Familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë kujtojnë Naim Ymerin në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-eprorit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Naim Ymeri, familjarë, bashkëluftëtarë, miq, bashkëveprimtarë dhe qytetarë u mblodhën pranë lapidarit të tij për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e tij të çmuar në shërbim të lirisë dhe shtetit të Kosovës.

Ceremonia përkujtimore u organizua nga Këshilli Organizativ, në bashkëpunim me familjen e të ndjerit, duke mbledhur personalitete nga jeta ushtarake, institucionale dhe shoqërore. Me pjesëmarrjen e tyre, homazhet i nderuan bashkëluftëtarë të UÇK-së, miq dhe bashkëpunëtorë të afërt të Naim Ymerit.

Në aktivitet u mbajtën fjalë kujtimi, ku u vlerësua lart personaliteti dhe veprimtaria e Naim Ymerit si luftëtar i lirisë, veprimtar i përkushtuar dhe kuadër profesional në institucionet e sigurisë së Kosovës.

Me këtë rast, gjeneral Shukri Buja foli për rrugëtimin dhe kontributin e Naim Ymerit në luftën çlirimtare dhe në ndërtimin e institucioneve të sigurisë së vendit, duke theksuar se ai mbetet shembull i përkushtimit ndaj atdheut dhe idealeve të lirisë.

Kujtime dhe vlerësime për jetën e tij ndanë gjithashtu organizatori i ceremonisë, Bahtir Troshupa, si dhe doktor Fatmir Xhelili bashkëluftëtar i Naimit, pastaj dhe Shukri Ibrahimi, koleg i tij në arsim, të cilët folën për virtytet njerëzore, profesionalizmin dhe kontributin shumëvjeçar të Naim Ymerit në shoqëri.

Të pranishmit vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe pranë lapidarit të tij, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për veprën që la pas.

Ceremonia u mbyll me mesazhin se kujtimi për Naim Ymerin do të mbetet i gjallë ndër breza, si simbol i sakrificës, përkushtimit dhe dashurisë për atdheun.

Të qoftë i lehtë dheu i Shqiptarisë! Lavdi jetës dhe veprës së Naim Ymerit!

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Elezi: Liria u fitua me gjakun e më të mirëve tanë

Në Budakovë është mbajtur një manifestim përkujtimor në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit, …