rritej Ademi së bashku me vëllezërit e tij, Rifatin dhe Hamzën. Ai kishte një interesim të veçantë për armët, për bëmat e trimave gjatë historisë, e sidomos i interesonte akti burrëror i Ahmet Delisë. Sëpata e Ahmet Delisë, ajo që bandës çetnike ia ndau kokat më dysh, ishte bërë legjendë, legjendë e historisë në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit kombëtar. Akti i flijimit të Ahmet Delisë ishte edhe një mësim shtesë për të dëshmuar veprën heroike të bashkëvendësve

që kishin filluar prej kohësh duke kundërshtuar me armë bandat çetnike serbe. Kështu, këtë mesazh më së miri e kuptoi Adem Jashari, i cili që në moshën rinore u angazhua në veprimtarinë patriotike ilegale, duke marrë pjesë aktive në demonstratat e pranverës së vitit 1981. Menjëherë pas kësaj, një ngjarje tjetër që i dha të kuptojë Adem Jasharit dhe familjes së tij se pushteti serb nuk duhet lejuar që të zgjasë sundimin e tij, ishte edhe rezistenca e Tahir e Nebih Mehës kundër forcave ushtarake policore jugosllave. Ky akt i flijimit për atdhe, i Tahir e Nebih Mehës, la mbresa të thella në shpirtin dhe vendosmërinë e Shaban, Adem dhe Hamëz Jasharit, të cilët në ceremoninë e varrimit të këtyre dëshmorëve, u betuan para trupit të Tahir Mehës se, “Luftën që nise ti, do ta vazhdojmë ne, deri në pikën e fundit të gjakut”.

Përcaktimi për t’u flijuar për atdhe ishte akti më sublim i Adem Jasharit dhe familjes së tij. Kjo dëshmon se cili ishte orientimi i tij në kërkim të shtigjeve të lirisë dhe se si duhet bërë përpjekje dhe sakrificë për ta çliruar vendin nga dhuna dhe terrori i pushtetit serb. Demonstratat e vitit 1981, ngjarjet e Pranverës së madhe studentore, të cilat u shndërruan në lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajtën të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim magjik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqën politikisht dhe ushtarakisht

Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së.

 

Kontrolloni gjithashtu

Shote Galica

Mehmet Bislimi: Shotë Galica – Qerime Halili (1895 – 1927)

Femra shqiptare në vazhdimësi është përballur me vrazhdësitë dhe ashpërsitë e jetës, mbi të rëndoi …