Ekrem Krasniqi:

Edmond Ekrem Krasniqi: Poshtë Kushtetuta e Muhamet Mukit, Gruevskit, Ahmetit, Zaevit, Selës…

 Unë jam fuqishëm kundër kësaj kushtetute të mbrapshtë të Maqedonisë, e cila po diskriminon shqiptarët dhe të cilën e mbrojnë ata që e hartuan dhe për çudi tash edhe ata që nuk e hartuan si ky politikane Muhamet Zeqirit – Mukit, dhe ‘mbreti’ i tij Zoran Zaev.

 11 Mars, Zhurnal.mk – Kushtetutat i bëjnë njerëzit. Ligjet i bëjnë njerëzit. Por kushtetutat dhe ligjet i ndryshojnë njerëzit, po ashtu.

Unë jam kundër kësaj kushtetute diskriminuese të hartuar nga Nikoll Gruevski dhe Ali Ahmeti, “roje” të së cilës tash na dalin jo vetëm këta të dy e shërbëtorët e tyre, por edhe Zoran Zaevi dhe shërbëtorët si Muhamet Zeqiri – ç’Muki.

Shkaku pse po merrem personalisht kundër kësaj kushtetute, është pikërisht ky i fundit me të cilin pos flokëve të gjata dhe origjinës shqiptare nuk kam fare asgjë të përbashkët.

Unë jam fuqishëm kundër kësaj kushtetute të mbrapshtë të Maqedonisë, e cila po diskriminon shqiptarët dhe të cilën e mbrojnë ata që e hartuan dhe për çudi tash edhe ata që nuk e hartuan.

Kjo kushtetutë është hartuar në mënyrë aq të tërthortë e dinake, sa që askush nuk po mund t’ia nxjerrë fijen, e as ligjeve të hartuara sipas saj.

Nikolla Gruevski thotë se bërja zyrtare e gjuhës shqipe në të gjithë Maqedoninë dhe nëpër të gjitha institucionet qendrore të shtetit, nga qeveria e deri tek agjensionet shtetërore dhe krejt gjykatat, apo edhe deri tek uniformat dhe monedha DENAR, qenka kundër kushtetuese.

Të premten (10 Mars), për uniformat dhe valutën, të njëjtën e tha edhe i vëllai i tij nga LSDM, Zoran Zaev. E sot, e shtunë (11 Mars) edhe ç’Muki i del në mbrojtje punëdhënësit të tij ‘bukurosh’ shovinist.

Muhamet o i gjorë, a i ke pyetur ti 75000 vëllezër the motra shqiptare se si dhe ku e duan gjuhën shqipe që të shihet, shkruhet e përdoret nëpër Maqedoninë tënde dhe të tyre ?

Muhamet o ‘bukurosh’, a e di ti se ç’është marrja e votës, pra edhe besimi, një qenie njerëzore  e cila shpreson se ti dhe të tjerët si ti do t’u dalin në mbrojtje kërkesave dhe interesave të tyre për një jetë më të mirë dhe me dinjitet ?

Muhamet o hoxhë i Zaevit, a e di ti se 75000 shqiptarë të cilët të falën besimin duan që të shkruajnë e flasin shqip po aq sa Gruevski dhe  Zaevi i yt që flasin dhe shkruajnë e shohin maqedonisht ?

Muhamet o ish-kolegë gazetar , a e di ti se gjuha shqipe është ndrydhur me shekuj të tërë nga mbretërit vrasës romak, turq e serbë prej kohës Ilire e deri më tash, dhe pra edhe nga ‘mbretërit’ si Gruevski e si ‘mbreti’ i yt Zaevi ?

Muhamet o deputetë i 75000 shqiptarëve, a e di ti se vota e marrë kërkon llogari-dhënie se çdo të bësh ti  për këta votues dhe ëndrrat dhe shpresat e tyre ?

Muhamet o shërbëtorë i ‘bukuroshit’ Zaev, a e di ti se gjuha shqipe është gjuhë e Zotit Pellazg, Gjuhë e Zotit Ilir dhe se atë nuk do ketë askush mundësi që ta ndalojë e as ta zhduk ?

Muhamet o mendje hutuar e mendje prishur, kushtetuta që po mbron ti është kushtetutë e mbrapshtë, sepse ajo favorizon mbretin tënd të LSDM-së, mbretin e VMRO-DPMNE, dhe maqedonasit e tyre dhe diskriminon të gjithë shqiptarët, pra edhe ty ?

Muhamet o i parfymosur me premtime gënjeshtare ndaj 75000 votuesve, a e di ti se në një vend fqinj të Maqedonisë është një kushtetutë me të drejta për 3 për qind të popullatës, po aq sa edhe për 95 për qind të saj ?

Është kushtetuta e Kosovës, ajo që 3 për qind popullatës, pra serbëve ua respekton dhe ua garanton e mundëson përdorim të lirshshëm dhe kudo të gjuhës së tyre amtare ? Unë jam për një kushtetutë që respekton pakicat pikërisht në këtë mënyrë me të drejta të plota e të pakufizuara.

Është edhe kushtetuta e Belgjikës e cila gjuhë të plotë zyrtare e njeh dhe e ka edhe gjuhën gjermane për të respektuar pakicën gjermane.

Muhamet o i mjerë, a di ti sa gjermanë ka në Belgjikë ? Të tregoj unë: ka vetëm 0.6 përqind dhe janë në qytetin Eupen, afër kufirit me Gjermani, aty afër Ahenit.

Muhamet o politikan i ri, kushtetutat i bëjnë njerëzit, ligjet i bëjnë njerëzit. Që të dyja i ndryshojnë njerëzit.

Muki apo ç’Muki, kushtetuta të cilën ti po e mbron DUHET NDRYSHUAR.

Ajo, dhe ligjet që dalin prej saj të diskriminon ty, dhe të gjithë shqiptarët në Maqedoni, pra edhe ata që të falën votën ty dhe Xhylymsere Kasapit. Janë shumë, 75000 shqiptarë.

Këtë kushtetutë nuk e bëre as ti, as unë e as qytetarët shqiptarë të Maqedonisë, por e bënë krerët politik maqedonas së bashku me krerët politik shqiptarë.

Kur një kushtetutë nuk të lejon ty dhe shqiptarët që të përdorësh lirshëm gjuhën e prindërve tuaj, ti o ç’Muki së bashku me Zaevin, Nikolla Gruevskin, Ali Ahmetin, Zijadin Selën… dhe të gjithë krerët e partive të tjera shqiptare e maqedonase duhet që ta ndryshoni po të njëjtën kushtetutë.

Je bërë pjesë e lojës së ndyrë të krerëve politik maqedonas, por edhe atyre shqiptarë, të cilët tash po struken dhe heshtin për këtë kushtetutë të mbrapshtë që po diskriminon pikërisht shqiptarët e Maqedonisë, dhe votuesit tuaj dhe të tyre.

Prandaj, o Gruevsk, Ahmet, Zaev, Selë… e të tjerë si Muki e Kasapi:

Poshtë Kushtetuta e Maqedonisë !!! Poshtë ligjet e saja të mbrapshta !!!

Poshtë të gjitha kushtetutat nëpër botë të cilat ua ndalojnë të tjerëve gjuhën e tyre amtare !!!

Liri shqiptarëve dhe gjuhës tonë shqipe !!!

Liri të shtypurve e të diskriminuarve në Maqedoni dhe krejt botën !!!

(Autori është gazetar në Bruksel, themelues i agjensionit të lajmeve për Ballkanin në gjuhën angleze, dtt-net.com)

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …