Dr. Nusret Pllana: Bashkimi kombëtar e bën rishkrimin e historisë

(Njohja e së kaluarës është shkolla e së ardhmes)

Në këtë qytet të lashtë, sa vetë historia dhe jeta e shqiptarëve, para 570 vjetesh, kryetrimi ynë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mblodhi princërit shqiptarë në Kuvendin e madh të Lezhës së asaj kohe, më 2 mars të vitit 1444. Që nga ajo kohë, sa duket, historia është tallur me të gjallët e këtij populli, në të gjitha periudhat kohore pas vdekjes së Skënderbeut. Por një mësim i madh i kësaj historie asnjëherë nuk është harruar, duke ju kujtuar dhe rikujtuar shqiptarëve, se pa ato vendimet themelore që kishte marrë Kuvendi i Lezhës, as nuk mund të mbrohej populli, as nuk mund të bëhej bashkimi kombëtar, as nuk do të mund të krijohet një treg i përbashkët shqiptar.

Prandaj që të rishkruhet historia e shqiptarëve, e popullit shqiptar dhe e kombit shqiptar, si dy përkufizime historikisht të ndara, doemos është e nevojshme të sqarohen të gjitha ecejaket e jetës historike të këtij populli, në mënyrë që të dëshmohet se edhe sot e gjithë ditën ka nevojë për një bashkim, ashtu siç ishte konceptuar në Kuvendin e Lezhës, tashti me përmasën e kombit e jo të Principatave, për një ushtri shqiptare, që ta përballojë dhe ta largojë armikun nga tokat e tij, ende të pushtuara, tashti si gjeografi kombëtare, e jo si gjeografi e Principatave mesjetare, si dhe të sigurojë mjete, pra të ketë një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e mëdha të luftës, tashti si një luftë për bashkimin kombëtar, e jo si luftë e Principatave shqiptare, që luftonin kundër Perandorisë Osmane. Pra, përmasa kohore, historisë sonë ia ka imponuar edhe përkufizimet, të cilat deshën apo nuk deshën shqiptarët, një ditë do të realizohen.

 Hyrje

 Kësisoj, prandaj, ndoshta askujt nga ne të gjallët e sotëm, por as baballarëve tanë, pra shqiptarët kudo që janë, kurrë nuk ka mundur t’u shkojë ndërmend se tri vendimet kryesore të Kuvendit të Lezhës, edhe sot janë aktuale, sepse nuk janë realizuar gjatë historisë.

Në historinë tonë të lashtë, ashtu siç e kanë thënë edhe studiues të huaj edhe studiues shqiptarë, thuajse asnjëherë nuk kanë pushuar luftërat, qofshin nëpër krahina të veçanta shqiptare, qofshin në tërë hapësirën e gjeografisë shqiptare. Mirëpo, asnjëherë nuk është bërë një vështrim kritik, dua të them edhe një lexim kritik i historisë sonë, në mënyrë që të shihen edhe mundësitë, edhe rrethanat kohore, edhe mangësitë, por edhe dështimet tona.

Ndonjëherë, aty–këtu, kur ndonjë i huaj, kryesisht dashakeqës për historinë e popullit tonë, thotë edhe ndonjë të vërtetë për dobësitë tona, na vjen inat, gjë që do të thotë se ende nuk jemi ne gjendje të përballemi me realitetin e fakteve historike. Mirëpo, po ashtu dihet fakti se ndoshta një pjesë e madhe e atyre fakteve ende nuk janë zbuluar dhe ende nuk janë publikuar, në mënyrë që të krijojmë një mendim objektiv për rrjedhën e shekujve të historisë në jetën e popullit shqiptar, por edhe në jetën e formimit të kombit shqiptar.

Historia e luftërave dhe e ekzistencës së popullit shqiptar

 Kur Sami Frashëri, bashkë me rilindës të tjerë, po hartonte programin e madh kombëtar, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, i cili ende, as pas Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është realizuar plotësisht, kishte parasysh po ato kërkesa themelore që kishte vendosur Kuvendi i Lezhës dhe që i kishte zbatuar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Një nga rilindësit e tjerë, ndër më të veçuarit, ishte edhe ideologu i bashkimit shqiptar, Vaso Pashë Shkodrani, i cili duke njohur mirë gjendjen e shqiptarëve të shekullit nëntëmbëdhjetë, shkruante:

 ‘Çonju, shqyptar, prej gjumit çonju,

Të gjith si vllazën n’nji besë shtërngonju,

E mos shikjoni kish’ e xhamija,

Feja e shqyptarit asht shqyptaria!’

 Pra, katër shekuj më vonë nga vendime të mëdha të Kuvendit të Lezhës, Rilindja jonë kombëtare po kërkonte realizimin e vendimeve të mëdha të Kuvendit të Lezhës, e që ishte krijimi i bashkimit të popullit në luftë kundër pushtuesit, në mënyrë që të çlirohej hapësira e pushtuar e gjeografisë shqiptare.

Rilindësit tanë, sa thonë shënimet historike, publicistike dhe historiko-letrare, e dinin mirë historinë e popullit të tyre, siç i dinin mirë të gjitha luftërat që ishin zhvilluar kundër të huajve. Mirëpo, po ashtu i dinin mirë edhe përçarjet e të gjithë krerëve të këtyre përpjekjeve, ose i dinin, siç thuhet me gjuhën e gazetave të sotme, edhe skenat edhe prapaskenat e luftërave të tyre. Prandaj, e dinin mirë se po nuk u realizua kërkesa themelore e Kuvendin të Lezhës, nuk do të kishte fitore të përmasës kombëtare, siç nuk kishte pasur gjatë gjithë kësaj periudhe historike.

Pra, çështja kryesore që ishte biseduar në Kuvend, ishte bashkimi i vendit në luftë kundër pushtuesit.

Nga ajo kohë e këndej, nuk e di kur ka ndodhur një bashkim i tillë në tokat e gjeografisë shqiptare, përveç në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Këtë bashkim të popullit nuk arritën ta bëjnë as Pashallëqet e Mëdha të Janinës dhe të Bushatlinjëve të Shkodrës, edhe për faktin se nuk arritën ta bashkojnë popullin në luftë kundër pushtuesit.

Këtë nuk e thotë dhe nuk mund ta thotë as historia jonë. Pastaj, varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve, sidomos në luftërat ballkanike, sidomos në Luftën e Parë Botërore, edhe më tutje, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar jo vetëm u përgjysmua, edhe si komb i organizuar, por ju përgjysmua gjeografia e atdheut të tij.

Nëse Principatat e Mesjetës shqiptare, ato që i kishte bashkuar Kuvendi i Lezhës, i cili ishte mbajtur vetëm disa muaj pas kthimit të Skënderbeut në Krujën e tij, kishin arritur të krijonin bashkimin e popullit, kishin arritur të krijonin një ushtri që i kishte përballuar për 25 vjet sulmet gjenocidiale të Perandorisë më të madhe të kohës, nëse kishte arritur të krijonte një arkë të përbashkët, a mund ta thonë periudhat e mëvonshme historike se nuk kanë pasur ku të mësojnë që të bëhen bashkë dhe të luftojnë për lirinë e vendit.

Prandaj, edhe historia jonë, edhe ne si lexues të saj më shumë merremi duke folur për vuajtjet, humbjet, përgjakjet, copëtimet e gjeografisë kombëtare, pushtimet shekullore, e asimilimet aq tragjike, sa ndonjëherë harrohet se njerëzit e atij vendi që është i pushtuar e kanë obligim jetësor dhe qytetarë që të bëhen bashkë e të luftojnë kundër robërisë.

Historia e shqiptarëve dhe historia e ushtrisë shqiptare

 Dikush thotë se Ushtria Shqiptare është krijuar me vendimin e Kuvendit të Vlorës, më 1912, kur është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Kështu thotë edhe historia e Ushtrisë Shqiptare. Historikisht dihet se pavarësia ishte shpallur për tërë gjeografinë kombëtare shqiptare. Por që nga ajo kohë, më shumë se gjysma e tokave shqiptare nuk kanë pasur ushtri të veten.

Kush e pruri datën e themelimit të ushtrisë shqiptare në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur ajo ishte bërë në fillim të shekullit pesëmbëdhjetë.

Ideologu i Programit tonë Kombëtar, që nuk është realizuar ende në jetën historike të shqiptarëve, Sami Frashëri, në veprën e tij madhore, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet’, jep numra të saktë jo vetëm për formimin, por edhe për mënyrën e organizimit të ushtrisë shqiptare, duke përcaktuar numrin e ushtarëve në varësi me hapësirën e gjeografisë kombëtare.

Çështja tjetër ishte krijimi i një ushtrie shqiptare me të gjitha repartet e saj, ashtu siç ishin të organizuara ushtritë më të përparuara të shekullit nëntëmbëdhjetë. Sa di unë, deri sot askush nuk është marrë me këtë çështje në Programin e Rilindjes sonë Kombëtare, të cilin e kishte hartuar Sami Frashëri dhe, i cili, ende nuk është realizuar në jetën e shqiptarëve.

Historia jonë, nuk e thotë saktë se ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, a ishte ushtri e gjithë popullit, apo kishte vetëm pjesëmarrjen e krahinave në të, diçka e ngjashme me pjesëmarrjen e Principatave shqiptare në kohën e Skënderbeut.

Historia e Kuvendit të Lezhës dhe tregu i përbashkët shqiptar

 

 Në vazhdim do të prekë një çështje, që po bëhet për çdo ditë e më shumë aktuale. Prandaj, dua të ndalem te vendimi i tretë i rëndësishëm  i Kuvendit të Lezhës. Kjo çështje e tretë, ishte vendimi për krijimin e një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Dhe kjo luftë, siç e thotë edhe historia jonë, edhe ajo botërore, ka zgjatur 25 vjet.

Këtu nuk dua qëllimisht të merrem me faktin se a ka pasur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një arkë të përbashkët, as me faktin se sa kanë dhënë shqiptarët, kudo që janë, për luftën e tyre çlirimtare. Ndoshta, sepse distanca historike ende është e vogël për madhështinë e këtyre ngjarjeve.

Në historinë e popullit tonë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, filluan ato që quhen përcaktime ideologjike, ato që quhen faktorë ndikues krahinash, ato që quhen mos përzierje në punët e brendshme të vendeve fqinje, edhe pse gjeografia kombëtare ishte e copëtuar, po nga këta fqinjë dhe me vendime të Evropës së kohës, edhe pse gjysma e popullit shqiptar ishte i robëruar, edhe pse ky popull mund të jepte e të merrte me këdo tjetër, edhe me kinezët, por vetëm me pjesën tjetër të popullit shqiptar, që kishte krijuar një shtet të vetin, shtetin që edhe sot historia i thotë Shqipëri londineze, pra me këtë popull të këtij shteti, edhe pse edhe ai ishte shqiptar, nuk mund të jepte dhe të merrte pjesa e mbetur nën okupim e popullit shqiptar, pra nuk u lejohej një treg i përbashkët.

Për çudi të zotit, edhe në fillim të shekullit njëzet e një, po kjo Evropë harton një Rezolutë për Kosovën, ku që në fjalinë e parë i ndalohet të bashkohet me vendet fqinje. Doemos se është e kuptueshme. Bëhet fjalë se Kosova e ka të ndaluar të bashkohet me pjesën tjetër të gjeografisë së saj kombëtare, me Shqipërinë. Për fat të popujve të robëruar, luftërat çlirimtare përherë i kanë nëpërkëmbur dhe i kanë bërë të pavlefshme rezolutat e ndryshme në të gjitha kohërat kur janë hartuar ato.

 Përfundim

 Shqiptarëve nuk u duhet rishkrimi i historisë, kur dihet se ajo shkruhet në pesë a më shumë pjesë, të pushtuar nga pesë a më shumë popuj të ndryshëm, edhe me miratimin xhentëlmen të Evropës, që sot i plasi zemra të bëhet demokratike dhe e bashkuar.

Po, pra, shqiptarëve aktualisht nuk u duhet rishkrimi i historisë në këto kushte dhe në këto rrethana historike që jemi si popull dhe si komb. Nuk u duhet, sepse nuk besoj se ka diku një komb modern në Evropën e sotme që ende është i ndarë, gjeografia kombëtare e të cilit ende është e copëtuar dhe e pushtuar.

Më tutje, nuk u duhet, sepse edhe ajo puna më e vogël, siç është marrëdhëniet e përbashkëta tregtare, fjala vjen, edhe 15 vjet pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk po realizohet në asnjë mënyrë. Shqiptarët andej e këndej kufirii të Shqipërisë londineze, bëjnë më shumë tregti me armikun e tyre historik, se sa në mes dy vendeve të tyre, fatkeqësisht ende të ndara me kufij politikë.

Shqiptarët, pra, jo vetëm nuk kanë një treg të përbashkët, por e dënojnë njëri-tjetrin me lloj-lloj taksash doganore, në doganat që na i kanë caktuar të huajt, qofshin ata edhe miqtë tanë të përhershëm, apo të përkohshëm.

 Prishtinë-Lezhë,

Më 7. 11. 2014

Burimet

  1. Kristo Frashëri, Skënderbeu i shpërfytyruar, Tiranë, 2009
  2. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012
  3. Sami Frashlri, Shqipëria çka qenë,ç’është dhe çdo të bëhet, Bukuresht, 1899
  4. Vaso Pashë Shkodrani, O moj Shqypni, Prishtinë, 1982

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …