Brickos

Doli nga shtypi përmbledhja poetike, “Vargje të ardhuna në kohë”, e poetit, Mehmet Gashi

Doli nga shtypi përmbledhja poetike, “Vargje të ardhuna në kohë”, e poetit, Mehmet Gashi

Mehmet Gashi përveç poet është edhe hoxhë e fetar i përkushtuar si dhe veprimtar i dalluar.

Ai qysh herët është marrë me aktivitete fetare e kulturore, duke bashkëpunuar me Revistën, “Dituria Islame”.

Qysh në kohën kur ka qenë nxënës në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë, në vitet 60-të të shekullit XX, është arrestuar dhe është torturuar fizikisht nga inspektorët  serbë të UDB-së bashkë me disa medresistë të tjerë. Ka punuar si sekretar në Këshillin e Bashkësisë Islame, në Prishtinë, deri kur është pensionuar në vitin 2008. Ka kryer edhe detyrën e imamit, në vendlindjen e tij, në xhaminë e në fshatit, Mramor.

Ka marrë pjesë dhe ka përkrahur rrjedhat politike e organizative në Kosovë para dhe gjatë luftës. Shtëpia e tij në Mramor ka qenë shtab vendor i pikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë kohës së luftës…

Mehmet Gashi, në vitin 2016 ka botuar përmbledhjen me poezi, sociale, meditative e fetare me titull: “Ta njohim Perëndinë”.

Tani ka botuar përmbledhjen e dytë me poezi, titulluar: “Vargje të ardhuna në kohë”.

Mehmet Gashi, është poet me një botë të pasur të perceptimit të realitetit në të cilin po jetojmë. Poezia e tij është kryesisht sociale, edukative, fetare e meditative, e cila trajton problemet e përditshmërisë, me të cilat po ballafaqohemi, në kohën tonë. Ai është edhe kritik i dukurive negative, të cilat janë mjaft të shprehura në Kosovë, por edhe përgjithësisht ndër shqiptarë.

Poeti dënon ashpër pabarazinë shoqërore në vendin tonë, ku dikush jeton me të gjitha të mirat e dikush mezi ngopë barkun me bukë:

Kanë bërë pasuri sikur të jenë sheikë,

Që më parë nuk e kanë parë as ëndërr,

E populli sikur me jetue në Afrikë,

E disa nuk kanë shtëpi e as bukë me hangër. ( Gjendja në Kosovë)

Brenga kryesore e poetit është ikja e të rinjve nga vendi dhe shpopullimi i Kosovës, pikërisht tani kur kemi fituar lirinë dhe pavarësinë dhe askush nuk po largohet nga represioni serb, por nga kushtet e rënda ekonomike, por edhe duke kërkuar jetë më të mirë në vendet e Evropës e të botës.

Rinia po ikën edhe pa viza,

Puna iu ka ardhë, s kanë qare,

Me skamje nuk rrihet te shtëpia,

Familja ka nevojë për idare. ( Kosova po zbrazet)

Poeti kritikon politikën dhe veçmas propagandën  partiake, ku flitet për sukseset e arritura  dhe ku disa pretendojnë të na bindin se të gjitha punët i kemi kryer, andaj  dhe  i “qojnë selam” edhe legjendarit, Adem Jashari duke i thënë: “Bac u kry!” Por e vërteta sipas poetit është krejt ndryshe. Sepse dikush edhe mund t’ i ketë kryer punën e veta, por ende nuk janë zgjidhur problemet e për më keq disa kanë degraduar, sepse:

Tani shtëpitë e mira janë harrue

Me pasuritë tjera marramendëse

Në Bankat e jashtme mjete kanë deponue

Prej pasurisë së varfër të Kosovës së brendshme. (Bac, u kry!)

Pjesa dërrmuese e poezive të Mehmet Gashit i përkasin realitetit ditor në vend, përditshmërisë me të cilat ballafaqohet çdo qytetar, qoftë si prind, mësues, edukator, politikan, bujk, punëtor, fshatar…

Ai kritikon dhunën nëpër shkolla, premtimet pa mbulesë nëpër fushatat zgjedhore, gënjeshtrat, mashtrimet e zyrtarëve, përplasjet e deputetëve në Kuvend, protestat e dhunshme dhe të pakontrolluara, ndarjes së Veriut të Kosovës, pozitën e keqe të shqiptarëve në Kosovën Lindore e në treva të tjera. Ai kërkon të dëgjohen zërat e Vaso Pashës e të Migjenit për gjendjen e rëndë dhe për mjerimin:

Çohu, Vaso Pashë, si e ke pasë zanat

Vajtoje Kosovën si dikur Shqipërinë

Vajtoje këtë popull të ngratë,

Që dikur të tjerët ia kanë pasur lakminë.

 

Thirre edhe Migjenin të të ndihmojë

Se aia sikur shkruante për mjerimin

Populli shqiptar gjithherë për të mirë ju kujton

Dhe prej jush e ka marrë mësimin   ( Kosova sot – Mjerimi)

Në mesin e poezive të Mehmet Gashit shquhet edhe motivi meditativ. Poeti bën përpjekje për të shpjeguar fenomenet jetësore të qenieve që ka krijuar Zoti në tokë, të cilat reflektojnë edhe mbi jetën e njerëzve, apo të popujve të caktuar . E tillë është poezia “Kukuvajka” e perceptuar përmes fatit të Kosovës shqiptare, të cilën serbët e kishin pushtuar dhe kishin pretenduar ta përvetësojnë përgjithmonë, sepse në truallin tonë kishin çelur vezët e tyre.

Kukuvajka nuk ndërton çerdhe

Vetëm terrenin e përshkon

Pas do kohe që ka bredhë

Në çerdhe të huaja vezët i lëshon. ( Kukuvajka)

Në poezitë e kësaj përmbledhjeje, poeti, Mehmet Gashi i thur vargje, Flamurit kombëtar, Shqipërisë,  Mëmës Shqipëri, Atdheut, luftës së UÇK-së, krimeve serbe, mallkon luftën vëllavrasëse, kritikon veset e liga të njerëzve dhe kërkon mirësi, paqe, mirëkuptim, vëllazëri, harmoni, sepse të gjitha këto virtyte njerëzit mund t i arrijnë me besim e mirëkuptim.

Poeti, në këtë përmbledhje, ka shkruar edhe vjersha me përmbajtje fetare, vargje përkushtuese për Profetin Muhamed, për jetën dhe veprën e tij:

Të falënderojmë o Allah për të mirat që na i ke dhënë,

Na ke dhënë shëndetin dhe diturinë,

Na e dërgove Muhamed Mustafanë

Dritë dhe paqe për tërë njerëzinë   ( Muhamedi A.S.)

Të motivit edukativ fetare janë edhe poezitë: Besimtari, Ramazani, Bajrami, Qabeja e të tjera.

Përveç këtyre motiveve, poeti ka shkruar edhe disa poezi për të afërmit, për prindërit që i kujton me mall dhe u detyrohet për edukatën dhe shembullin që i kanë dhënë, pastaj për nipat e mbesat.

 Krijimtaria poetike e Mehmet Gashit është kuptueshme dhe e pranueshme për të gjithë lexuesit, të të gjitha moshave, sepse ai shkruan lirshëm, bindshëm, pa alegori e ironi, pa e manipuluar fjalën apo motivin. Të tilla janë poezitë që shkruhen me zemër e përkushtim dhe të cilat u dedikohen lexuesve me qëllim për të ndikuar në rrugën e tyre të drejtë, duke u dhënë shembuj të shumtë të edukatës shoqërore e fetare, por jo duke bërë moralizime e anime, të cilat shkaktojnë ndasi, përçarje e dhe dis-harmoni.

I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për misionin si prind, hoxhë dhe njeri, Mehmet Gashi radhitet në mesin e poetëve të angazhuar, në kohën kur poezia në Kosovë e më gjatë ka hapur shtigje drejt jetës përtej problemeve aktuale, dhe përgjithësisht merret me probleme ekzistenciale, transcendente, filozofike dhe motive të globalizmit kulturor.

Shokut tim të Medresesë, Mehmet Gashit i uroj shëndet, jetë të gjatë dhe suksese të më tejme në krijimtari. ( Ahmet Qeriqi, në Medrese, gjatë viteve 1959-1966,  i njohur si, Ahmet Alia)

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …