Brickos

Dilaver Goxhaj: Labëria kthehet në shtratin e vet, reportazh nga Saranda

Ndonëse për Luftën e Lëkursit të vitit 1878 është shkruar e është folur shumë herë, por për akademitë përkujtimore të saj ndoshta nuk është folur ose është folur shumë pak.

Sikundër dihet, ajo luftë ka filluar në 27 Shkurt të vitit 1878 dhe ka përfunduar në 14 Mars (sipas kalendarit të vjetër 12 – 27 shkurt 1878), qëllimi i së cilës ishte të mos lejonte forcat e qeverisë së atëhershme greke që të fuste breda kufijve të saj, krahinat jugore të Shqipërisë, para se të zhvillohej Kongresi famëkeq i Berlinit, për t’i ligjëruar më vonë në atë Kongres.

Për arsye objektive, midis të tjerave edhe për shkak të kushteve meteorologjike, përkujtimi i 135 vjetorit të asaj beteje u la të zhvillohej në 24 Mars 2013. Sikundër dihet ajo luftë u zhvillua nga banorët e fshatrave të  populluara me labë, prej Himare, Kurvelesh, Kardhiq e Rëzomë si dhe nga qytetarë të Gjirokastrës dhe Delvinës. Të gjithë pjesëmarrësit në atë luftë  ishin fshatarë dhe qytetarë të thjeshtë, kryesisht barinj, të cilët dimëronin bagëtitë në fushën e Delvinës. Tradita e popullit tonë, ndryshe nga popujt e tjerë fqinjë, është që të përkujtojë me nderime të gjithë luftimet dhe betejat luftarake që kanë përfunduar me fitore. E tillë është edhe Lufta e Lëkursit. Lufta bëhej për të mbrojtur dhe mbajtur me çdo kusht Qafën e Gjashtës, si pika më strategjike për mbrojtjen e Sarandës dhe tërë fushën e Vurgut e atë të Delvinës dhe për ta hedhur armikun në det. Në një nga lartësitë më dominuese të kësaj qafe ndodhet Kalaja e Lëkursit, prej së cilës ka marrë edhe emrin: Lufta e Lëkursit.

Forcat greke patën planifikuar që lartësitë sunduese të Gjirit të Sarandës t’i merrnin shpejt, përmes zbarkimit nga deti, në një front të gjerë prej Ksamilit deri në Sarandë, duke shfrytëzuar mos ekzistencën e forcave ushtarake turko-shqiptare në këtë rajon, duke menduar se nga barinjtë e thjeshtë labë nuk do të kish ndonjë farë pengese. Këtë bindje, greku e pat krijuar nga të dhënat e marra prej misionarëve dhe renegatëve shqiptarë në shërbim të saj. Mirëpo, doli se hesapet ishin bërë pa hanxhinë, pa popullin e thjeshtë të  Labërisë, të cilët e hodhën në det ushtrinë greke me forca gati sa një divizion i sotëm.

Për ta përkujtuar këtë fitore historike me shumë rendësi për fatet e Shqipërisë, Dega e Shoqatës “Labëria” për Sarandën, e kryesuar nga Hariz Mema, i pat filluar përgatitjet gati dy muaj më parë, të cilat u konkretizuan me një përpikmëri perfekte nga shumica e popullit të qytetit të Sarandës si dhe të fshatrave rreth saj.

Në mbrëmjen e datës 23 Mars 2013 Kryesia e Degës së Shoqatës thirri dhe u kujtoi detyrat të gjithë organizatorëve. Në orën 10.00 të datës 24 Mars 2013 nga dy skajet anësorë të qytetit të Sarandës, ai perëndimor, (lagja “Baba Rexhepi”) dhe ai Verior, (“Lugu i Dardhës”), u nisën kolonat me nga 50-70 makina të vogla, plot me qytetarë, të zbukuruara me flamurë nga të dyja anët (me Flamurin Kombëtar dhe atë të Shoqatës “Labëria”), të cilat bashkohen në qendër të qytetit të Sarandës. Prej andej u nisën në njëshkolonë drejt Qafës së Gjashtës, nën tingujt e Himnit Kombëtar dhe duartrokitjet e qytetarëve të Sarandës, të cilët kishin mbushur trotuaret e asaj rruge. E gjithë kolona përfundoi në Kalanë e Lëkursit, e cila ishte zbukuruar tamam si për një ditë të tillë feste. Mjediset rreth Kalasë së Lëkursit qenë përshtatur për parkim për qindra makina dhe të autobusë të ardhur nga fshatrat. Përveç rrugëve të qytetit kuqonte nga flamurët e gjithë kodra si dhe bedenat e Kalasë shekullore. Hapësirat brenda mureve të Kalasë atë ditë marsi gjithë diell, nuk mjaftonin të nxinin gjithë popullin e ardhur për festë; si rrjedhojë, një pjesë festonte jashtë mureve të saj.

Nderoheshin luftëtarët e Luftës së Lëkursit dhe 97 dëshmorët e asaj lufte 16 ditore. Që të gjithë fshatarë të thjeshtë, barinj. Vetëm nga fshati Zhulat i krahinës së Kardhiqit patën rënë 46 dëshmorë, me në krye udhëheqësin e asaj beteje, Idriz Alidhima.

Në ora 11.00 pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, kryetari Shoqatës “Labëria” për Sarandën, Hariz Mëma falënderon të gjithë pjesëmarrësit në atë ceremoni si dhe  personalitete të ardhur nga Tirana, Tepelena, Ksamili, komunat e fshatrave të rrethit të Sarandës si dhe Nënprefekti Gjergji Mano.

Çelja e festës u bë nga grupi folklorik lab i qytetit të Sarandës “Zëri i Bilbilit”, dhe menjëherë iu dha fjala historianit të mirënjohur Pëllumb Xhufi, i cili trajtoi përmbledhtas historinë e asaj lufte dhe rezultat e saj. Pas fjalës së historianit, nderi i takonte grupit folklorik të fshatit martir të asaj lufte heroike, Grupi i fshatit Zhulat, me këngën vaj: “… Të xhumanë që me natë / Vjen një ulërim’ e thatë / Thanë u vranë Zhulatë / Dyzet’ e gjashtë mandantë..”. Ai grup u pasua nga recitimi i poemës epike “Lufta e Lëkursit”, me 500 vargje, e recituar nga dueti i dy të rinjve gjimnazistë të qytetit të Sarandës, recitim i cili u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e të pranishmëve. Një recitim brilant.

Dhe, që të mos binte niveli aq i lartë i asaj atmosfere elektrizuese, pas atij recitimi, prezantuesja e atij aktiviteti, znj. K. Brinja solli në skenë grupin folklorik lab “Kaonët” i Delvinës, i cili u pasua më pas nga Grupi i këngëtarëve golemas të Gjirokstrës, të shoqëruar prej kryetarit të shoqatës atdhetare kulturore “Bilal Golemi”, pedagogu Universitetit “E. Çabej”, Robert Isufaj dhe shumë labë të tjerë prej Gjirokastre. Dhe pas tyre doli grupi i të rinjve të po atij fshati, por qytetarë të Sarandës, të cilët u pasuan nga grupi lab i qytetit të Sarandës.  Dhe këtë atmosferë e ndezën edhe më tepër vargjet e poemës “Labëria” të Arben Dukës, të recituar nga vet konferencierja, Brinja. Të pranishmit u ngritën në këmbë me brohoritje, nën pushtetin e tekstit të poemës por edhe të timbrit të recitueses. Dhe pa u ulur ende ata që ishin në platenë e Kalasë, në skenë doli grupi brilant lab, i kryesuar nga Goliku i famshëm i Bënçës së Tepelenës dhe e pa arritshmja Katina e Himarës, me këngën “O flamur i kuq me shkabë”. Nuk ngeli pjesëmarrës pa u përlotur nga interpretimi i pakrahasueshëm i këngëve të këtyre dy korifejve të këngës labe.

Për ta qetësuar disi publikun nga ato emocione, del në skenë pedagogu i Universitetit “Eqerem Çabej”, Shyqo Hysi, i cili i prezanton publikut librin “Komandanti i pararojës’, të autorit Dilave goxhai, i cili evokon luftën dhe trimërinë e partizanëve labë për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë, libër, i cili ishte prezent në panairin e organizuar me atë rast në një nga mjediset e asaj kalaje. Dhe është po ky pedagog, marrës i këngës me grupin lab “Çipini”, me këngën “Jeta jonë është bashkimi” kombëtar. Pasi ky grup përfundon këtë këngë, në skenë del përsëri kryetari i Shoqatës, Hariz Mema, i cili në emër të Forumit SHK “Labëria” i jep autorit të atij libri “Mirënjohjen e Labërisë” me motivacionin “Për kontribut të shquar në çlirimin e trojeve shqiptare, dhe në promovimin dhe zhvillimin e vlerave të Labërisë”. Pas saj ju dha Mirënjohje Balil Muhos, dërsaBirbil Resuli u shpall anëtar Nderi. Për dorëzimin e këtyre titujve, z. Hariz ftoi zotërinjtë Sabit Brokaj dhe Daut Gumeni. Pasi festën e përshëndeti Kryetari i Shoqatës Qendrore “Labëria”, Pr.Dr. Ago Nesho, koncerti u mbyll me këngët e kënduara nga Goliku dhe Katina.

Pas atij aktiviteti, i cili zgjati më shumë se dy orë, për nder të të ftuarve u shtrua një drekë. Por edhe dreka u shndërrua në një festë më vete. Nuk pushoi përsëri kënga labe, ku “replikonin” grupi i Golikut e i Katinës me grupin e kryesuar nga Tomor Leli dhe grupi i Golëmit, i kryesuar nga Xhelo Mëhilli. Cilitdo nga të pranishmit që ka parë opera, i dukej se shihte një shfaqje operistike.

Gjithçka u filmua dhe u tansmetua direkt nga TV lokal dhe radioja lokale “Saranda”, e cila u ritrasmetua edhe në orët e mbrëmjes. Gjithçka u përballua nga organizatorët e Degës “Labëria” për Sarandën. Ai organizim është për t’u marrë si model për festat e ardhshme.

Sarandë, 24.03.2013



Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …