leoni

Dinko Gruhonjiq: Dronët e netëve të kristalta

Nëse merrni një gurë dhe godisni furrën e dikujt, vetëm se pronari i saj është shqiptar, Prokuroria serbe do t’ju akuzojë për veprën penale “të prishjes së pronës private” dhe jo për “nxitjen e urrejtjes etnike, fetare, raciste”, vepër kjo që “shpërblehet” me më shumë vite burg. Në fund të fundit, a është e logjikshme që herë pas here t’ia thyejmë komshiut tonë shqiptar furrën, ëmbëltoren, apo edhe kokën? Kjo është pasojë e natyrshme e qeverisë “huligane” të Serbisë, siç e quajti me të drejtë Teofil Pançiqi. Pse huligane? Sepse në krye të Qeverisë është këmbë e kokë një huligan, i njohur me emrin Aleksandër Vuçiq, apo Huligani Kryesor, siç e quanin në kohën kur ishte huligan i skuadrës së Cërvena Zvezdës.


Vuçiqi edhe sot mburret me këtë. Kështu, personalisht nga ai, kemi dëgjuar se ka marrë pjesë edhe në ndeshjen historike Dinamo-Zvezda, në Maksimir, në maj të vitit 1990. Pas ndeshjes u shkrua një libër mbi pafytyrësinë mediatike të asaj kohe. Titullin e kishte: “Lufta filloi në Maksimir”.


 


Pas ndeshjes së ndërprerë Serbi-Shqipëri, po shkruhet edhe libri me titullin punues “Lufta filloi në Stadiumi i Beogradit”. Është një antologji e pandershmërisë mediatike, ndonëse kjo luftë (së paku për momentin) ka përmasa të kufizuara, nga ku “aktorët e panjohur” me shkumë të tërbuar në gojë, vëzhgojnë “vetëm ato pak” furra që kanë mbijetuar në Vojvodinë, pronarët e të cilave janë shqiptarë. Herë-herë edhe gabojnë dhe thyejnë edhe furrën e ndonjë turku. Herë-here kalojnë edhe më tej, saqë shkatërrojnë edhe ndonjë furrë apo pastiçeri serbe.


Gjithçka filloi në momentin kur një fluturake e vogël pa pilot, diku në minutën e 40-të të ndeshjes, hyri në stadiumin e Beogradit, duke tërhequr me vete flamurin e njëfarë “Shqipërie të Madhe”. Kjo solli edhe “arsimimin” e papritur teknik të popullsisë së Serbisë. Tani, të gjithë e dinë se kjo fluturake quhet dron. Kjo lodër e “dreqit” që, siç thuhet, u ngrit nga kisha e afërt dhe shkatërroi atmosferën, që deri në atë moment ishte “idilike”, në stadium. Kujtojmë se himnin shqiptar nuk mundëm ta dëgjojmë nga fishkëllimet e “publikut” vendor, gjithmonë “objektiv” dhe “mikpritës”! Kur filloi ndeshja, nisi edhe folklori i zakonshëm: “Vare, vare, vare shqiptarin”; “Kush nuk kërcen është shqiptar” dhe deri te klimaksi në formën e klithjeve të egërsirave: “Vritini, që shqiptarët të mos ekzistojnë”.


 


Për këngë të tilla, këtu për një kohë të gjatë nuk përgjigjet askush, si dhe as për “uratën” e njohur kriminale: “Thika, tela, Srebrenica”. Se çfarë ndodhi më pas në stadium, atë e pamë të gjithë.


Mediat transmetuan, por edhe shtuan me kreativitetin dhe stilin e kohës së Millosheviqit. Në fakt, ishte ky urdhri që nisi shkatërrimin e pronave të shqiptarëve. Dhe mesazhi u kuptua drejt. Dhe, për çudi, fillimisht nëpër të gjithë Vojvodinën. Gojët e “liga” thonë se kjo nuk ishte e rastit, dhe u bë në mënyrë që të tensionohet edhe më tepër krahina multietnike e Vojvodinës. Disa pronarë kërkuan si preventivë mbrojtjen e policisë. Nuk ua dhanë. Të nesërmen objektet u thyen. Pastaj policia një natë “e shtoi prezencën” në Novi Sad. Atë natë asgjë nuk u shkatërrua. Mirëpo, policia u lodh.


 


Fashistët vepruan sërish. Pastaj policia u zgjua përsëri dhe kështu me radhë. Një pafundësi e dobët, e parë aq herë deri më tani. E keqja banale vjen me aktorë të miturit, si qentë të lëshuar nga zinxhirët. Edhe ata e duan luftën e vet, që mos t’ua kenë zili prindërve. Kur gjithçka doli jashtë kontrollit, huliganët-politikanë në pushtet filluan të jepnin deklarata “paqësore” dhe të ftonin në zbutjen e “epsheve”. Mirëpo, nga ana tjetër nuk e ndalën çorbën antishqiptare. Kështu, vizita e Ramës u shty dhe me gjithë këtë, vëllanë e tij e akuzuan si pilotin e dronit.


 


Pyes veten: çfarë do të thoshin huliganët nëse do ta dinin se Rama është shqiptar ortodoks dhe se në qendër të Tiranës është ndërtuar kisha ortodokse më e madhe dhe më moderne në Ballkan? Si do të reagonin këta trutharë të pajisur me gurë, penë apo mikrofona?!


 


A mund të parandalohej e gjithë kjo? Natyrisht që po! Mjafton të kujtojmë organizimin e Paradës së Krenarisë (Paradës e Homoseksualëve). Huligani Kryesor, Aleksandër Vuçiq, iu lut huliganëve të tjerë që të qëndronin në shtëpi ditën e paradës. Pse kësaj radhe nuk ua bëri të njëjtën lutje?! Dronët njerëzorë, këto zgjatime të së keqes, presin me padurim shtytjen magjike drejt fluturimit, i cili do t’u lejojë në mënyrë “legjitime” që të kthehen në grushte dhe të rrahin gjithçka dhe gjithkënd që i përngjan tjetrit apo asaj që është “ndryshe”. Nëse nuk u lejohet kjo, shfryrja e tyre derdhet mbi atë, Huliganin Kryesor, pavarësisht nga “tranfromimi i tij evropian”.


Nuk është problemi te droni-flamur, por te dronët-njerëz. Këtë e di shumë mirë Huligani Kryesor. I madh është potenciali i tyre shkatërrues, aq sa ata janë futur thellë në themelet e kësaj shoqërie postgjenocidale. Njerëzve normalë, ndonëse në pakicë, nuk u mbetet gjë tjetër vetëm se të vetorganizohen dhe të tregojnë se ekzistojnë. Të gjithë ata qytetarë të ndrydhur dhe të hutuar, që fshihen në banesat e tyre, duhet ta kuptojnë se nëse heshtin, do të gllabërohen nga terri dhe frika. Sepse, të gjithëve do të na vijë radha në këtë Serbi, që nuk ka zgjidhje për asgjë, por vetëm potencial të jashtëzakonshëm për dhunë dhe dëbim.


 


(Autori është gazetar dhe publicist nga Vojvodina. Përktheu: Nikollë Berishaj. Gazeta Shekulli)

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …