Edi Rama në OKB: Sovraniteti kërcënohet edhe në “feed”-in tonë, AI mund ta kthejë dezinformimin në realitet politik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ka ngritur shqetësimin për ndikimin e Inteligjencës Artificiale dhe platformave digjitale në demokraci, duke u ndalur veçanërisht te mënyrat se si dezinformimi mund të personalizohet dhe të shpërndahet te grupe të ndryshme të qytetarëve. Rama solli si shembull “Revolucionin Flamingo”, duke pretenduar se një narrativë e fabrikuar për një pushtim izraelit të bregdetit shqiptar, i cili sipas tij nuk kishte ndodhur, ishte krijuar dhe shpërndarë në forma të ndryshme për audienca të ndryshme. Sipas Ramës, një pjesë e qytetarëve u përballën me narrativa për “tradhti kombëtare”, të tjerë me pretendime për provokim fetar apo teori konspirative, duke ndikuar në perceptimet dhe reagimet e tyre. Duke folur për zhvillimin e teknologjisë, Rama tha se algoritmet nuk krijojnë domosdoshmërisht objektivat e fushatave të manipulimit, por mund të përdoren për të identifikuar mënyrat më efikase për të ndikuar te emocionet e publikut. Ai paralajmëroi gjithashtu për një ndryshim të mënyrës se si mund të zhvillohet ndërhyrja në zgjedhje, pasi mesazhet mund të përshtaten për individë të veçantë dhe jo vetëm për një audiencë të gjerë. Sipas tij, kjo rrezikon të krijojë realitete të ndryshme informative për qytetarët që jetojnë në të njëjtin vend dhe marrin pjesë në të njëjtat zgjedhje.  “Kjo është mashtrimi sistematik si shërbim”, tha Rama, duke e përshkruar përdorimin e teknologjisë për amplifikimin e qëllimshëm të dezinformimit si një sfidë të re për demokracitë.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza paralajmëron pjesëmarrje në protestën e 1 tetorit: “Të gjithë bashkë kundër padrejtësisë”

Bedri Hamza ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me udhëheqësit e …