leoni

Doli në dritë libri: “Feniks në Kalvar” i autorit, Martin Çuni

Doli në dritë libri: “Feniks në Kalvar” i autorit, Martin Çuni

Ditë më parë doli nga shtypi libri më i ri i shkrimtarit dhe publicistit, Martin Çuni, i cili përmban reportazhe, biseda dhe intervista të epokës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Libri ka 330 faqe, shtypi “Shkrola” në Prishtinë.

Libri dokumentar “Feniks në kalvar”, i autorit Martin Çuni, është një vepër tjetër me shumë interes që i ofrohet lexuesit shqiptar, pas veprës “Jehonë lufte” të autorit Nezir Myrtaj, nga trashëgimia e arkivuar e Radios-Kosova e Lirë.

Në këtë vepër voluminoze, autori ka përmbledhur shumicën e reportazheve, të bisedave dhe të intervistave, që i ka realizuar në frontet e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej fillimit të janarit të vitit 1999, ku edhe ka filluar transmetimin Radio-Kosova e Lirë, e deri më 21 qershor të po atij viti, si dhe disa intervista pas lufte, kur nga Kosova u dëbua përfundimisht antihistoria, Sodoma e quajtur Serbi. Martin Çuni është emër i njohur për shqiptarët liridashës në Kosovë e më gjerë.

Me rastin e shpërthimit të revoltës studentore të Marsit dhe të Prillit të vitit 1981, autori i këtij libri, asokohe gazetar i Radio-Prishtinës, përveç se mbante lidhje me ilegalen patriotike, shprehu legalisht edhe qëndrimin e tij intelektual dhe kombëtar në përkrahje të kërkesave të drejta të studentëve. Letra e tij programatike, drejtuar mjeteve të informimit në Beograd, ngjalli shqetësime te instancat më të larta zyrtare të kohës.

Në mars të vitit 1982, arrestohet, ndërsa në shkurt të vitit 1983 dënohet tetë vjet burg, për shkak se mbrojti me konsekuencë kërkesën e drejtë dhe plebishitare të rinisë shqiptare, për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, gjatë burgut, u dënua edhe një herë, një vit burg.

Pas lirimit nga burgu, më 1990, ashtu sikurse edhe shumë të burgosur të tjerë politikë, në pamundësi për të gjetur punë dhe për të siguruar ekzistencë për familjen, Martin Çuni emigroi fillimisht në Shqipëri e pastaj në Gjermani. Në vitin 1992, ishte reporter i Radio-Zagrebit, seksioni në gjuhën shqipe. Asokohe për Radio-Zagrebin ka raportuar për zhvillimet aktuale në Shqipëri. Me intensifikimin e luftës çlirimtare në Kosovë, në vjeshtën e vonë të vitit 1998, Martin Çunin e gjejmë në vijat e frontit, në Likoc të Drenicës, i armatosur dhe me uniformën e ushtarit të UÇK-së, me kamerë digjitale dhe me një diktafon, të cilin e kishte sjellë për të raportuar për DW, nga zonat e luftës, me emrin luftarak, “Antoni”.

Në nëntor të po atij viti, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Martini i bashkohet stafit të gazetarëve, të cilët po i bënin përgatitjet e fundit për të aktivizuar dy institucionet informative të luftës: Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencinë e lajmeve Kosovapress.

Libri “Feniks në kalvar”, përbëhet nga shënimet, reportazhet, bisedat, intervistat, të cilat autori, reporter dhe ushtar i UÇK-së, i ka zhvilluar në istikamet e luftës çlirimtare, në mesin e ushtarëve dhe të eprorëve, në kohë armëpushimi apo edhe gjatë zhvillimit të luftimeve. Ai po ashtu ka regjistruar edhe shumë biseda në mesin e popullatës së zhvendosur, të cilën regjimi gjakatar i Milosheviqit e kishte katandisur në një golgotë të vërtetë të shfarosjes. Këmbëngulja e tij e veçantë, për t´i paraqitur sa më denjësisht zhvillimet në terren, për ta njoftuar opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, për luftën e cila po zhvillohej në Kosovë, bën që Martin Çuni, prej fillimit të transmetimit të Radios Kosova e Lirë, të depërtojë nga një zonë në zonën tjetër të luftimeve, prej Rrafshnaltës së Drenicës, në Anadrin, prej Llapushës në Drenicë e prej andej në Zonën Operative të Shalës, duke bërë intervista e biseda me ushtarë dhe eprorë të UÇK-së, të cilat më pas transmetoheshin nga Radio-Kosova e Lirë dhe nga agjencia Kosovapress.

Aktiviteti i tij si reporter i luftës dhe luftëtar i lirisë, ka sfiduar pothuajse të gjithë gazetarët, që për luftën në Kosovë, raportonin nga zyrat e tyre në Prishtinë, apo edhe në Tiranë. Puna e tij vetëmohuese për të depërtuar në ballin e luftës, te ushtari që i mbronte pozicionet vetëm 200 metra përballë armikut, apo te eprori i cili i ristrukturonte forcat sipas situatës në terren, për t’i pasqyruar sa më besnikërisht ngjarjet në front, i dha impulse shtesë luftës çlirimtare.

Ishin mjaft ushtarë tanë asokohe, të cilët përveç kallashit e mitralozit, e mbanin afër edhe tranzistorin, për të dëgjuar Radion-Kosova e Lirë dhe për të mësuar për së afërmi, zhvillimet në terren. Puna vetëmohuese e Martin Çunit, ashtu sikurse e të gjithë gazetarëve dhe e reporterëve të Radios- Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapress, është një kapitull i veçantë i biografisë së tij, të cilën do ta gjejmë gjatë leximit të këtyre perlave dokumentare të gazetarisë sonë të luftës.

Duke lexuar me kujdes këto krijime publicistike, ju do të kuptoni se Martin Çuni ka depërtuar nga një zonë e luftës në zonën tjetër, duke përshkruar mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë sajuar ato biseda, vështirësitë, rruga nën breshërinë e armës së armikut e shpeshherë edhe lufta e drejtpërdrejtë, në front. Për të realizuar një intervistë në zonat e luftës në Shalë, ka rrugëtuar këmbë, jo vetëm disa orë, por me ditë të tëra, në borë e në acar dimri.

Ka rastisur që gjatë intervistës të kenë filluar luftimet dhe reporteri ka shkrehur armën, disa herë, duke mos pasur kohë as aq sa për ta shkyçur diktafonin, sepse në raste të tilla, ai, para së gjithash ishte luftëtar i lirisë.

Në librin “Feniks në kalvar”, janë prezantuar shumë materiale faktografike biseda me ushtarë, intervista me eprorë dhe me ushtarë, biseda në familje të dëshmorëve, biseda me luftëtarë, tani dëshmorë të kombit, reportazhe në mesin e popullatës së zhvendosur…

Të gjitha këto krijime ruajnë në vetvete vlera të shumëfishta dokumentare artistike e mbi të gjitha janë burim i pazëvendësueshëm i faktografisë dhe i informatikës të luftës sonë çlirimtare. Diktafoni i Martin Çunit në frontet e luftës sonë për liri, ka regjistruar zhvillimet autentike në terren. Në kasetat e diktafonit janë ruajtur zëra të çlirimtarëve, zëra luftëtarësh tani dëshmorë lirie, zëra pjesëtarësh të familjeve të dëshmorëve, që më vonë kanë pësuar nga katrahurat e luftës, zëra të nënave e të motrave tona, zëra fëmijësh e nxënësish të luftës. Në celuloidin e kamerës së tij digjitale më shumë se 1000 herë është stopuar koha, për të regjistruar më shumë se 1000 fotografi në të gjitha vend-luftimet në Kosovë.

Libri “Feniks në Kalvar”, është një pasuri tjetër dokumentare artistike e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po del në dritë, për së dyti, 20 vjet  pas mbarimit të luftës. Me botimin e këtij libri vazhdon të pasurohet fondi artistik e dokumentar i publicistikës së luftës të UÇK-së.

Është tejet brengosës fakti se botimin e librave të tillë nuk e merr përsipër asnjë institucion kulturor në Kosovë, nuk e financon asnjë fondacion i njohur vendor apo ndërkombëtar.

Janë vetë autorët e këtyre librave apo donatorë të ndryshëm liridashës, janë ish-luftëtarët e lirisë që me njërën dorë mbanin pushkën e në tjetrën diktafonin, mikrofonin e kamerën, që i dolën përballë bishës fashiste serbe, në momentet më vendimtare të historisë sonë më të re, janë po këta veprimtarë të përkushtuar të lirisë, që nga kursimet e punës së tyre të mundimshme, realizojnë vepra të tilla meritore, vepra të pavdekshme të një epoke heroike.

Ky libër, i autorit Martin Çuni, është dëshmia më autentike, regjistruar në diktafon, gjatë epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky libër, ashtu sikurse edhe disa libra të tjerë që trajtojnë tematikën dokumentare historike e artistike të luftës, i çjerr maskën përfundimisht gazetarisë pacifiste. Ishin reporterët e luftës në Kosovë, ata që jepnin informacione, në të cilat mbështeteshin kalemxhinjtë tanë në Prishtinë, në Tiranë, në Stankovec apo në ndonjë qytet të Evropës, pa i cituar fare burimet e Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapress. (Ahmet Qeriqi)

 

Doli në dritë libri: “Feniks në Kalvar” i autorit, Martin Çuni

Kontrolloni gjithashtu

Adil Fetahu: Tri libra e fundit të profesor, Ahmet Qeriqit, që u botuan në tri vitet e fundit trajtojnë tri tema të ndryshme

Libri i parë- GURI I BETIMIT, është roman, është një kronikë historike-letrare për Luftën e …