Brickos

Abaz Pllana: Të dish për keq është injoranca më e madhe

Ka shumë vite që propaganda serbe është duke punuar kundër UÇK-së,  e cila dha kontributin maksimal  në çlirimin e Kosovës. Aparatura komplekse, që kalon kufijtë e shtetit serb është vënë në funksion të denigrimit dhe njollosjes së luftës së drejtë çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. Serbia duke u munduar që të sigurojë sa më shumë ndikim në Kosovë, ka ngjallur edhe segmentet e kësaj makinerie antishqiptare edhe në Kosovë. Dhe kjo bëhet duke vlerësuar momentet e fundit të saj, që mund të quhen historike, në destabilizimin, dobësimin dhe kufizimin e sovranitetit të Kosovës.  Në përpjekje të mëdha dhe të gjithanshme të linjës propagandistike serbe, kanë hyrë me dashje apo “pa dashje” edhe shumë të pafytyrë shqiptarë që ngrehin  kokën të maskuar për të shërbyer edhe një herë më shumë në makinerinë propagandistike kundër shqiptarëve dhe luftës së tyre çlirimtare në Kosovë.


Ka disa javë që toni i shërbyesve të kësaj propagande antishqiptare ka rritur tonin duke kaluar edhe kufijtë e arsyes së njeriut. Madje duke u paraqitur si intelektualë dhe shërbyes të së drejtës.


Për të ditur më mirë qëllimin dhe përmbajtjen e akuzave të lansuara këtë radhë në gjuhën shqipe (në gjuhën serbe i kemi dëgjuar dhe lexuar që shumë vite), mund të shtrojmë pyetjen se sa gurë vendosën ata në kalanë e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës gjatë gjithë jetës së tyre. Asnjë. Ndoshta edhe më keq se kaq. Sa herë patën rastin hoqën ndonjë gurë nga themelet dhe muret e kësaj kalaje për të dëmtuar atë që ndërtohej me gjak dhe mund.


Një soj i tillë që e quajnë veten intelektualë, janë hiq më pak se injorantët më të mëdhenj. “Të dish keq është injoranca më e keqe” thoshte poetja franceze, Anne Barratin. Injorantët dhe pseudointelektualët nuk i durojnë mitet, nuk i durojnë heronjtë dhe simbolet bashkuese të popullit pa përjashtuar edhe herën kur janë simbolet e popullit të tyre. Tipat si këta kanë dëshirë për kaos. Të tillët me intelektin e tyre të kufizuar apo më mirë me thënë me pseudo-intelektin e tyre kanë mundur dhe do të mundnin të shërbejnë në krijimin e miteve dhe figurave kombëtare në atë nivel që të admirohen nga populli për të vazhduar të jetojnë si shqiptarë si deri më tash. Por, fatkeqësisht janë rreshtuar kundër miteve dhe legjendave shqiptare, kundër interesit shqiptar – kundër shqiptarëve.


Popujt e tjerë që nuk kishin Adem Jasharët e tyre, imagjinuan legjendat e veta. E bënë intelektualët dhe mendja e ndritur e popullit sepse duhej të bëhej. Tek ne “intelektualët” të përfshirë në propagandën e vjetër dhe të re serbe shkatërrojnë legjendat reale dhe të gjalla të popullit tonë. Dhe përpiqen ta  bëjnë këtë në mënyrë barbare. Sa të gërditshëm dhe sa qyqarë këta gazetarucë të paguar me pak grosh.


Gjithë popujt tjerë nderojnë dhe respektojnë ata që u sakrifikuan për atdheun e tyre. Edhe shqiptarët e kanë bërë këtë gjithmonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë në të ardhmen deshën apo nuk deshën pjesët e makinerisë serbe. Historia do të shkruhet edhe më tej me gjakun e heronjve dhe martirëve të popullit tonë deshën apo nuk deshën “intelektualët” e çoroditur të ditëve të sotme. Historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës e shkruan me gjakun e tyre Adem Jashari me shokë kurse turpi i gazetarucëve të sotëm do të jetë një puzle që do të rëndojë përjetë në shpirtin e tyre të keq.



3 shtator 2013


 

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …