Dr. Shaqir Shaqiri: Prostitucion politik dhe makiavelizëm

Koalicionet mes partive me program të ngjashëm, ose siç i quajmë nganjëherë “partive simotra”, kanë ndodhur dhe do ndodhin gjithandej botës. Mirëpo kjo që po ndodhë sot në Kosovë i tejkalon çdo kufi që në politikë mund të quhet normale dhe që mund të jetë e kuptueshme për këdo që i ka edhe dy fije mend! Kjo nuk ka emërtim tjetër përveç se Prostitucion Politik dhe Makiavelizëm!


A nuk është (më në fund) e qartë se “koalicionistët” e këtyre ditëve haptazi nxorën në shesh idenë e tyre vetjake: Ne bëjmë çmos për të ardhur në pushtet…


Dy krahët e luftës bëjnë koalicion me ata që gjithë kohën e kanë mohuar luftën e tyre për çlirim dhe që i kanë akuzuar për vrasje, plaçkitje, dhunime, etj. Nga ana tjetër, partia e cila udhëhiqet nga “pensionistët” (kështu e cilësuan botërisht shumë individë nga vet kjo parti) dhe njerëz dikur të devotshëm ndaj “Vëllazërim-Bashkimit” jugosllav, për të ardhur në pushtet harruan premtimet e dhëna për dorëheqje (nëse nuk i fitojnë zgjedhjet) dhe kjo parti lidhet me ata që shumë vjet me radhë i ka konsideruar si armiq (jo vetëm politik). Dhe në gjithë tmerrin e përditshmërisë së zymtë në atdhe, paria politike në kokë ka vetëm luftën për pushtet dhe shfaq pa fije turpi gjithë makiavelizmin primitiv: Po pat nevojë ajo shkelë edhe mbi kufoma për të marrë pushtetin! Mirëpo, për hir të sinqeritetit, duhet pranuar se liderët e këtyre partive kanë njohuri jashtëzakonisht të mira për elektoratin e vet. Ja pse: Ata tashmë janë bindur se mbi 90% të elektoratit tanë janë “tifozë të bajraqeve dhe të krahinave” të cilët votojnë, jo për programe politike, por për individin e katundit apo krahinës së vet pa le të jetë ky i lyer edhe në të palarat më të pista!


Kudo tjetër në botë, po të kishte ndodhur një marrëveshje për koalicion mes partive antagoniste, elektorati i zhgënjyer do t´ua kthente shpinën dhe këto parti kurrë më nuk do e merrnin edhe një votë të vetme! Ngarendja “për t´u marrë me politikë” është bërë biznes fitimprurës që nga mbarimi i luftës. Nuk është numër i vogël i politikanëve tanë që në saje të abuzimit të postit kanë krijuar për vete dhe familjarët e tyre pasuri marramendëse. Po ashtu, nuk mund të mohohet e dhëna se shumë pjesëtarë të shërbimeve informative të vendeve të tjera, pas futjes në politikë zunë vende kyçe në pushtet dhe u dëshmuan si despotë të llojit të vet apo si grabitqarë të pasurisë vendore e duke mos bërë asgjë për atdheun. Më tragjike dhe për mua edhe sot e kësaj dite e pakuptueshme është e dhëna se këta “tipat e Vëllazërim-Bashkimit”, u lejuan të etablohen fort mirë në realitetin e ri të Kosovës së pas luftës. Si të kuptohet e mirë pranohet fakti që Azem Vllasi, komunisti i devotshëm i Josip Brozit dhe ai që krah për krah me Millosheviqin villte tmerr kundër shqiptarëve, ftohet në debate publike për të na mbajtur “mësime” politike dhe për një kohë mbanë edhe post shtetëror?! Apo, si u përkrah vite me radhë Agim Zatriqi , drejtor i RTK-së, i cili bashkë me Mihajllo Zvicerin e të tjerët ishte në ballë të atyre që nga mbledhja në mbledhje akuzonin rininë dhe intelektualët që demonstruan në vitin 1981 dhe kërkonte dënimet më të ashpra për ta?! Ose, si të kuptohet e mirë-pranohet e dhëna se Fadil Hoxha, ai që ishte përgjegjës për masakrën e shqiptarëve në Srem, për masakrat e përgjakshme dhe barbare mbi popullatën e pambrojtur civile të Drenicës pas Luftës së Dytë Botërore, bashkëpunëtori i devotshëm i shkijeve decenie me radhë, varroset me nderime ushtarake e shtetërore?!


A nuk janë rastet e këtilla dëshmi se prostitucioni politik zuri vend në Kosovë që në vitet e para të pasluftës? Raste të ngjashme ka edhe shumë e shumë.


Burgosjet politike që ju bëhen luftëtarëve të lirisë janë kaptinë e veçantë e përditshmërisë së hidhur në atdhe. Persekutohen, ta zëmë, ata që u hakmorën ndaj gjakpirësve që punuan me verbëri për regjimin serb në kohën kur ky regjim vriste gra e fëmijë shqiptarë. Dhe, për të qenë ironia edhe më e madhe, para pak ditësh një zyrtar i lartë evropian deklaron se, citoj: Gjykata Speciale nuk do ta gjykojë shtetin e Kosovës, por individët… Moti nuk na ka ofenduar dikush më rëndë si ky farë “gjeniu” duke na konsideruar të gjithë ne si injorantë dhe debilë. Po, kur paska pasur (ose paska) gjykatë që gjykon një shtet të tërë? Guximi i këtij mjerani që ofendon nivelin mendor të një populli të tërë nuk ka të krahasuar.


Por, t´i kthehemi përndjekjes së atyre që vranë ndonjë shka të tërbuar që vriste gra e fëmijë apo djemve që vranë ndonjë shqipfolës që ua lehtësonte “punën” kriminelëve sllavë. Nuk ka raste në histori të janë ndjekur ata që i dolën në ndihmë popullatës duarthatë që vritej e masakrohej nga gjakpirësi. Gjithkund në botë, gjatë dhe pas luftërave, janë dënuar ata që i kanë larë duart me gjak të popullatës së pafajshme si dhe ndihmësit e tyre. Le të na kujtohet vetëm ekzekutimi i shumë nazistëve (dhe ndihmësve të tyre) nga ana e shërbimit sekret izraelit, Mosad. Këta u ndoqën anë e kënd botës disa decenie me radhë dhe kur dështonte ekstradimi i tyre (nga Argjentina, Bolivia etj.), Mosadi i vriste në vendet ku këta kishin gjetur strehim (duke mos përfillur konventat ndërkombëtare për ndalimin e vrasjeve politike në një vend të huaj). Mosadi vrau edhe rojat e kampeve të përqendrimit me pretekst se kanë bërë krime ndaj çifutëve. Këtë nuk e fshehë askush. Këtë nuk e dënon askush. Për më tepër, Izraeli mburret me këtë veprim! Vrasësit dhe tradhtarët janë ndjekur dhe dënuar gjithmonë anë e kënd botës. Vetëm format mund të kenë qenë të ndryshme.


Mbase do të kishte qenë mirë që tek ne të palarat e ndryshme të kohës së luftës si dhe tradhtia kombëtare të sanksionoheshin me ligj. Mirëpo druaj se “koalicionistët” tanë, duke pasur ambicie të nivelit më të ulët dhe për ta ruajtur lëkurën e vet shkaku i të palarave të bëra janë “syhapur e të kujdesshëm”, ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare. Prandaj, nuk është vështirë të kuptohet frika karshi Bashkësi Ndërkombëtare për secilin hap që mund ta quajnë këta me nofkën e nacionalizmit. Ani çka? Me gjasë jemi ne shqiptarët që zbuluam se të jesh nacionalist na qenka diçka e keqe. Jo, o të mjerë! Kokat më të ndritura të kombit tonë (dhe kombeve të tjera) kanë qenë, dhe janë nacionalistë. Çfarë e keqe është ta duash kombin tënd më shumë se kombet e tjera? Tjetër “mesele” është çështja e nacional-shovinizmit apo e ultranacionalizmit! Dhe, për të dëshmuar se ne nuk jemi nacionalistë, ngarendim të shkelim mbi të gjitha vlerat kombëtare dhe u japim minoriteteve të drejta që nuk i gëzon asnjë minoritet askund në botë. Tek ne në Kosovë minoritetet gëzojnë të drejta që shkojnë deri në absurd. Pesë përqindëshi i pakicës është shtetformues në Kosovë. Ku ndodhë kjo? Lirisht mund të thuhet se pakica serbe është më shumë se e barabartë me shumicën shqiptare. Le të na kujtohet, ta zëmë, se para pak muajsh në Letoni u mbajt referendumi nëse gjuha ruse duhet të jetë zyrtarisht e barabartë me letonishten. Në Letoni popullata ruse bën jo më pak se 33% të popullatës së gjithmbarshme. Dihej që më herët se rezultati i referendumit do të jetë kundër gjuhës ruse. Kështu edhe ndodhi… Dhe, askujt nuk i pengoi kjo. BE-ja nuk e quajti këtë akt jodemokratik. Nuk i pengojnë Evropës hordhitë kriminele serbe dhe ruse në veri të Mitrovicës. Nuk i pengojnë as barrikadat e tyre. Kurse, nga ana tjetër, në Kosovën e lodhur nga tutorizmat e panumërta, nuk lejohet pothuajse asgjë që mund të quhet kombëtare shqiptare! Ju pengon flamuri kombëtar! Ju pengon himni kombëtar! Ju pengon e vërteta për krimet e bëra nga ana e hordhive sllave! Ju pengon… Çka s´ju pengon?!


Dhe, fatkeqësisht, të gjitha të ligat do vazhdojnë të rëndojnë mbi supet e shqiptarit përderisa elita jonë politike dhe shtetërore bën prostitucion politik dhe nuk i pengon makiavelizmi primitiv… Ose, përderisa nuk mbushet mend ky popull i gjorë!

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …