Brickos

Dr. Shefqet Krasniqi: Pse nuk e festojmë Vitin e Ri


Ashtu siç kaluan shumë vite, dekada e shekuj, ashtu po kalonn edhe ky vit. Me të, në fakt, po kalon edhe një pjesë e jetës sonë që do të thotë se jemi një vit më afër vdekjes, më afër dheut, më afër të të shndërruarit në ushqim për insektet brenda tokës. Nëse e imagjinojmë se aq sa ka mbetur deri në fund të këtij muaji e të këtij viti, po të dinim se vetëm aq ditë kanë mbetur nga jeta jonë, a thua si do ta ndiheshim vallë? Eh, pak kush mendon për këtë, pak kush e ka në konsideratë se vdekja mund të jetë shumë afër, ndoshta më afër sesa rrobat në trup. E njerëzit vetëm njëherë vdesin, disa vdesin fizikisht por me veprimtarinë e tyre mbetën gjithmonë në kujtesë, kurse disa vdesin përgjithmonë. Ndaj, më tu përshëndetur nga kjo botë, nuk ka më kthim në të, por vetëm para. Para po, por për ku se?! Nuk e dimë, sigurisht se nuk e dimë se çfarë na pret në botën e përtejme, megjithatë, ka shumë njerëz që lutën dhe punojnë me zell për botën e amshueshme ndaj edhe shpresojnë të jenë fatlumë dhe të jetojnë në lumturi të përhershme. Këta fatlumë do të jenë me siguri ata(o) që në këtë botë patën besuar Zotin, zbatuan porositë e tij dhe bënë punë të mira aq sa patën mundësi duke kujtuar vdekjen për çdo çast dhe çdo ditë.


 


Eh, sa mirë do ishte sikur të gjithë njerëzit ta kujtonin vdekjen e të mendonin për jetën pas vdekjes, por ja që të atillë nuk ka shumë. Madje një shumicë e madhe as që donë t’ua përmendësh vdekjen, nuk donë të mendojnë e as ta kujtojnë vdekjen. Ata ‘nuk kanë kohë’ me u marrë me vdekjen dhe jetën pas saj, sepse kanë për t’i shijuar ‘të mirat e kësaj dynjaje’, edhe pse deshën apo nuk deshën vdekja do të merret me ta.


 


Për fat të keq, shumë njerëz nuk e shohin fundin e vitit nga ky kënd, që po e shtjellojmë, por e shohin si një ‘dhuratë të madhe’ që duhet shfrytëzuar, e shikojnë si një ‘festë’ që duhet kremtuar e zbavitur pamasë. Andaj edhe harxhojnë duke u përgatitur sa më mirë për këtë festë, duke u munduar që nëpërmjet saj t’i përballojnë sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen gjatë jetës. Duke menduar se me të po ngritën e civilizohen, etj. I bëjnë të gjitha këto veprime pa e lodhur mendjen se a ia vlen barra qiranë, se e kujt është kjo festë, se a e kemi të lejuar ta festojmë këtë festë, në veçanti ne si musliman, apo jo.  Ndoshta edhe nuk e dinë, e besa disa ndoshta edhe po harrojnë se kjo festë nuk ka të bëjë asgjë me Fenë tonë Islame, madje kjo në origjinal nuk ka të bëjë as me të krishterë e as me fenë hebraike, sepse thjeshtë ajo në origjinë është një festë pagane e Romës së lashtë, e përcjellë dhe e futur më vonë edhe tek të krishterët, e kohëve të fundit


edhe tek Muslimanët.


 


Andaj, pyetjen me të cilën e emërtova këtë shkrim ma kishte bërë një dëgjues shumë kohë më parë, dhe iu pata përgjigjur përse po më pyet pasi që po e ditke përgjigjen. Ndaj, mendova të ua rikujtojë qytetarëve tanë se festimi i kësaj feste është i ndaluar rreptësisht, pra Haram i qartë.


 


Ai e cili e feston këtë festë ka bërë mëkat të madh për nga ana e fesë. Po ashtu shpenzimet e mëdha që bëhen gjatë kësaj “feste”, kot e kot, janë shpenzime për të cilat besimtari do të jap llogari para Zotit fuqiplotë. Kjo në vete është një mëkat tjetër dhe një shkak më shumë për ta merituar hidhërimin e Zotit, e si duket kësaj radhe Allahu po na e rikujton, përmes sinjaleve të tij, se ne duhet përmirësuar raportet me Të. Kaloi pothuajse gjysma e dimrit ende pa borë, niveli i liqeneve dhe lumenjve ka rënë, puset e krojet pothuajse janë shterur. Në anën tjetër mjegulla e madhe na mbyti, ndaj këto nuk janë shenja të mira. Me festimin e kësaj feste nuk fiton kush pos djallit të mallkuar, që shkakton tollovi, huti, dehje e armiqësi në mes të njerëzve, e ndoshta edhe disa pronarë të restoranteve dhe disa tregtarë të shkujdesur e materialist që nuk u intereson asgjë përpos parasë, pavarësisht se si është fituar ajo. Pra thjesht është interes komercial, ndërsa pëson populli i gjorë të cilit i mungojnë edhe gjërat elementare të jetës.


 


Si do që të jetë, ky vit po shkon si shumë të tjerë po pas vetës po lë shumë gjëra, shumë ndodhi. Përgjatë këtij viti patëm gjëra pozitive e që mjerisht nuk ishin të shumta, ndër to mendoj se ishin edhe ndryshimet në zgjedhjet lokale, ku vërtet iu dha një grusht i mirë dështimeve politike, nuk doli fare si e kalkuluan disa nga politikanët. Disa prej tyre madje akoma ndihen ‘të shokuar’ e nuk po mund t’i gjejnë arsyet e humbjes, ani pse shumë prej tyre po i dinë, ne dhe ata së bashku, por po bëhen sikur nuk po i dinë. Populli i ndëshkoi mirë dështuesit e mashtruesit, u dha një grusht të mirë, e shpresoj dhe lus Zotin që ky grusht të jetë edhe ma i rëndë në zgjedhjet që do të vijnë.


Sa i përket gjërave negative, mund të shkruajmë derisa të lodhemi sepse ato ishin të shumta në çdo sferë. Që nga sfera e fesë, ku disa nga liderët tanë vollën vrer kundër fesë së vet, e deri tek ato ekonomike e politike.


 


Pra, këto ishin të zezat e këtij viti që mendoj se duhet të shënohen me shkronja të zeza në histori, duke filluar nga nënshkrimi i marrëveshjes famëkeqe me Serbinë deri tek formimi i komunave të udhëhequra nga strukturat paralele, të udhëhequra nga njerëz të cilët e luftuan dhe vazhdojnë ta luftojnë e ta shkatërrojnë Kosovën me tërë potencialin që kanë. Parlamenti i Kosovës, de-facto, ia bëri për hair Serbisë veriun e vendit apo ndarjen e tij, politikanë mjeranë.


 


Belaja bëhet edhe më e madhe kur në fakt po shihet se ne i ndihmuam Serbisë të marrë rrugën për Bashkim Evropian, ndërsa ne mbetëm të izoluar e të katandisur apo thjeshtë ‘me gishta në gojë’.


Sa shumë po më dhimbset ai gjak që është derdhur dhe ato vuajtje e tortura që i përjetoi ky popull i gjorë, ndërsa vendi po dëmtohet e cungohet përditë jo vetëm me paralelizma por edhe me marrëveshje zyrtare. Ndaj përsëri tek pyetja e dëgjuesit të asaj kohe pse po më pyet a bënë të festojmë, po çka të festojmë se!, humbjet apo dështimet, apo mos dikush ka ndërmend të festojë për sukseset e armikut tonë. Kaloi një vit i zakonshëm për nga ditët, por pazakontë për nga ngjarjet dhe ndodhitë. Lusim Zotin që të na drejtojë e të na udhëzojë, të na i sjellë punët më mirë sesa që meritojmë. Amin dhe deri javën tjetër të vitit të ardhshëm me një temë tjetër selam alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Përsosmëria e legjislacionit islam


 


Njerëzimi që nga fillimi i historisë ka përjetuar shumë legjislatura dhe ligje që nga ato të xhunglës deri tek ato më bashkëkohore. Kjo për faktin se, siç shprehet themelvënësi i sociologjisë Ibn Khaldun, njeriu si qenie sociale ka nevojë për ligj që t’i rregulloj çështjet e tij dhe t’i referohen atij në rast mosmarrëveshjeje, mospajtime apo grindje të natyrave të ndryshme. Mu për këtë fakt Zoti i dërgoi njerëzimit profetë të shoqëruar me legjislacione të cilat rregullonin marrëdhëniet njerëzore dhe sa herë që njerëzit i ndryshonin


ato legjislatura apo devijonin nga rruga e profetëve, Zoti u dërgonte serish të dërguar me legjislaturë të re, e cila përshtatej me atë popull, me kohën, rrethanat dhe natyrën e jetesës së tyre. Ky dërgim i profetëve vazhdoi për një periudhë të gjatë derisa erdhi koha për ta dërguar legjislacionin e fundit Sheriatin Islam, të cilin e barti profeti Muhamed alejhiselam, duke qenë profet për mbarë njerëzimin, Kurani sqaron këtë fakt duke pohuar:


“Thuaj (Muhamed): “O njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut tek të gjithë ju. Allahu është ai që nuk ka të adhuruar përpos Tij dhe vetëm Atij i takon sundimi i qiejve e i tokës; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni


Allahun dhe të Dërguarin, Pejgamberin e Tij.” (El A’raf:158).


Për shkak të këtyre dimensioneve, këtë legjislacion e bëri edhe gjithëpërfshirës, siç thotë në Kur’an: “Ne ty (Muhamed) ta shpallëm librin sqarim për çdo send” (Nahl, 89). Çka do të thotë se kjo legjislaturë përfshin të gjitha segmentet e jetës së njeriut, qofshin ato shpirtërore-pra në raport me Zotin e tij, qofshin morale, etike, kulturore, sjellje e marrëdhënie në raport me njerëzit. Gjithëpërfshirës i jetës se njeriut që nga djepi deri në varr, gjithëpërfshirës edhe në spektrin e rregullimit të jetës së kësaj bote përfshirë fushën e arsimit, edukimit, ekonomisë, tregtisë, trashëgimisë etj.


Ndaj, si mos të jetë ky sheriat i tillë kur burimi i tij është nga vet Ai që di çdo gjë, siç ka thënë Zoti: “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai i njeh thellësisht sekretet dhe është hollësisht i njoftuar për çdo gjë.” (El-Mulk: 14).


Ai është i gjithëdijshmi absolut. Për shkak të këtyre veçorive dhe shumë të tjerave Sheriati është legjislatura më e përsosur që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Është i vetmi legjislacion që arriti të përshtatet dhe të kontribuoj në të gjitha kohërat dhe gjeneratat, pavarësisht rrethanave dhe kushteve që jetonin apo jetojnë njerëzit. Është sistemi i vetëm që arriti t’i përballojë të gjitha sfidat me të cilat u ballafaqua gjatë gjithë kohës, nga dita që zbriti në Mekë e deri më sot. Të gjithë njerëzit e mendjes dhe të logjikës së shëndoshë janë në ujdi rreth përsosmërisë dhe vazhdimësisë së këtij legjislacioni; i vetmi i cili ka aftësi të zgjidhë problemet me të cilat ballafaqohet njerëzimi nga koha në kohë, përfshirë edhe periudhën tonë bashkëkohore e post-moderniste, siç shprehet filozofi i njohur anglez Bernaço.


Mu për shkak të kësaj vazhdimësie e përsosmërie të legjislacionit islam, njerëzit e dijës dhe intelektit vazhdojnë ta pranojnë atë si sistem të përkryer vlerash që ofron zgjidhje të ndryshme për shoqëritë madje


qofshin ato edhe sekulare. Madje qeveri të ndryshme po shikojnë mundësitë që pjesë të këtij legjislacioni –Sheriatit Islam, të inkorporohen në ligjet e vendeve të tyre, siç ishte rasti i i fundit me ministrin e drejtësisë së Gjermanisë apo më herët i një zyrtari të lartë anglez, pastaj norvegjez etj. Këto fakte jo që ia ngritin vlerën Sheriatit Islam, jo që e bëjnë Fenë Islame më madhështore se që është. Për të vërtetuar se dielli ndriçon dhe hëna rrezon, nuk ka nevojë për dëshminë e askujt. Por dëshmi të këtilla ua rikujtojnë neo-komunistëve tanë, një pjese të madhe të intelektualëve, qeveritarëve, liderëve politik, profesorëve e akademikëve, se tendenca


e tyre për të ikur nga islami-si identitet fetarë është gabim dhe i panevojshëm.  


Ne si shoqëri po të mburreshim me përkatësinë tonë islame dhe të punonim sipas vlerave të saj të mëdha do të arrinim një kulturë e civilizim të lakmueshëm ashtu që të na kishin lakmi të tjerët, pikërisht siç na


e kishin lakmi dikur, madje edhe këta evropianët pas kulturës së tyre ne pothuajse po ‘duam të çmendemi’. Mirëpo, me të drejtë ka thënë populli se njeriu është armik i asaj që nuk e njeh. E këta njerëz (natyrisht një pjesë e tyre), nuk e njohin këtë fe madhështore, nuk e kanë shijuar ëmbëlsinë e saj, andaj edhe mendojnë se është me kripë. Ndoshta pse kanë jetuar në një sistem i cili ua ka shpërlarë trurin apo se mos ndoshta po mundohen të bëhen ‘më katolik se Papa”, nuk e di, mbase mundë të ketë edhe arsye tjera, por një gjë është e


qartë se këta njerëz nga mosnjohja e realitetit po paragjykojnë aq shumë ndaj këtij Islami sa që po frikësohen madje edhe prej vet emrit të tij. Kështu urrejnë çdo gjë që ka të bëjë me Islam, madje çoftë edhe një leckë në kokë –shami, edhe pse shumica i përkasin vet kësaj feje por nuk dinë thuajse asgjë në lidhje me të. Mendoj se kam të drejtë t’i sfidojë të gjithë politikë-bërësit, që shpesh shesin mend mbi të ashtuquajturin ‘radikalizëm dhe ekstremizëm islamik’, që të citojnë në mënyrë adekuate qoftë edhe një libër të vetëm mbi Islamin si tërësi e lërë më për temat dhe fenomenet që na flasin. Nuk e di se si ndihen dhe çfarë do të mund të sajojnë tashmë përfolësit dhe akuzuesit e ‘ekstremizmit islamik’ kur përballen me njerëz të këtij kalibri, si ministri gjerman i drejtësisë, mu në zemër të Evropës, të cilët kërkojnë që pjesë të Sheriatit të inkorporohen brenda sistemit juridik në shtetet e tyre.  Çfarë kontrasti! A thua do të mbledhin mend ndonjëherë këta tanët, a do të ndihen të turpëruar për atë që padrejtësisht ia veshin Islamit-fesë së tyre apo do të vazhdojnë edhe më tej me idetë komuniste të shekullit të kaluar!? Si do që të jetë njerëzit e civilizuar e të shkolluar do vazhdojnë ta vërtetojnë e ta dëshmojnë madhështinë dhe përsosmërinë e Sheriatit Islam, përshtatshmërinë e


tij me çdo kohë dhe çdo vend. E këta tanët Allahu i drejtoftë e i udhëzoftë, e i bëftë që ta kuptojnë hakun- të vërtetën. Të ndihen krenarë e të lumtur me përkatësinë e tyre fetare dhe kombëtare, të gjuhës e të fesë. Amin dhe deri javën tjetër me një temë tjetër selam alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Kosova në ditën botërore kundër korrupsionit


 


Gjatë luftës sonë çlirimtare më ka rastisur të qëndroj për një kohë në Tiranë. Gjersa përcillja mediet atje në atë kohë fjala që më së shumti zinte vend nëpër veshët tanë ishte fjala “korrupsion”. Aq shumë e dëgjoja atë fjalë saqë mu mbush mendja se në Shqipëri nuk paska asgjë tjetër përpos hajnisë dhe, natyrisht, nëpër kokë me sillej ideja se këta njerëz si duket i paska “prishur Enveri” e nuk po ditkan tjetër pos të marrin para pa djersë, ta mashtrojnë e ta vjedhin njëri tjetrin. Disi shumë u mërzita dhe thosha me vete: shyqyr o Zot që ne në Kosovë nuk jemi të tillë. Por më kalimin e kohës më doli e kundërta, kuptova se edhe ne nuk jemi fare më të mirë se ata dhe se si duket populli ynë në përgjithësi e ka në gjak me marr paranë “pa djersë” apo me ‘fituar’ lehtë, pa u lodhur fare.  Në këtë jetë pothuajse nuk ka asgjë më të vështirë sesa të identifikohesh si hajn nga të tjerët, ndaj sa keq që këtyre ditëve pikërisht neve na përshkruan si një ndër vendet më me shumë korrupsion në rajon e ndoshta edhe në botë.


Për mua do ishte shumë më e lehtë dhe më e kapshme të njihemi si vend i varfër, i pazhvilluar, pa arsim cilësor sesa të njihemi si vend i korruptuar. Sepse varfëria është një proces që nganjëherë ndodh pa ndikimin e faktorit njeri, por me kohë kalon. Ndërsa korrupsionin e shkakton faktori njeri. E kjo i bije se qytetari po e vjedh shtetin e vet, vendin e vet. I bije se po e hanë djersen e huajë. I bije se ma më rëndësi ka xhepi i qytetarit sesa pasurimi dhe zhvillimi shtetit. I bije që interesi personal ka prioritet ndaj atij shoqëror. Deri dje sa ishte pushteti serb, ne ua venim fajin atyre për shkatërrimin dhe dëmtimin e shtetit, ndërsa sot vet ne qytetarët shqiptarë po e vjedhim shtetin tonë, të cilin e kemi ndërtuar me mund të madh, po e dëmtojmë


këtë liri e cila është fituar me gjak? Kjo nuk është lehtë për tu kuptuar. Korrupsioni apo siç njihet ndryshe në shoqëri ryshfeti, është një bela e madhe, një virus i cili po e kaploi shoqërinë nuk largohet pa e shtri atë shoqëri për tokë. Pastaj është ‘një sëmundje ngjitëse’, e cila me të shpejt përhapet gjithandej shoqërisë, sepse logjikisht ata që nuk mendojnë tjetër përpos parasë e llogarisin se: kur ka mundësi të fitosh për një ditë sa për një muaj, qoftë edhe me ryshfet, atëherë pse të mos fitosh, pse të lodhesh e punosh një muaj?


Por, kur ndërhynë mendja e shëndosh dhe shpirti i pastër atëherë nuk e lë këtë logjikë egoiste të vendos, por vendos mendja e shëndoshë, dhe njeriu i thotë vetes: ndal, kjo është haram, është jo legjitime, kjo dëmton shtetin, shkatërron shoqërinë.


Të gjitha shtetet në të cilat është i përhapur ryshfeti, ato shtete ose janë buzë greminës ose në rrugë e sipër për në greminë. Sepse nuk ka bereqet në atë vend ku populli vjedh e korrupton njëri-tjetrin. Për këtë shkak Islami konsideron këtë dukuri si një ndër dukuritë më të shëmtuara dhe me më shumë pasoja në shoqëri. Mjafton fakti se Muhamedi alejhiselam ka mallkuar atë që jep ryshfet, atë që merr ryshfet, bile edhe atë që ndërmjetëson, që të tre janë të mallkuar. Çka do të thotë se ata jo që nuk kanë me ia pa hairin, por se Zoti nuk ka me i lënë të qetë sa të jenë në dynja. Nuk kanë me bërë rehat as fëmijët e tij të cilët i ka ushqyer me para të ryshfetit dhe natyrisht në botën tjetër e pret dënim i merituar.


Po të dinte njeriu se sa haram dhe sa keq është të hajë ryshfet, respektivisht të korruptojë apo korruptohet, më parë do të pranonte të hajë zjarr sesa ryshfet.


Gjatë kësaj jave në Kosovë u shënua dita ndërkombëtare kundër korrupsionit. Nga vet fakti se ekziston dita ndërkombëtare për këtë fenomen kuptohet se kjo dukuri është e përhapur gjithandej nëpër botë, por natyrisht diku më shumë e diku më pak. Në tryezat e organizuara për këtë rast u theksua se vendi ynë është i zhytur thellë në korrupsion dhe se niveli i korrupsionit tek ne është shumë i lartë dhe atë mjerisht thuajse në të gjitha institucionet, apo në shumicën absolute të tyre. U bënë thirrje të mëdha që të luftohet korrupsioni, u dhanë zotime ashtu siç janë dhënë edhe më herët se do luftohet kjo dukuri, se nuk do ketë tolerancë ndaj kësaj dukurie, por ende larg dukjes së një përparimi të qartë në këtë fushë. U  cekë gjithashtu se Agjencia kundër Korrupsionit ka bërë një punë mjaftë të madhe në këtë drejtim, por nuk janë marrë masa kundër të dyshuarve.


Sido që të jetë, korrupsioni është dukuri që duhet të na preokupojë të gjithëve, në veçanti ata që mund të bëjnë diçka kundër saj siç është në këtë rast qeveria dhe gjyqësori. Mendoj se duhet të ofrohet një sensibilizim i përgjithshëm për vetëdijesimin e shoqërisë në këtë fushë, e sigurisht se feja luan një rol jashtëzakonisht të madh dhe të pamohueshëm në këtë fushë, duke sqaruar shenjtërinë e pasurisë/parasë dhe se ajo nuk guxon të keqpërdoret. Pastaj rëndësia e fitimit të parasë hallall, apo në mënyrë legjitime. E pa dyshim se njeriu i cili është fetar, i lidhur me qiellin, ai është larg ryshfetit, sikurse që është larg çdo dukurie negative apo të dëmshme për shoqëri. Allahu e drejtoftë këtë shoqëri, e na ruajt vendin tonë nga njerëzit e ligj e dashakeq. Amin dhe deri javën tjetër me një temë tjetër selam alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …