Dje, në ambientet e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Drenas, u zhvillua një ceremoni me peshë simbolike, ku u ndanë Tri Mirënjohje

Dje, në ambientet e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Drenas, u zhvillua një ceremoni me peshë simbolike dhe emocionale, ku u ndanë Tri Mirënjohje për kontribute të veçanta në shërbim të çështjes kombëtare, kujtesës historike dhe ruajtjes së vlerave të luftës çlirimtare.

Në një atmosferë respekti dhe nderimi, kryetari i OVL-UÇK-së dega në Drenas, Enver Hajdari, fillimisht ndau Mirënjohjen për profesor Ahmet Qeriqin, drejtorin e Radio Kosova e Lirë. Ky vlerësim u dha me motivacion për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare, si dhe për vetëmohimin e treguar në periudhën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Figura e profesor Ahmet Qeriqit u përmend si një zë i pandalur i së vërtetës dhe si një dëshmitar i rëndësishëm i historisë së luftës.

Mirënjohja e dytë iu kushtua vetë Radios Kosova e Lirë, e cila u vlerësua për kontributin e saj të veçantë në nderimin dhe përjetësimin e veprës së dëshmorëve të UÇK-së, si dhe për rolin e saj në ruajtjen dhe transmetimin e vlerave historike e patriotike. Mirënjohjen e ndau kryetari i ShIL së UÇK-së, Fatmir Kiqina, duke theksuar rëndësinë e kësaj radioje si një institucion i kujtesës dhe rezistencës shpirtërore.

Moment i veçantë i ceremonisë ishte edhe ndarja e Mirënjohjes së tretë për Arbana Qeriqin, e cila u vlerësua për kontributin e saj në frymëzimin e brezave të rinj dhe për ruajtjen e lidhjes emocionale me trashëgiminë e luftës dhe sakrificës. Në përmbyllje, ceremonia u karakterizua nga ndjenja të forta mirënjohjeje dhe respekti. Të pranishëm ishin edhe ushtarë të UCK-së, me çka edhe u madhështua kjo ceremoni.

Kontrolloni gjithashtu

Majlinda Dhuka i përgjigjet Serbisë për Ibrin: “Lumi rrjedh përpara, po ashtu edhe historia”

Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja e Shqipërisë për negociatat me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, i …