DOLI NGA SHTYPI MONOGRAFIA “GAZMEND ZAJMI – NJË JETË PËR KOSOVËN” ME AUTOR NUHI BYTYÇIN

Aspektet të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë arsimore, juridike-kushtetuese, politike, shkencore e kulturore në shërbim të Kosovës janë të përfshira në mënyrë të hollësishme në monografinë me titull “GAZMEND ZAJMI – NJË JETË PËR KOSOVËN”, me autori gazetarin e karrierës, publicistin e dokumentaristin Nuhi Bytyçi.

Kjo monografi është realizuar pas punës më se 3 vjeçare të autorit Nuhi Bytyçi. Në 504 faqe dhe në 23 kapituj të ndarë sipas tematikave dhe ngjarjeve historike, në mënyrë analitike, hulumtuese e shkencore është përfshirë e tërë veprimtaria dhe kontributi i intelektualit të përmasave botërore Akademik Prof. Dr. Gazmend Zajmit. Në libër argumentohet angazhimi i tij si ligjërues-profesor i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, roli dhe kontributi i tij në periudhën kur ai ishte Sekretar i Kuvendit të Kosovës, pikërisht në periudhën kur hartohej Kushtetuta e parë e Kosovës, ajo e vitit 1974. Prezantohet edhe puna e jashtëzakonshme e Gazmend Zajmit në krye të ekipit për themelimin e Universitetit të Prishtinës, kontributi i tij si Prorektor dhe Rektor i Universitetit të Prishtinës nga viti 1974 e deri në vitin 1981, roli i tij në avancimin e bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, si dhe me universitetet e tjera të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Një hapësirë të veçantë në këtë monografi zë edhe qëndrimi i Gazmend Zajmit si rektor i Universitetit të Prishtinës rreth kërkesave të studentëve dhe të popullit shqiptar të Kosovës në demonstratat e njohura të pranverës së vitit 1981 në Prishtinë. Si reagoi rektori Zajmi ndaj dhunës policore mbi studentët shqiptarë, pse nuk pranoi që të paraqitej në Televizion për t’i dënuar demonstratat studentore, pse dha dorëheqja nga pozita e Rektorit dhe si u përjashtua nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe nga procesi edukativo-arsimor në Universitetin e Prishtinës.                                                                                                                                  

Një pjesë e rëndësishme e monografisë i kushtohet angazhimit profesional të Gazmend Zajmit si profesor dhe si ekspert i sistemit politik dhe kushtetues në hartimin e tekstit të Apelit të 115 intelektualëve shqiptarë kundër masave represive dhe terrorit shtetëror serb mbi shqiptarët në Kosovë. Në veçanti në monografi paraqitet roli i Gazmend Zajmit si autor i Deklaratës kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për mëvetësinë e Kosovës, hartuar më 14 qershor 1990, dhe të miratuar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, pastaj përkushtimi i jashtëzakonshëm i Gazmend Zajmit si anëtar i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës me seli në Salzburg të Austrisë dhe pjesëmarrja e tij e vazhdueshme në konferencat dhe simpoziumet shkencore ndërkombëtare me qëllim të argumentimit shkencor të së drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptar të Kosovës për të vendosur vet për të ardhmen e tij në kuadër të shtetit të pavarur e sovran – Republikës së Kosovës.

Në libër paraqitet mendimi politik i akademik Zajmit për të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptar të Kosovës. Këtë të drejtë akademik Zajmi e kishte argumentuar guximshëm publikisht, atëherë kur Kosova ishte nën një regjim të hekurt serb. Ai kishte dalë në mbrojtje të përcaktimit të Konferencës së Bujanit se Kosova pas luftës do të vendosë për fatin e vet politik, duke përfshirë edhe të drejtën e bashkimit me shtetin amë – Shqipërinë. Në këtë monografi prezantohet edhe qëndrimi i Zajmit se vendimi i Kuvendit në Prizren në vitin 1945, ishte vendim i dhunshëm dhe jolegjitim, që Serbia e ka marrë me ndihmën e ushtrisë. Në të njëjtën kohë prezantohet konstatimi i tij se me shkatërrimin e Jugosllavisë në fillim të viteve 90-ta, riaktivizohet plotësisht e drejta e Kosovës për të vetëvendosur dhe anulohet çfarëdo pëlqimi formal dhe i dhunshëm për të hyrë Kosova brenda Serbisë dhe Jugosllavisë. Kjo dokumentohet me argumente juridike-shkencore. 

Një kaptinë e veçantë në libër i kushtohet punës së Akademik Gazmend Zajmit në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, organizimit të simpoziumeve dhe konferencave shkencore me tema me interes kombëtar, bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, të Kroacisë dhe të akademive tjera evropiane. Në monografi flitet se si Gazmend Zajmi, nip i atdhetarit, nënkryetarit të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit – Tahir Zajmit, çfarë lidhje kishte me ilegalen e atëhershme shqiptare.

Monografia “GAZMEND ZAJMI – NJË JETË PËR KOSOVËN” iu ofron lexuesve edhe fjalën ekskluzive të ish-kryetarit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve Felix Unger për Gazmend Zajmin, por edhe si e kanë vlerësuar veprën e Gazmend Zajmit intektualët Fehmi Agani, Esat Stavileci, Arsim Bajrami, Gjyljeta Mushkolaj, Kadri Kryeziu, Ali Aliu, Feriz Krasniqi, Rexhep Ismajli, Ilaz Ramajli, Abdullah Karjagdiu, Yll Zajmi, Ekrem Murtezai, Ismet Salihu, Halil Turku, Osman Kraja, Rexhep Osmani, Riza Demaj, Zenun Çelaj, Salih Maqedonci, Qerim Gashi, Ismet Bogujevci, Nezanin Kuçani – Çeku, Semahate Kuçani-Mashkulli, Ismail Syla, Zeqirja Ballata, Engjëll Berisha dhe intelektualë tjerë.

Po ashtu, pasqyrohet edhe veprimtaria kulturore e Zajmit si udhëheqës i Shoqërisë së parë kulturo-artistike shqiptare “Agimi” të Prizrenit, sidomos si autor i teksteve dhe kompozitor i shumë këngëve, si fitues i shumë çmimeve në festivaleve muzikore dhe i çmimeve tjera më me renome në periudhën kur ai punoi dhe jetoi.

Në monografinë kushtuar jetës dhe veprës së Akademik Gazmend Zajmit për herë të parë boton shumë fotografi e dokumente me vlera historike e shkencore. 

Botimin e kësaj monografie e kanë mbështetur Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe intelektuali, farmacisti dhe filantropi Milaim Abdullahu, i cili është pronar i Kompanisë farmaceutike “SANTEFARM”.

Redaktor i monografisë është Akademik Arsim Bajrami, ndërsa recensentë Akademik Gjyljeta Mushkolaj dhe Prof. Dr. Agim Zogaj. Redaktor gjuhësor është Jonuz Fetahu, ndërsa redaktor teknik Valon Fetahu.

Bie në sy dizajni profesional i Profesorëve të dizajnit Lyra Zajmit dhe Luan Tashit, si dhe shtypi cilësor i Shtypshkronjës “ILRI” të Prishtinës. 

Monografia mund të gjendet në libraritë e Prishtinës dhe të qyteteve kryesore të Kosovës. Lexuesit me blerjen e librit, do ta kenë dhuratë DVD-në e filmit dokumentar GAZMEND ZAJMI – PROJEKTUES I SUBJEKTIVITETIT SHTETËROR TË KOSOVËS.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …