Dr. Shaqir Shaqiri: Me zemrën e frikacakut dhe shpirtin e robit nuk ecet përpara!

Kohët e fundit më ra të lexoj disa herë në shtypin shqiptar të Kosovës për edhe një brengë tonën: Kush do ta zëvendësojë baroneshën Ashton? Dhe, lexojmë se dy kandidatët kryesorë qenkan sllovaku Mirosllav Lajcak dhe suedezi, Carl Bildt dhe se të dy janë të njohur si përkrahës të Serbisë. Pra, na mbetet të ndodhë mrekullia e pasardhësi i baroneshës Ashton të ndryshojë qëndrimet e veta (gjë që është barazi me zero) ose të ndryshojë diç në politikën tonë ndaj Evropës, dhe në përgjithësi, ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Jam i vetëdijshëm se pala jonë në negociatat me Serbinë është e hendikepuar nga e dhëna se ndërkombëtarët bëjnë presion mbi te dhe, ç´është më e keqja, është vështirë të kundërshtosh kur je i zhytur në “njëqind të zeza”. Por, ne duhet mësuar të kundërshtojmë së pakut kur është fjala për të ardhmen e kombit.

Më kujtohet mirë anekdota e përfolur miliona herë se si njëri nga presidentët më të popullarizuar dhe më të suksesshëm të SHBA-ve, i ndjeri Ronald Regan, para takimit me delegacionin rus e kishte thirrur përkthyesin e vet dhe e kishte pyetur se si thuhet “JO” në gjuhën ruse. Dhe, gjatë bisedës, kur dikush nga delegacioni rus bënte ndonjë propozim-kërkesë që nuk i pëlqente presidentit Regan, ai përgjigjej shkurt dhe pa ndihmën e përkthyesit me një “NJET” (“JO”)!

Jam, po ashtu, i vetëdijshëm se “luksin” e presidentit Regan nuk e ka ndokush nga pala shqiptare në negociata, por duke llogaritur se edhe deri më tani vetëm se kemi humbur nga këto negociata dhe se dita ditës po humbim gjithçka që është kombëtare e njerëzore ( e të mos flasim për copëtimin e Kosovës) ia vlen të mësohemi që kur rrezikohet gjithçka që është kombëtare dhe njerëzore të themi JO! Fundja, çfarë do të humbasim me këtë? Ne, të mjerët, edhe ashtu i humbëm pothuajse të gjitha ato që dikur i dinim të shenjta për ne!

Me xemrën e frikacakut dhe me shpirtin e robit nuk ecet përpara! Qyqarin s´e do askush! Trimin e duan të gjithë! Kjo edhe u dëshmua më së miri me daljen e UÇK-së në skenë. Deri atëherë gëzonim njëfarë “përkrahjeje morale” që nuk na hynte në punë dhe me të cilën qeshej Serbia. Por, me UÇK-në dëshmuam se e kemi me gjithë mënd dhe përkrahja nuk mungoi.

Kurse sot, pretendojmë se kemi shtet (dhe pushtet) tonin përderisa i lejojmë përfaqësitë e huaja të na përzihen në secilën punë dhe në secilin vendim. Askund në botë, përveç tek ne, nuk ndodhë që zyrtarët e ambasadave të huaja të dalin sheshazi në përkrahje të një partie politike! Tek ne ndodhë që zyrtarët e ambasadës së huaj të na zgjedhin  edhe presidentin e vendit! Për “kikse” të këtilla diplomatike në çdo vend tjetër të botës do të merrej vendimi për largimin e menjëhershëm të personit që ka shkelur rregullat diplomatike.

Dhe së fundi, dilema rreth BE-së. Kujtoj se kjo nuk është edhe gjithaq e rëndë: Ta ruajmë identitetin kombëtar (që po zbehet dita ditës) dhe dinjitetin (tani në nëpërkëmbur) njerëzor, ose të t´i harrojmë këto dhe të futemi në vorbullën e makinerisë së BE-së që prioritet ka mirëqenien e Serbisë dhe e cila ju japë miliarda euro grekëve përtacë që pensionohen pa i mbushur 45 vjet?

Zgjedhja është jona!

( Autori i këtij shkrimi, Dr. Shaqir Shaqiri është i burgosur politik i viteteve 80, intelektual dhe veprimtar i mirënjohur i Lëvizjes së Rezistencës.)

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …