leoni

Dr. Shefqet Krasniqi: Shuplaka e Zotit


Këto ditë përjetuam një stres të llojit të vet. Ai ishte stresi i kërkimit të votës nga kandidatë të ndryshëm të cilët, siç i portretizonin nganjëherë mediet, ishin në gjendje të fshinin edhe xhamat e makinave në semaforë të kryeqytetit vetëm për të fituar një votë. Pas një maratone të gjatë e të mundimshme, me balotazhe e gara të pafavorshme, më në fund dolën edhe rezultatet që për shumë kë ishin sa të pa pritshme po aq edhe të pakëndshme. Natyrisht të pakënaqurit ishin kandidatët e ndryshëm ndërsa i kënaqur u nda vetëm populli, pra votuesit pasi që panë me sy se paskan mundësi dhe potencial të bëjnë ndryshime. Ndaj disa nga të pakënaqurit e quajtën këtë përvojë të hidhur si ‘shuplakë të lehtë’, disa të tjerë u shprehën se ‘jeta është më e gjatë se sa një palë zgjedhje’, të tretët thanë se ‘duhet bërë reforma brenda partisë’, disa të tjerë madje përjetuan shok, u shtangën e nuk nxirrnin dot fjalë nga goja, e disa të tjerë qe besa mbetën me ‘duar në xhepa’ ashtu siç në fakt ‘kërkuan’ të mbesin. Kështu e ka kjo dynja, herë lartë e herë poshtë, herë gëzim e herë hidhërim, derisa të vije një ditë e madhe ku pas saj ose do ketë gëzim ose hidhërim përgjithmonë; e pak kush po mendon për atë ditë, he medet.


Është e vërtet se një parti kësaj radhe hëngri një shuplakë, por a thua nga kush? Ajo shuplakë ju erdhi nga lartë dhe besoni se kjo është njëmend ‘shuplakë e lehtë’ në krahasim me atë që do të mund të pasojë në zgjedhjet parlamentare. Po mund të pajtohem me deklaruesin e asaj partie se ‘jeta është më e gjatë sesa një palë zgjedhje’. Por çka më pas?! Shuplaka ju erdhi nga Ai që sheh dhe dëgjon, nga Ai që hidhërohet kur nënçmohet, fyhet dhe përulët feja e Tij. A mendojnë njerëzit se Zoti i lë rehat gjersa ata sulmojnë aq keq fenë e Tij? Vjellin vrer kundër Tij, bile edhe atë në muajin e shenjtë, bile në prag të Bajramit? A nuk u pata thënë se Zoti është i madh, o njerëz, mos luani me fenë e Tij e të fyeni ndjenjat e besimtarëve se Zoti ju ndëshkon në këtë botë para se të ju ndëshkojë në botën tjetër? Nuk ia jep Zoti të mbarën atij që e lufton identitetin dhe fenë e vet. Fatkeqësia qëndron pikërisht në atë se disa njerëz në këtë vend po mundohen të ngritën duke fyer e sulmuar fenë e vet, duke u bërë ‘më katolik se Papa’, ani le të vazhdojnë e ta shohim në zgjedhjet parlamentare.


Dikur një personalitet eminent i një partie u patë thënë kolegëve të tij në parlament: ‘a po e shihni se partia jonë po rritet’, e unë tash po i them atij ‘A po e shihni se partia juaj po bie, ndërsa ndikimi i muslimanëve po rritet! Duhet të jemi real e ta themi të vërtetën, nuk mund të shkohet para me parti e me partiak që asgjë tjetër nuk dinë përveç të fyejnë, ofendojnë e të shprehin mllefin ndaj bashkëqytetarëve dhe bashkëfetarëve të tyre vetëm pse kanë një çikë pushtet dhe kinse po u shkon fjala në parlament. Ndaj kur njeri prej tyre deklaroi se ‘duhet bërë reforma brenda partisë’ menjëherë më shkoi mendja se po vallahi ka nevojë të bëhen reforma, madje reforma e parë që ka nevojë të bëhet është të përzihen dështakët dhe ofenduesit publik të besimtarëve nga partia ngase sa të jenë ata brenda në parti, aty nuk do të ketë berqet asnjëherë. Pastaj që të gjithë partiakët, pushtet e opozitë, t’i kthehen realitetit e të shkelin në tokë të bukës se përndryshe populli di t’i ndëshkojë madje edhe më keq se kaq.



Krahas këtyre partiakëve pati edhe të atillë që me ‘duar në xhepa’ i sfidonin të gjitha partitë, madje edhe Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë, ku përkundër partive dhe kandidatëve tjerë, këta të fundit nuk u ‘lagën fare’ as për t’ua bërë një vizitë apo të kërkojnë votën e tyre. Pikërisht ishin këta që dërguan ekskavator për të rrëzuar xhamitë –shtëpitë e Zotit në tokë- faltoret e muslimanëve. Ishin ata që u tallën me popullin e vet, si në kohën e Sheshelit, se mund ta ‘blini Grandin që tu japim leje për Xhami’. Eh, Zoti është i madh, Ai sheh dhe dëgjon. Si mendon të ngadhënjejë një “lider” që lëndon zemrat e muslimanëve, kur muslimanët lutën natën kundër tij.


Si mund të ngadhënjejë një lider që pranon anëtarë të përzënë nga partitë e tyre ku kanë ‘shërbyer’ me vite dhe janë përzënë pikërisht për shkaqe rebelimi. Si duket ‘rrogëtare’ të këtilla pa vlera e pa ideale, sjellin me vete vetëm fat të zi dhe dështime, pasi muslimanët u lutën gjatë e gjatë mu në pikë të natës, ndaj partia që e përzuri u afrua me muslimanët dhe u ngritë, ndërsa partia që e pranoi dëshironte t’i merrte votën muslimanëve me duar në xhepa dhe ashtu ndodhi, muslimanët e bojkotuan dhe ajo mbeti me duar në xhepa. 


Më kujtohet kur edhe unë përgojohesha gjatë zgjedhjeve të 3 Nëntorit se ‘deklaratat e Albin Kurtit për tu ofruar tek muslimanët dhe përkrahja e Shefqetit bënë ata të pësojnë në vota”, ndërsa tani a thua vallë çfarë do të thonë se Shefqeti u shndërrua në ‘Supershefqet’ dhe i bëri ata të fitojnë. Ani pse nuk morën komuna tjera, megjithatë, ata morën zemrën e Kosovës e të tjerët i lanë me ‘duar në xhepa’. Pra a e shihni, muslimanët paskan rol e po ashtu edhe hoxhallarët e tyre, pavarësisht si i etiketoni ata? Jam i bindur se përkrahja nuk do të mungojë ndaj askujt që është i sinqertë me muslimanët dhe nuk u bënë dyfytyrësi atyre.


Ndaj, nuk ka dyshim se muslimanët ia dhanë hakun e merituar dhe i ndëshkuan ata që kurrë nuk menduan për të drejtat me themelore të tyre, le t’i rrënojnë tash xhamitë. Po të kishte diku moral politik mendoj se shumë prej tyre do të duhej të jepnin dorëheqje sa më parë. Populli  është vetëdijesuar, ai nuk duron më zullum e padrejtësi ndaj le të mbledhin mend edhe ata që kanë manipuluar me shaminë, këtu e sa vite, se zgjedhjet nacionale nuk janë larg.


Unë mendoj se zgjedhjet e një dhjetorit kanë ofruar një grup mesazhesh, ndër to kisha veçuar:


-Nuk ka ‘përgjithmonë shpinë viçi’- siç thotë populli, nuk ka pushtet të përhershëm andaj le ti kenë mend e të sillen mirë me qiellin dhe me tokën, me Zotin lartë në qiell e me njerëzit poshtë në tokë.


-Kjo dynja herë të ngritë lartë në qiell, e herë të shtrinë për tokë, të bënë pishman që je lindur, andaj kujdes.


-Këto zgjedhje dëshmuan se muslimanët patën ndikim dukshëm më të madh kësaj radhe për të bërë ndryshime. Ata kë e përkrahen e ngritën dhe kë e kundërshtuan e lanë me duar në xhepa.


-Pata deklaruar disa herë më parë se pa përkrahjen e muslimanëve në krye me hoxhallarët nuk ka pushtet të sigurt. Dhe kjo sa po vije e po vërtetohet më shumë. Ne nuk jemi kundër asnjë partie, e as individi, për arsye personale por kundër politikave dhe qëndrimeve të disa partive apo partiakëve që fabrikonin dhe po fabrikojnë urrejtje dhe fobi në adresë të komunitetit musliman, mu ata dëmtuan imazhin e partive të veta më shumë se çdokush. Koha po dëshmon se sa më afër popullit, aq më gjatë pushtetin.


-Ky popull është vetëdijesuar ai po di edhe të ndëshkojë, ka kaluar koha kur me një fjalim ‘magjik’ mashtroheshin e përvetësoheshin mijëra qytetarë.


-Le të shpresojmë se një ditë populli do ta thotë fjalën e vet, madje edhe për fenë e vet.


Zoti na qoftë në hair të gjithëve dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum. 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Dashuria për Atdheun


 


Në aspektin psikik isha i përgatitur të shkruaja për një temë krejt tjetër, megjithatë, teksa po dëgjoja radion, disa vargje për Ismail Qemalin dhe Atdheun përshkruan shpirtin tim. Ndaj, në kujtesë mu rikthyen gjithë ato sakrifica të mëdha që i kanë bërë ata burra të mëdhenj që ne shqiptarët të gëzojmë sot lirinë, pra qe edhe ne të kemi shtet sikur kanë popujt e tjerë. Gjithsesi mu kujtua edhe komandanti legjendar Adem Jashari – Zoti e shpërbleftë – dhe sakrifica e madhe e tij dhe shokëve të tij.


Gjithë ai gjak që u derdh, gjithë ai mund që u dha për liri. Mu kujtua lufta, shokët, bashkëluftëtarët, ndaj shpirti me tha se duhet të shkruaj për Atdheun, për vatanin tonë, për tokën tonë. Andaj këta rreshta po i shënojë nga thellësia e zemrës, nga dashuria e madhe që kamë për vendim tim, për mëmëdheun, për të cilin jo rastësisht ka thënë Çajupi:


 


Mëmëdhe quhet toka,


Ku më ka rënë koka


Ku kam dashur mëmë e atë,


Ku më njeh dhe guri i thatë


Ku kam pasur shtëpinë


Ku kam njohur Perëndinë…


 


Pak sa e çuditshme sesi njeriu instinktivisht është i lidhur me Atdheun e vet, kjo lidhje është e rrënjosur thellë në shpirtin e çdo njeriu i cili ka shpirt të pastër, apo sado pak ka ndjenja të shëndosha. Këtë lidhje dhe dashuri vet Zoti e ka mbjellë në trupin e njeriut, në gjenet e tij, në shpirtin e tij që kur e krijoi njeriun. Mu për këtë, gjejmë se secilit njeri i duket vendi i vet ma i mirë se çdo vend tjetër në botë. Gjejmë mërgimtarët, ani pse jetojnë në kushte shumë më të mira sesa në vendin e tyre dhe në ndonjë vend më të zhvilluar se vendi i tyre, se fshati i tyre, por megjithatë vendi i vet, siç thotë populli, i ngreh, i tërheq, përmallohen për të, përmallohen edhe për ferrat e baltën e fshatit dhe çdo gjë tjetër. E si mos ta dojë njeriu Mëmëdheun e tij, ku nga ai dhe e ajo tokë është krijuar, ku në atë vend për herë të parë ka parë Diellin me sytë e tij, ku ka lozur, ka qeshur e ka qarë, ku është njohur me më të dashurit e tij, ku ka mësuar shkronjat e para të abetares.


 


Andaj nuk e teproj kur them se: edhe Dielli i Atdheut tënd disi të rrezit më mirë sesa ai i vendeve tjera, ani pse kjo botë ka vetëm një diell.


 


Këtë e kamë provuar edhe vet sa e sa herë kur kamë qenë në kurbet gjatë shkollimit dhe atë në vendet më të shenjta e më të dashura tek myslimanët, Mekën e Medinën, por megjithatë malli për Atdhe kurrë nuk mu hoq. Sa e sa herë e kam potencuar se vendi ynë për neve shqiptarëve është vendi më i bukur në botë, është më i dashuri, është më i miri. Andaj dojeni o të dashurit e mi Atdheun tuaj.


 


Dashuria ndaj Atdheut nuk është vetëm, fjalë goje, apo vargje të shënuara në libra, porse ajo duhet të zbërthehet në praktikë. Dashuria ndaj Atdheut përpos që kërkon që ta duam shumë, kërkon edhe sakrificë për të, kontribut të vazhdueshëm për t’i sjellë atij çdo të mirë dhe të largojmë çdo të keqe prej tij.


 


Dashuria ndaj Atdheut kërkon prind të mirë, i cili i edukon fëmijët e tij në frymë të shëndosh, në rrugë të drejtë. Kërkon mësues të mirë, i cili edukon nxënësit dhe i mëson në formën më të mirë të mundshme. Kërkon bujk, që punon tokën mirë dhe me vullnet, kërkon punëtor administrate, që u kryen shërbime qytetarëve me ndërgjegje të plotë. Kërkon hoxhë i cili punon natë e ditë për vetëdijesimin e shoqërisë, i lidhë njerëzit me fenë dhe Atdheun e tyre duke u shpjeguar atyre rëndësinë e Atdheut, ruajtjes së tij dhe kultivimit të vlerave në të. Kërkon politikan, i cili nuk merr postin për tjetër, pos që t’i shërbejë popullit të vet, heq keq vet vetëm e vetëm që populli të jetë i lumtur. Kërkon tregtarë e biznesmenë të mirë të cilët synojnë ta përparojnë vendin e ta zhvillojnë atë ekonomikisht. Kërkon gazetarë të mirë të cilët mbrojnë vlerat e popullit dhe i përhapin ato. Kërkon policë e ushtarë të mirë që mbrojnë vatanin me dinjitet nga çdo e ligë e mundshme. Pra, kërkon një sensibilizim gjithë-popullorë të çdo individi. Dashuria ndaj Atdheut nënkupton që interesi i shtetit, pra i Atdheut dhe i shoqërisë të jetë parësor dhe mbi interesat personale.


 


Andaj gjejmë se në Islam mbrojtja e Atdheut, me pasuri e me trup, është parim i fesë, dhe cilësohet kontribut i shenjtë, i cili gradohet lartë dhe shpërblehet shumë nga Zoti. Mu për këtë, sipas mësimeve të islamit, shehidët-dëshmorët nuk vdesin. Nga ana tjetër, sipas mësimeve të Islamit tradhtia ndaj shtetit, ndaj  bashkatdhetarëve, është ndër mëkatet më të mëdha. Ata që nuk e donë Atdheun e tyre, ata që punojnë për të keqen e popullit dhe të shoqërisë së vet, ata nuk i do as Zoti fuqiplotë, siç ka theksuar Kurani famëlartë: “Vërtet Allahu nuk i do tradhtarët” (Enfal, 58). Tradhtarët do të ringjallën ditën e Kiametit të dëshpëruar e të privuar nga mëshira e Zotit, siç ka potencuar profeti Muhamed (alejhiselam).


 


Tek ne sot thuajse të gjithë pretendojnë se janë atdhetarë, patriotë, se të gjithë kanë parasysh interesin e qytetarit. Kur dëgjojmë fjalët të mbushet mendja se ky vend do të lulëzojë brenda një mandati, por realiteti na tregon diçka krejt ndryshe. Ndaj, a konsiderohet se e do Atdheun ai politikan i cili nuk mendon tjetër vetëm se si të arrijë në pushtet që t’i mbush xhepat e të bëhet milioner për pak vite? A konsiderohet se e do Atdheun ai mjek i cili e lë pacientin të vdes pse nuk i paguan “bakshish”? A konsiderohet se e do Atdheun ai mësues, i cili nuk e ka dert se a po mësojnë apo përfitojnë nxënësit e studentët, por me rëndësi është të marrë rrogë të mirë?. A konsiderohet se e do Atdheun ai tregtar a biznesmen që importon produkte të prishura apo të dëmshme për popullin e vet, vetëm se ka përfitime materiale? A konsiderohet se do Atdheun e vet ai gazetar i cili gjatë tërë kohën përhap antivlera nëpër media? A konsiderohet se e do Atdheun ai qytetar i cili thotë se nuk me intereson se jam i këtij vendi dhe  shet shtetësinë për pak lekë? Apo qytetari tjetër që për shkak të dështimit të tij personal, mendon këtë shoqëri duhet ndryshuar rrënjësisht, përfshirë fenë, gjuhën, kulturën e traditat, duke vrapuar pas kulturave dhe shteteve kinse më të avancuara? A konsiderohet atdhetar ai i cili ka luftuar, por sot në liri uzurpon, keqpërdor dhe kërcënon njerëzit?


 


Më thoni ju lutem a konsiderohen të tillët atdhetarë e patriotë, apo mos vallë ka ndonjë titull tjetër që u përshtatet më shumë? Më besoni se do të kisha shumë dëshirë që kësaj radhe mos t’ia qëlloja. Por, po kam frikë se po ia qëlloj, e po më dhemb zemra në veçanti kur shoh popujt e tjerë se si e donë atdheun e vet, si e ruajnë me fanatizëm atë që është e tyre, e madje sakrifikojnë vetën dhe interesat individuale për interes të shtetit. Ne e kemi fituar lirinë dhe pavarësinë, por se a do dimë ta ruajmë atë, këtu është shqetësimi im! Kjo mbetet të shihet, por një gjë po e shohim se nuk është ka shkon mbarë, e Zoti është i madh e i mëshirshëm mundet të dërgojë njerëz të mençur e vizionarë, që të vetëdijesohemi si popull, se përndryshe mendoj se keq i kemi punët. Një gjë nuk do mend, nëse dashuria për Atdhe është vetëm fjalë boshe, vargje e këngë me çifteli, atëherë ne jemi të parët. Allahu na drejtoftë e na udhëzoftë, e na bëftë të sinqertë.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Njeriu ka gisht në dëmtimin e natyrës


 


Nuk ka asnjë dyshim se tërmetet që ndodhen gjatë ditëve që lamë pas, ani pse me intensitet të vogël, janë shenja me të cilat Zoti i frikëson robërit e Tij, ua tërheq vërejtjen njerëzve se ata kanë lëshuar rrugën e Tij.


Madje jo vetëm tërmetet, por çdo gjë që ndodhë në këtë gjithësi e që është në dëm të njerëzimit, në çfarëdo forme qoftë, sikur vërshimet, vullkanet, tajfunet, etj, të gjitha ndodhin si rezultat i gjynaheve të njerëzve. Allahu i madhërishëm në lidhje me këto fenomene thotë: “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë. (Kur’ani: Shura, 30). Kjo nënkupton se ne njerëzit meritojmë më shumë dënim, por Zoti me mëshirën dhe butësinë e vet nuk na dënon aq shumë sa të na shkatërrojë, por vetëm na qorton, respektivisht na e tërheq vërejtjen. Kur u dridh toka njëherë në kohën e kalifit Omer, ai mblodhi popullin, i këshilloi e në mes tjerash u tha: “O njerëz toka u dridh për shkak të gjynaheve tuaja, ndaj dijeni se nëse dridhet toka edhe njëherë unë do të ju përzë nga Medina, e nuk do ju lë të banoni në te”. Ndaj ishte traditë në mesin e myslimanëve të hershëm që kur dridhej toka t’i thoshin njëri tjetrit: Zoti po na tërheq vërejtjen.


Së këndejmi, fenomeni i tërmetit apo dridhjes së tokës është i hershëm në historinë njerëzore. Në këtë botë gjithherë ka pasur edhe dukuri tjera natyrore të cilat i kanë dëmtuar e shkatërruar njerëzimit pasi që gjithmonë në botë ka pasur njerëz të këqij, njerëz të cilët kanë bërë shumë mëkate e pa drejtësi. Ndaj, kur njerëzit e tepronin më mëkate e armiqësi i madhi Zot i shkatërronte pjesërisht apo plotësisht, varësisht siç meritonin, mu ashtu siç na informon Allahu për disa popuj që i shkatërroi me lloje të ndryshme dënimesh, ndër to edhe me tërmete e shafitje të tokës. Zoti i madhërishëm thotë: “Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharruam në tokë e disa i përmbytëm në ujë. Allahu nuk u bëri ndonjë të padrejtë atyre, por ata i bënë të padrejtë vetes së tyre.”(Kur’ani: Ankebut, 40). Por meqë tani janë shtuar shumë mëkatet, janë larguar njerëzit nga rruga e Zotit, janë shtuar tërmetet dhe për çudi sa më shumë prishën njerëzit aq më shumë shtohen tërmetet derisa të bëhet kiameti. Mu për këtë, Muhamedi alejhiselam thotë: “Nuk do të bëhet kiameti derisa … të shtohen tërmetet”. E këto tërmete pa dyshim janë qortim dhe të njëjtën kohë edhe dënim dhe se ne meritojmë një gjë të këtillë, e si mos ta meritojmë dënimin ku nuk jemi askund të tokë të bukës, siç thotë populli ynë.


Nuk janë të rrallë ata që ndajnë me ne mendim të ngjashëm sa i përket tërmeteve. Kanë po kështu të njëjtat arsye. “E kemi lëshuar rrugën e Zotit!”– e pranojnë. Përhapja e dukurive negative është arsyeja kryesore. Kemi qenë një shoqëri më konzervative, kemi pasur vlera, kemi pasur një kulturë që megjithatë ka pasur një shpirt solidar, ndërsa sot nuk ka mbetur asgjë pothuajse nga këto që cekëm. Njerëzit sikur kanë betonuar shpirtrat e tyre. Janë shumë më pak humanë. Kanë lidhur çdo gjë për interesit.


Respekti për prindërit mungon apo ka marrë kahe të gabuar. Familja si identitet është zbehur shumë. Njerëzit më nuk po zgjedhin mënyrën e fitimit të pasurisë. Për pasojë, edhe infektimi i shoqërisë, veçanërisht të rinjve, është duke marrë përmasa shqetësuese.


Këto dukuri dhe të liga sikurse nuk po ua vrasin veshin fare parisë sonë, përkundrazi atyre po ua vrasin veshin punët e hairit, po ua vret veshin shamia, xhamia dhe rinia e udhëzuar drejt rrugës së Zotit, deri tek ezani nga i cili ka vetëm hair e bereqet. Një numër i madh i tyre, për të mos thënë të gjithë, mundohen me çdo mënyrë që ta shkëpusin njeriun nga qielli, të manipulojnë me të siç donë dhe si të ju teket atyre, pavarësisht a është Zoti i kënaqur apo jo, me rëndësi neve po na duket mirë, qoftë ajo vepër aq e irrituar saqë as shtaza nuk e bënë, siç është rasti tek martesa me të njëjtën gjini. Si mos të përhapen tërmetet kur kemi hyqymet të hallakatur i cili vizion dhe qëllim kryesor ka karrigen apo postin, e asnjëherë dertin e dinit dhe të shoqërisë.  Për karrige e pushtet prishen me Zotin lartë, por edhe me shokë e me miq që kanë qenë të pa ndarë deri me dje. Për interes lëshojnë parti e vizion, kalojnë nga njëra tek tjetra, bashkohen pasi të jenë sharë e rrahur në mes vete, gënjejnë, mashtrojnë, e çfarë jo tjetër vetëm e vetëm të realizojnë ato pak interesa të ngushta, ndërsa për dukuri negative e të liga tjera as që u intereson,  letë kallet dynjaja dhe deti u bëftë kos –siç thotë populli një falë të urtë.


Pra Zoti e ka krijuar tokën që të na mbajë dhe të strehohemi në të, por shkak i ndërhyrjes së njeriut ajo po dridhet dhe po shkakton dëme. Jo vetëm kaq, por njeriu ka gisht edhe në shumë procese natyrore, si ndotja e ambientit, ndotja e ujërave të pijshëm ku vetëm 3% e tyre janë të pastër për pije. Pastaj gërmimi i xeheroreve të ndryshme dhe djegia e gazrave nëntokësore që mund të shkaktojnë shafitje, shkaktimi i zhurmave të mëdha, dëmtimi i shtresës së Ozonit me çka vije deri tek ngritja e temperaturave të larta dhe procese tjera dëmtuese për të cilat njeriu drejtpërdrejti është shkaktar dhe përgjegjës për to. Së këndejmi ndikimi i njeriut në natyrë është mjaft i madh, mu për këtë ai duhet të ketë kujdes të veçantë.  Allahu na përmirësoftë gjendjen tonë dhe na ruajt nga njerëzit e ligj, na vetëdijesoftë na udhëzoftë në rrugë të mbarë. Amin dhe deri javën tjetër me një temë tjetër selam alejkum!

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …