Hashim Thaçi dhe Edi Rama

Edi Rama në KE: Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesit e UÇK po mbahen në burg pa asnjë aktakuzë zyrtare.

Edi Rama, muaj më parë kishte paralajmëruar nismën  e tij në Këshill të Evropës kundër raportit të Dick Martyt me pretendime për trafik organesh nga krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët aktualisht ndodhen në qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale, në Hagë. Duke përmendur rrethanat aktuale dhe agresionin rus në Ukrainë, Rama ua ka rikujtuar pjesëmarrësve në Asamblenë e Këshillit të Evropës se ka qenë pikërisht anëtari i partisë së Vladimir Putinit, Konstantin Kosaçev, ai që ka sjellë në KiE raportin e bazuar në librin e Carla Del Pontes e që më pas u bë edhe rezolutë me miratimin e Këshillit të Evropës.

“Në bazë të kësaj dhe pavarësisht mungesës mbresëlënëse të të dhënave lidhur me trafikun e organeve, u krijuan dhomat e specializuara të Kosovës, që çuan në arrestimin e  4 individëve, përfshirë presidentin e Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi. Vetëm për një moment vini në lëvizje imagjinatën dhe imagjinoni presidentin, kryeministrin apo udhëheqësin e vendit tuaj që merret nga zyra e tij dhe arrestohet pa asnjë aktakuzë zyrtare. Dikush përmendi Joe Biden. Biden kish zakonin ta quante Xhorxh Uashington-i i Kosovës, por ne këtë pikë do të ishte më e përshtatshme ta quanin Jozef K si personazhi  i Kafkës, duke qenë se ashtu si personazhi të “Procesi” u arrestua nga një autoritetet i largët, i panjohur pa kuptuar se për çfarë ishte akuzuar. Presidenti Thaçi dha dorëheqjen në mënyrë të hirshme, u largua me dinjitet nga zyra. E vendosi veten në dispozicion të drejtësisë, në mënyrë të përsëritur deklaroi se i besonte drejtësisë ndërkombëtare, sepse në fund të fundit për drejtësinë e kish vënë jetën në rrezik. Është ende atje. Në Hagë. Një Jozef K i gjallë, ende në burgim krijuar nga një lajm i rremë, që u përhap si mortajë dhe ndikoi politikën e institucionet ndërkombëtare”.

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar para të pranishmëve në Këshillin e Evropës se “nuk jam këtu për të vënë në diskutim as dhomat e specializuara të Kosovës dhe asgjë që lidhet me procesin e rregullt gjyqësor. Jam këtu për të vënë në diskutim burimin, vetë burimin e infektuar, të neveritshëm që krijoi këtë valë dhe jam këtu të diskutoj faktin që në akt akuzën zyrtare që u paraqit 1 vit pasi ky njeri, jo një njeri i thjeshtë, por një president në detyrë u mbajt në burg. Nuk ka as edhe një fjalë të vetme që përmend në mënyrë të qartë apo të nënkuptuar çështjen e trafikimit të organeve njerëzore. Është një çështje që nuk ekziston. Kjo është arsyeja përse jam këtu sot, dhe nuk isha më parë, sepse kemi pritur me durim të shohim nëse do të dilte diçka, edhe pse e dinim që asgjë nuk mund të dilte. Është një fantazi e pastër, e fabrikuar në Kremlin dhe në mënyrë shumë inteligjente, e trafikuar, e kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare dhe e sjellë këtu. Në tempullin e të drejtave të njeriut”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama

Edi Rama: Rilindëm Shqipërinë e rrënuar nga ata që tani klithin e bërtasin të shfrenuar në foltore e në ekranet televizive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij të mbajtur  në  mbledhjen e Grupit …