Doli nga shtypi romani “UNË JAM KRYENGRITËSI” i autorit Shefqet Bylykbashi

Njoftim për të gjithë miqtë e mi, për lexuesit dhe të gjithë dashamirët e letërsisë se, më 16 maj 2024, në Prishtinë:
Doli nga shtypi libri im i tetë: romani “UNË JAM KRYENGRITËSI”
Nën përkujdesjen profesionale të stafit të Shtëpisë Botuese “Jakup Ceraja”, të dy miqve dhe kolegëve të mi, znj. Brikenë Ceraja – Beka dhe z. Alfred Beka si dhe Rrezart Fejzullahu (për ballinën dhe faqosjen) doli nga shtypi libri im i tetë, romani “Unë jam kryengritësi”, i përcjellë me dy recensione nga letrarët, znj. Zyrafete Shala – kritike letrare, dhe nga z. Adil Olluri – shkrimtar, që të dy tashmë emra të njohur për të gjithë lexuesit shqiptarë.
Romanin “Unë jam kryengritësi” ia kam dedikuar stërgjyshit tim, Fetah O.Bylykbashi (1876-1938), i lindur në Baicë të Drenicë, në një familje me prejardhje fisnike.
Fetahu ishte vet kryengritës, pjesëmarrës në Luftën e Carralevës kundër osmanëve. Ishte edhe luftëtar kundër pushtimit serb prej vitit 1912. U arrestua nga serbët, në Shtime, në vitin 1931 dhe u syrgjynos në Turqi. Ka vdekur dhe është varrosur në Elbasan, në vitin 1938.
Fetahu, ishte nip i mentarit, burrit të mençur e të urtë te Drenicës, Tahir Berishës. Ishte bashkëluftëtar dhe bashkëudhëheqës me Sadik Ramë Gjurgjevikun. Kishte miqësi atdhetare me Derallajt e Tetovës, me Lef Nosin Elefter Nosi), etj.
Mendime kritike-letrare, për romanin:
“Edhe pse i mbështetur në faktet historike të kryengritjes shqiptare të vitit 1910, romani “Unë jam kryengritësi”, i Shefqet Bylykbashit kapërcen kufijtë e ritregimit historik, për t’u shfaqur si portretizim i gjallë i të kaluarës sonë kombëtare. I pajisur me pjekuri të lartë rrëfimi dhe zotërim mjeshtëror të gjuhës, autori ndërton një botë të pasur, sa fiktive aq edhe reale, ku çdo sekuencë narrative bart një rezonancë të thellë të ndërthurjes së heroikes, tragjikes dhe absurdes, si komponentë të pandashëm të historisë shqiptare. Është pikërisht kjo qasje që, përveç që e bën rrëfimin të gjallë e të natyrshëm, krijon edhe interferenca të tërthorta me aktualitetin. Prandaj, përveç si himn mbi triumfet e rrugëtimit tonë kolektiv, ky roman i Shefqet Bylykbashit vjen edhe si reflektim mbi plagët që i kemi shkaktuar vetes, e të cilat shpesh janë kthyer në barriera të frikshme gjatë rrugëtimit tonë.” (Zyrafete Shala, kritike letrare)
“Romani “Unë jam kryengritësi’ i Shefqet Bylykbashit është një rrëfim i ngjyrosur me gjuhën e një poeti që di t’i zgjedh fjalët dhe t’i skalisë ndodhitë dhe personazhet. Është një roman që e nderon lexuesin e tij dhe e fut në mesin e prozatorëve, prej të cilëve priten ngjizje të mirëfillta në prozën artistike.
“Unë jam kryengritësi” na flet për një figurë kryengritësi që luftën nuk e ka detyrë dhe pasion, por shtytje nga faktorë të jashtëm, konkretisht nga rrëmbyesit e lirisë së tij dhe njerëzve të tij të afërm. Ai ndien dhe shqetësohet për të tjerët, mendon dhe sakrifikohet për të afërmit dhe miqtë e tij, vepron dhe sfidon lirimohuesit që nuk i lënë asnjë shtegdalje tjetër.
Tah Likeja, kryengritësi i këtij romani, është një personazh në të cilin gërshetohen të gjithë kryengritësit që u vetëmohuan për një të ardhme të lirë, për një ditë të re ku nuk do të ketë më nevojë për luftë dhe flijime për të mirën e përgjithshme. Ai është një personazh metaforik, personazh simbol i të gjithë kryengritësve shqiptarë.” (Adil Olluri, shkrimtar).
Falënderoj nga thellësia e zemrës familjen për përkrahjen e vazhdueshme në krijimtarinë time letrare!
Nga java e ardhshme librin mund ta porositni në faqen e facebook-ut: Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja” dhe mund ta gjeni në libraritë “Dukagjini” dhe “Artini”, në Prishtinë.
____
Prishtinë, më 16 maj 2024. Me respekt, Shefqet Bylykbashi

Kontrolloni gjithashtu

Arrestohet një person i dyshuar për  veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Sekuestrohen dy armë dhe iniciohet rast “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Pas një hetimi preliminar të zhvilluar nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor …