Doli nga shypi libri: STRATEG-BOTA NË ANEKDOTA II i autorit SELMAN DERVISHI

Selman Dervishi lindi më 5 shkurt 1949, rrëzë një bjeshke mali të Qyqavicës, në zemër të Kosovës.  Shkollën fillore katërvjeçare e kreu ne fshatin e lindjes, në Dodonë, ish-Gradicë, ndërsa tetëvjeçaren, në fshatin Dritan, ish-Dobroshec, të dyja me sukses të shkëlqyeshëm. Ishte  ndër nxënësit më të mirë dhe më të dalluar në mësime dhe aktivitete të lira. Shkollën e mesme, dega elektro e kreu në Kastriot, ish-Obiliq. Kualifikimin e lartë në elektro e ka përfunduar pa shkëputje nga puna në Universitetin e Prishtinës… Kah fundi i luftës, si refugjat, së bashku me familjen shkoi në Amerikë, ku edhe jeton.  Prej vitit  1999 deri në vitin 2012 ka shkruar dhe ka botuar 17 vepra letrare, 15 me poezi dhe dy të fundit  me anekdota, shënime e komente…

Proza me pretendime poetike e Selman Dervishit

I njohur tashmë për botimin e shumë përmbledhjeve poetike dhe veprave letrare e publicistike, krijuesi nga Drenica me vendbanim në Amerikë, Selman Dervishi, iu ka përkushtuar fatit të Atdheut, duke analizuar ngjarjet e përditshme që kanë të bëjnë me Kosovën, Iliridën, Shqipërinë, trojet shqiptare nën robëri dhe fatin e mërgatës shqiptare kudo në botë. Alfa e angazhimeve të tij është fati i shqiptarit, e kaluara e tij tragjike, e cila vazhdon të jetë edhe më tej tragjike për shkak të pazareve të liga, e aspak parimore që  po luhen nga një segment i fuqishëm i diplomacisë ndërkombëtare mbi kurriz të Kosovës, Shqipërisë dhe përgjithësisht mbi kurriz të të gjithë shqiptarëve, ku do ku ata punojnë dhe jetojnë.
I lindur dhe i rritur në Drenicën e trimërisë legjendare, i edukuar në frymën më të pastër kombëtare, i dashuruar në historinë e së kaluarës, ilire, arbëreshe, pellazge, shqiptare, Selman Dervishi thur poezi heroizmi për qëndresën shekullore shqiptare, sidomos prej Motit të Madhe të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e  deri te Epoka lavdi plote e Legjendarit Adem Jashari. Ai ka botuar dhe boton edhe  kritika të mirëfillta kundër forcave të territ, kundër forcave karpatoide, sllave, greke  dhe kundër tërë armiqve të shqiptarisë.
Në dy vëllimet e fundit me analiza e komente, titulluar, “Strateg-bota në anekdota”, Selman Dervishi ka sintetizuar një përvojë të gjatë krijuese, duke aplikuar një stil krejtësisht të veçantë, në temat të cilat i ka trajtuar dhe i trajton. Analizat e tij të shkurta, kryesisht anekdota të njohura apo të krijuara nga ai vetë, janë tipari dallues i krijimtarisë së tij. Derisa në vëllimin e parë të përmbledhjes me anekdota, ai shpreh një botë të fuqishme të kritikës, satirës e sarkazmit, në vëllimin e dytë, të cilin tashmë e kemi të botuar, mbase edhe me disponim paksa më pesimist, ai ironizon edhe më shumë, madje mallkon hapur të gjitha forcat e territ e të tmerrit, të gjithë masakruesit kanibalë, të gjithë projektuesit e zbatuesit e holokausteve e masakrave, duke i stigmatizuar ata, duke i mallkuar, duke ua lëshuar mbi supe anatemën për veprat e tyre të liga antishqiptare, antinjerëzore dhe antiqytetëruese.
Selman Dervishi tashmë ka krijuar stilin e tij të rrëfimit të stërzgjatur, me përsëritje të shpeshta, por të qëllimta, për ta bërë më të fortë mallkimin, për t’i stigmatizuar sa më thellë dukuritë negative, sidomos politikën e pa aftë shqiptare, qoftë në Prishtinë e Shkup por edhe në Tiranë, të cilën e identifikon si bashkëpjesëmarrëse në të ligën që na ka kapluar. Ai nuk e kursen as kë, duke u thirrur në idealet e lirisë në sakicën e dëshmorëve e sidomos në sakrificën dhe heroizmin e Adem Legjendarit, të familjes së tij dhe të të gjithë dëshmorëve të luftës së UÇK-së.
Rrëfimet, anekdotat, analizat e prezantuar në vëllimin e dytë të përmbledhjes: “Strateg-bota në anekdota”janë përsëritur shpesh, por gjithnjë duke i parë ato nga një kudër i ri i vrojtimit, por edhe për shkak se ai është regjistrues dhe komentues i të gjitha zhvillimeve, madje edhe i zhvillimeve ditore. Selman Dervishi është kujdestar i përhershëm i ndodhive në Atdhe dhe kudo ndër shqiptarë, është idealisti që brengoset në thellësi të shpirtit për punët që nuk po na shkojnë mirë, andaj ai që kërkon me çdo kusht bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ai  është rojtar nderi i konceptit të një Shqipërie unike, etnike, natyrale mbarë kombëtare, mbarë shqiptare etj. Ai lëshon klithma miradije drejtuar të gjithë bashkëmendimtarëve, të cilët i porosit që të unifikohen rreth aspiratës së natyrshme të shqiptarëve për të jetuar në një shtet të vetëm ashtu sikur jetojnë të gjithë kombet e botës.
Duke qenë i pa kursyeshëm në stigmatizimin e dukurive negative të shqiptarëve ai kritikon politikanët tanë në tri qendrat e politikë-bërjes së mefshtë e të dobët shqiptare, nuk i kursen ata, meqë vetë kanë marrë përsipër çështjen e kombit e Atdheut dhe përderisa kanë ngarkuar mbi supe atë barrë, ata duhet të interesohen për kombin e Atdheun dhe jo vetëm për t’u pasuruar, sikur po bëjnë aktualisht shumica dërrmuese e politikanëve shqiptarë.
Fakti se Selman Dervishi shkruan me një stil të veçantë, me pretendime për një prozë poetike, bën që kritikat dhe analizat e tij të duken krejt uniforme dhe nganjëherë edhe të bezdisshme, por duhet pasur para sysh faktin se bezdia e tij shpirtërore, doemos se është shprehur dhe po shprehet për mes shkrimeve si formë proteste dhe në protesta të tilla gjithnjë kemi përsëritje të brohoritjeve, përsëritje të pareshtura të kërkesave dhe përsëritje të pareshtura të ankimeve e sidomos të mallkimeve. Mallkimet e Selman Dervishit nuk janë mallkime personale, nuk lidhen me inatet e tij, por janë mallkime kolektive të shqiptarëve liridashës, të cilët po e shohin dhe po e kuptojnë se nuk i kemi punët mirë, e derisa sa është kështu, mallkimi le të bjerë mbi ata që janë fajtorë për këtë gjendje.
Proza fragmentare e Selman Dervishit përshkohet nga dialogu i brendshëm, një dialog nganjëherë  i rënduar edhe me klishe, me përsëritje e klithma, të cilat janë pjesë e shprehjes së natyrës së tij specifike, janë vetë bota e tij e brendshme, e cila ka gjetur nganjëherë edhe valvulin e derdhjes së mllefit të grumbulluar. Si e tillë, ajo duket ndryshe dhe lë vend për kritikë, por me rastin e tij nuk kemi të bëjmë me një krijues që kërkon ftoma të veçanta të shprehjes, për veç faktit se shprehja e tillë është pjesë e botës së tij, padrejtësisht  shumë vjet e ngulfatur.

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …