Dr. Skënder Demaliaj: Shaban Haxhia – Komandanti Legjendar i Brigadës së Shtatë Kosovare

70 vjet më parë, më 11 nëntor 1944 në Gjakovë krijohet Brigada e Shtatë Kosovare, komandant i së cilës zgjidhet Shaban Haxhia. Në historiografinë kosovare, Brigada e Shtatë është emërtuar Brigada e Shaban Haxhisë. Veprimtaria e tij prej 5 vjetësh i kishte kaluar kufijtë e Tropojës. Ai, me punën e tij këmbëngulëse, me guxim e kurajo arriti t’i organizojë e bashkojë njerëzit në Tropojë e Kosovë rreth Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me aftësitë e tij drejtuese fitoi besimin dhe zemrat e tyre. Shaban Haxhia është udhëheqësi kryesor politik e ushtarak i çetës “Bajram Curri”, i batalionit “Bajram Curri”, i aradhës “Curri-Rexhepi”, delegat në Konferencën e Bujanit dhe një nga nismëtarët e nenit të Rezolutës për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje e për t’u bashkuar me Shqipërinë. Në krye të kësaj brigade me djem të zgjedhur e trima të Kosovës u çliruan njëra pas tjetrës krahina e qytete në Kosovë. Përveç kësaj, kjo brigadë u bë mbështetja kryesore e popullsisë shqiptare për të mos lejuar terrorizmin e saj nga forcat çetnike serbe. Kosovarët gjetën te ajo një strehëz të sigurtë për jetën. Është kjo arsyeja që u shtuan radhët e saj, duke arritur deri në 17 mijë numri i luftëtarëve të saj; është kjo arsyeja që shtabi i kësaj brigade u arrestua me urdhër të Komandës së Lartë jugosllave, është kjo arsyeja që ajo u urdhërua të largohej nga Kosova e të luftonte  në viset jashtë saj; është kjo arsyeja që u rrit simpatia dhe popullariteti i komandantit të saj Shaban Haxhi Demaliaj, popullaritet, i cili ruhet edhe në ditët e sotme e për të cilin këndohet:

“Luftoi trimi shteg më shteg,

për armiqtë u bë tmerr.

N’brigad’tij msyn gjith’ mileti,

Po kujtojnë se u ngjall Azemi”.

Për merita ushtarake në drejtimin e Brigadës së Shtatë Kosovare, në dhjetor 1944 i jepet grada nënkolonel, nga të paktët në gjithë Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Kosovës.(Sh S UNÇJ-së, kutia nr.3, dokumenti nr.959).

Sa zbriti në Fushë-Kosovë, shtabin kjo brigadë e vendosi në Lipjan. Shtabi lëshoi një lajmërim që në atë brigadë pranoheshin të gjithë ata që kanë marrë pjesë në polici, xhandarmëri, në forcat vullnetare për mbrojtjen e Kosovës. Shtabi garantonte që asnjë prej këtyre nuk do të lejohej që të merreshin natën nga OZNA e të pushkatoheshin, siç ndodhte në brigadat e tjera, prandaj numri i partizanëve në të i kaloi 17000 vetë! Në fakt ajo duhej të quhej divizion, por Serbia nuk e lejonte një gjë të tillë, sepse qëllimi i saj ishte ripushtimi i Kosovës.

Lidhur me këtë nacionalisti Adem Selimi (Gllavica) udhëheqës i luftëtarëve të Kosovës në malet e Gjilanit tregon: “Ne kishim shumë djem të rinj që s’kishin kryer asnjë veprim kundër partizanëve. Kushtet ekonomike e të municionit gjithnjë po na keqësoheshin. Jugosllavia komuniste po forcohej dita-ditës, prandaj vendosëm të takoheshim me Shaban Haxhinë, meqë shtabi i tyre kishte lëshuar një thirrje të tillë “Të merremi vesh si shqiptari me shqiptarin”. Ndërlidhës ishtë Raif Smallusha. Shabani do të vinte me komisarin, Qamil Brovinën dhe me katër veta të armatosur. Po ashtu edhe nga ne, unë me Luan Gashin për bisedime dhe katër veta të armatosur. Interesant, ky takimi me Shaban Haxhinë e Qamil Brovinën kishte shumë ndryshim me atë që bëmë në Cërnillë, në odën e Ibrahim Graincës me Ali Shukrinë dhe kolonel Shefqet Peçin. U morëm me dy çështje: E para, të dorëzoheshin djemtë e rinj që ishin me ne në mal pa dhënë asnjë llogari, po sikur shkojnë vullnetarë nga shtëpitë e tyre. E dyta, forcat e tyre mos të na ndiqnin dhe ne do të evitonim lëvizjet tona që të mos ndesheshim me forcat e tyre. Duhet thënë për hir të së vërtetës, të dyja këto marrëveshje ata i zbatuan. Asnjë nga djemtë tanë që hynë në atë brgiadë nuk është dëmtuar”.

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Doktor i Shkencave Historike, Jakup Krasniqi shruan: “Bashkimi i brigadës së Drenicës me Brigadën e Shtatë Kosovare, me komandant Shaban Haxhinë ishte domosdoshmëri që e kërkonte koha dhe se një gjë të tillë e kishte miratuar edhe komandanti Shaban Haxhia (gazeta “Epoka e Re”, 5 shkurt 2014). Krijimi i Brigadës së Shtatë Kosovare të Shaban Haxhisë, pranimi i Shaban Polluzhës që të jetë pjesë e saj lidhej me kushtin që të shërbente në Kosovë. Në një nga bisedat e shumta që ka pasur me Shaban Polluzhën, Shaban Haxhia thotë se ai i ka thënë fjalë për fjalë: “Nuk jemi kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por me e lënë Kosovën e me shkue në Banatë nuk po dëgjon populli. Sepse po ta lëmë Kosovën, kjo do të thotë se kur të kthehemi të mos e gjejmë asnjë shqiptar të gjallë. Të na japë fjalën Shtabi Operativ se në Kosovë nuk do të vijnë forca serbomalazeze dhe nuk kanë me qëndrue as këto që janë tani. E do të lamë 6 mijë shqiptarë me sigurue popullsinë, atëherë ne jemi gati me u nisë ku të jetë nevoja”. Shaban Haxhia e mirëkuptoi propozimin e tij dhe ishte dakord me të. Kjo është edhe arsyeja që ai nuk këmbënguli që forcat e Shaban Polluzhës të iknin nga Kosova, ndryshe nga presioni i madh që bënë drejtuesit e Shtabit Operativ të Kosovës.

Formimi i kësaj brigade dhe veprimtaria e saj luftarake i frikësoi drejtuesit ushtarakë serbë. Më 17 janar 1945 Shtabi i Divizionit 46 të Serbisë njoftonte njësitë e veta se prej 20-24 janar 1945 njësite shqiptare të Brigadës së 7- të të Kosmetit do të kalojnë pranë Prishtinës nëpër Podujevë e në drejtim të Kurshumlesë dhe se në këto njësi “konsiderohet se ka shumë dezertorë dhe vrasës”, andaj t’u vihet roje përgjatë rrugës në të dy anët e Grykës së Llapit”. Shqiptarët në këtë Brigadë nga shovinistët serbë etiketoheshin “kriminelë të njëmendtë”. Pra ata konsideroheshin kriminelë pse mbronin popullsinë e pafajshme në Kosovë nga çetnikët serbë, të nxitur e të organizuar nga vetë strukturat më të larta ushtarake serbe. Brigada nuk do të lëvizte si një formacion kompakt luftarak, por  e ndarë në kolona e megjithatë, edhe kështu e copëtuar, ajo ishte më e madhe se çdo brigadë serbe. Këtë e pohojnë vetë autoritetet më të larta ushtarake serbe. Brigada e 26-të serbe njoftohej nga Prishtina se forcat e Brigadës së 7-të ishin më të mëdha se ato të saj. Në vazhdim theksohej se ishte “detyrë e brigadës të ndërhynte për çdo eventualitet” dhe se “kjo urdhëresë kishte karakter të rreptë sekret, ndërsa me përmbajtjen e saj nuk duhej të njoftohej askush jashtë shtabit të Brigadës. Shtabeve të batalioneve t’u jepeshin urdhëra, duke pasur parasysh këto orientime dhe vetëm tërthorazi t’u bëhej i ditur karakteri i detyrës, pa i përmendur,  ku dhe pse po shkon brigada përkatëse, sepse as njerëzit e vetë brigadës nuk e dinë”.

Nën pretekstin e likuidimit të bashkëpunëtorëve të fashizmit, popullsia shqiptare në Kosovë u terrorizua. Komandanti i Divizionit të 46-të urdhëronte njësitë e veta. “Në kryerjen e detyrave të jeni të pashpirt kundër çdo gjëje dhe kundër çdo kujt, të zbatoni raprezalje, aty ku ju bëhet rezistencë. Nëse në njësitë tuaja shtijnë nga fshati, të kallet i tërë fshati. Armiqtë e ushtrisë dhe të popullit tonë patjetër duhet ta ndiejnë fuqinë e armëve tona… Për operacionet kësisoj shtabet tona duhet të vihen në pozitë të komandantëve të ushtrisë okupatore”. Nga përmbajtja e këtij urdhëri gjithçka është e qartë: vendin e pushtuesit gjerman në Kosovë e zuri pushtuesi serb. Melihate Deda, me anë të një letre njoftonte institucionet e larta partizane në Kosovë se disa njësi serbokomuniste kishin direktivë të fshehtë që të vrisnin së paku 50% të popullsisë shqiptare në Kosovë. Më 2 dhjetor 1944 u dha urdhër për formacionet ushtarake serbe që spastrimi i terrenit nga “banditët” (kështu i quanin ata shqiptarët patriotë të Kosovës) të fillojë më 5 dhjetor 1944. Këtë nuk mund ta lejonte komandanti Shaban Haxhia. Është kjo arsyeja që kjo brigadë e fuqishme, me ndjenja të larta patriotike duhej të shpërndahej, të coptohej që të ishte sa më pak e rrezikshme për serbokomunistët. Mbi të gjitha të largohej nga Kosova që t’i kishin të lira duart për spastrimin etnik të saj.

Brigada e Shtatë Kosovare, kur u përqëndrua në Podujevë, kishte një efektiv të njëjtë me atë të divizioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, por pavarësisht nga ky fakt, ajo nuk u shndërrua në divizion, por u copëtua dhe u përdor si repart plotësues. Nuk është e tepërt të konstatohet edhe e dhëna se “Brigada e  Shtatë e Kosmetit, së cilës duhej t’u bashkohej Shaban Polluzha konsiderohet se më 18 dhjetor 1944 kishte rreth 17000 luftëtarë të mobilizuar prej dy emnakëve Shaban Haxhisë dhe Shaban Polluzhës”. Ajo në asnjë mënyrë nuk duhej të qëndronte në Kosovë dhe të vepronte si formacion luftarak unik, sepse pengonte ripushtimin e Kosovës nga forcat serbe, kolonializimin e saj nga Serbia, realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës, të shprehur në Konferencën e Bujanit, për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Divizionet partizane serbe, në bashkëpunim me forcat çetnike, plaçkitnin dyqanet shqiptare, digjnin fshatrat shqiptare, vrisnin fëmijë e pleq. Sipas Lëvizjes Çetnike në Jugosllavi, serbët dhe malazezët në Kosovë “duhet të qëronin hesapet me arnautët”. Sipas drejtuesve të saj “problemi i Metohisë, Kolashinit dhe i tërë Serbisë së Jugut, mundet dhe patjetër duhet të zgjidhet vetëm me pastrimin e turqve dhe të shqiptarëve”. Në këto kushte situata në Kosovë u keqësua dhe u tensionua.

Në janar të vitit 1945 nënkolonel Shaban Haxhia u kthye nga Podujeva, ku ishte përqëndruar me forcat e tij për t’u takuar me Shaban Polluzhën, i cili nuk kishte shkuar atje.  Biseda u përqëndrua rreth gjëndjes në Kosovë dhe vazhdimit të luftës kundër okupatorit jashtë Kosovës. Për Shaban Polluzhën, vendin e okupatorit gjerman e kishte zënë okupatori serb, ndaj të cilit duhej luftuar. Shaban Polluzha i tha Shaban Haxhisë: “Ne nuk do të nisemi andej nga thotë dikush, do të vendosemi, ashtu siç  mendojmë ne e dihet mirëfilli si kemi vendosur ne”. Duke përshkruar takimin, Shaban Haxhia kujton: “Ne të dy Shabanët ishim si dy binjakë në një brigadë e tash edhe Brigada jonë e Shtatë u kthye në dy brigada binjake: njëra qëndroi në Kosovë për t’u mbrojtë nga terrori i ri serb, kurse tjetra shkoi për në Srem të Serbisë. E mbështeta me gjithë zemër e shpirt veprimin e Shaban Polluzhës për t’u kthyer në Drenicë për të mbrojtur shqiptarët nga terrori serb. Kisha besim tek ai, e njihja shumë mirë. Ishte burrë burrash e me mend, e kishim zëvendëskomandant të brigadës, por në të vërtetë ai ishte, si të thuash, një brigadë më vete dhe bile e fortë”.

Duke përshkruar udhëtimin për në Frontin e Sremit, ai jep detaje rrënqethëse, momente prekëse e të dhimbshme: “Gjatë udhëtimit brigada ishte si një trup pa kokë, ndërsa komanda si një kokë pa trup. Ky s’i ngjante një marshimi partizan për në luftë, por një karvani të internuarish për në kampe përqëndrimi në Gjermani e në Austri. Në tren qëndruam të mbyllur dhe 48 orë na mbajtën me çelës. Kishim të ftohtë, uri. Të gjithë pyesnim njëri-tjetrin me habi: “Ç’po bëhet me ne?” Ne si shtab, pasi mbërritëm në Banatë, na shkëputën nga forcat e brigadës, duke na thënë se këto reparte ne do t’i përgatisnim për luftë e do t’i çojmë në brigadat tona, si forca plotësuese, kurse ju, me urdhër, kthehuni në Kosovë se ajo ka nevojë për kuadro. U kthyem si shtab pa ushtri në Kosovë. Pyetjet në Kosovë se “ku i latë djemtë tanë” ishin tepër rënduese për ne. Ndërgjegjia na vriste shumë para popullit, sepse djemtë dhe luftëtarët e Kosovës s’e kanë pasë zakon me shkue në luftë me prijës të huaj. Siç mësova më vonë, shumë partizanë të brigadës sonë vdiqën nga tifoja. Edhe pse të sëmurë, të lodhur e të keqtrajtuar, ata vazhduan luftën kundër gjermanëve në Bratun, Srebenicë, Vllasenicë, Han Pjeskë, Rogativë, Knezhicë e vende të tjera të Bosnjës lindore”.

Në Muzeun e Kosovës (Prishtinë) në vitin 2002 në Ekspozitën me temë “Lufta e popullit shqiptar në Kosovë kundër pushtuesit serbokomunist (nëntor 1944-prill 1945)” është vendosur edhe fotografia e Komandantit të Brigadës së Shtatë Kosovare – Shaban Haxhia (me përmasa të mëdha),  ku jepen edhe vlerësime për veprimtarinë e tij atdhetare në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës nga terrori serbokomunist.

Shaban Haxhia edhe para viteve`90, edhe në këto 24 vjet nuk ka marrë vlerësimin që meriton. Atij i takon të ketë titullin e lartë “ Hero i Popullit”, në Shqipëri e në Kosovë, të shpallet “Qytetar Nderi”, në Gjakovë e në Bajram Curr, bile në qendër të këtyre qyteteve të vendoset përmendorja e këtij burri e komandanti legjendar nga Malësia e Gjakovës.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …