Edi Rama nga Ankara: Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë, duke hedhur poshtë raportimet se organizimi i tij ishte vënë në pikëpyetje. Nga Ankara, ku po merr pjesë në samitin e sivjetmë të Aleancës, Rama publikoi një video në rrjetet sociale, ku ironizoi spekulimet për ndryshimin e vendit pritës dhe theksoi se Shqipëria do të jetë mikpritëse e takimit të radhës të liderëve të NATO-s. “Ka ikur ajo kohë kur të tjerë bënin ç’të donin me Shqipërinë. Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë”, u shpreh Rama. Konfirmimi erdhi edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili bëri të ditur se samiti i ardhshëm i Aleancës do të organizohet në kryeqytetin shqiptar. Deklaratat vijnë pasi më herët agjencia Reuters raportoi se organizimi i samitit në Shqipëri ishte vënë në dyshim për shkak të diskutimeve rreth shpenzimeve të mbrojtjes nga disa vende anëtare dhe përpjekjeve për të shmangur tensionet me presidentin amerikan Donald Trump. Megjithatë, konfirmimet e Ramës dhe Rutte i kanë dhënë fund spekulimeve, duke vulosur Tiranën si nikoqire të Samitit të ardhshëm të NATO-s.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj: Mungesa e Kosovës në Samitin e NATO-s është dështim i qeverisë

Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Daut Haradinaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke …