Prof. Ass. Dr. Fidan Zeneli: HISTORIA E KOSOVËS NUK GJYKOHET ME NJË AKTGJYKIM

Kosova po përballet me një nga momentet më të ndjeshme të historisë së saj të re. Aktgjykimi dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka shkaktuar dhimbje dhe shqetësim te populli shqiptar. Por një vendim i tillë nuk duhet parë vetëm përmes emocioneve të momentit. Ai kërkon kujtesë historike, maturi dhe një vështrim të thellë mbi rrugëtimin e Kosovës – nga rezistenca, te lufta, nga çlirimi drejt shtetësisë.

Historia e re e Kosovës nuk fillon në Hagë dhe nuk përfundon me një aktgjykim. Ajo është rezultat i një rrugëtimi të gjatë historik të popullit shqiptar të Kosovës, i cili për dekada ruajti identitetin, gjuhën, kulturën dhe aspiratën për liri, përballë politikave diskriminuese dhe represive të pushtetit serb.

Në fund të viteve ’80 dhe gjatë viteve ’90, Kosova hyri në një periudhë të rëndë politike dhe shoqërore. Heqja e autonomisë së Kosovës, represioni institucional, largimi i shqiptarëve nga institucionet, diskriminimi dhe shtypja politike krijuan një realitet të rëndë për shumicën shqiptare. Përballë kësaj gjendjeje u zhvillua një rezistencë e gjerë politike dhe qytetare, e cila për vite me radhë kërkoi zgjidhje politike dhe paqësore.

Por, kur represioni vazhdoi dhe rrugët politike nuk sollën zgjidhje, në Kosovë u shfaq dhe u fuqizua Ushtria Çlirimtare e Kosovës. UÇK-ja u bë forca kryesore e organizuar e luftës së armatosur shqiptare në Kosovë. Ajo zhvilloi luftë kundër forcave ushtarake dhe policore serbe. Lufta e UÇK-së nuk mund të shkëputet nga rrethanat historike që e paraprinë atë. Ajo duhet parë në kontekstin e represionit, dhunës, vrasjeve, dëbimeve dhe shkatërrimit që përjetoi popullsia shqiptare gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Në këtë luftë humbën jetën mijëra njerëz. Familje të tëra u shkatërruan. Fshatra dhe shtëpi u dogjën e u shkatërruan. Qindra mijëra shqiptarë u detyruan të largoheshin nga Kosova. Shumë prej tyre u kthyen pas përfundimit të luftës, ndërsa shumë familje mbetën përgjithmonë me plagët dhe humbjet e asaj periudhe.

Në anën tjetër, mijëra burra dhe gra iu bashkuan luftës së UÇK-së dhe shumë prej tyre dhanë jetën. Dëshmorët e luftës mbeten pjesë e kujtesës historike të Kosovës dhe të rrugëtimit të saj drejt lirisë.

Viti 1999 ishte kthesa vendimtare. Ndërhyrja e NATO-s, tërheqja e forcave serbe nga Kosova dhe vendosja e administrimit ndërkombëtar hapën një kapitull të ri. Pas luftës filloi një etapë tjetër: rindërtimi i vendit, kthimi i të dëbuarve, krijimi i institucioneve dhe ndërtimi i një rendi të ri politik. Prandaj, lufta e Kosovës e viteve 1998–1999 nuk është një ngjarje e izoluar, por pjesë e një procesi historik që përfshin rezistencën politike, luftën e UÇK-së, sakrificën e popullit, ndërhyrjen e NATO-s, çlirimin, administrimin ndërkombëtar dhe, më pas, ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Historia juridike e një procesi gjyqësor ka kufijtë e saj. Historia e një populli është shumë më e gjerë. Ajo përfshin breza të tërë, viktima, dëshmorë, familje, dëshmi, dokumente, kujtime dhe ngjarje që kanë formësuar fatin e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

14 vjet nga revolta kundër UNMIK-ut i cili lejoi krijimin e strukturave paralele serbe në Kosovë

Dr. Gurakuç Kuçi: PADREJTËSIA E HAGËS DHE RREZIKU PËR NJË “MARS 2”

Trazirat e 17–18 marsit 2004 u iniciuan nga Serbia dhe manipuluan zemërimin e masës për …