Bedri Islami

Bedri Islami: Humbja nuk e ka mbushur Berishën kurrë me mend, por e ka bërë edhe më bishë

Opozita dërgoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve atë që është pritur dhe është ditur se do të ndodhte: vendimin e tani për tanishëm se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Është pritur, pasi, analistët më të afërt të saj e kishin paralajmëruar që nga fillimi, duke i djegur kështu hapat që kishte vendosur të bënte me të panjohurën shefi juridik i opozitës.

Një ditë më parë, shefi de fakto i opozitës, si gjithnjë Berisha, bëri paralajmërimin e egër se, nëse qeveria nuk nënshtrohet, vendi do të hyjë në luftë.

Vazhdimi i ditës së premte për bojkot total të zgjedhjeve të 18 qershorit është në fakt shpallja e luftës, e cila, edhe pse e fshehur keqas pas fjalëve të përgjithshme si revoltë qytetare, mosbindje qytetare, kundërshtim të shtetit, etj, në fakt shpreh të njëjtën dëshirë që shpalli një ditë më parë, pikërisht ai, njeriu që prej 20 viteve nuk do të duhej të ishte më në politikë e as qytetar i zakonshëm, përplasjen civile, kaosin, rrëmujën e luftën.

Berisha në fakt, që kur u bë, ose më saktë, e bënë, për të shkuar më tej, e deleguan si shefin e opozitës, ka patur e vazhdon të ketë ëndrrën e tij të përhershme: luftën civile.

E ka kërkuar këtë në të gjithë diskurset e egër të tij, në të gjitha shpalljet publike, në të gjithë manifestimet politike, kudo që i ka rënë rasti të jetë i pranishëm dhe sidomos humbës. Humbja nuk e ka mbushur kurrë në mend atë, por e ka bërë edhe më bishë, e ka egërsuar në kufijtë e çmendurisë dhe tani, kur po ndjen rrezikun e ngecjes në parkun e krimit që ka ngritur rreth vetes, ai vetë dhe familja e tij politike e biologjike, çdo gjë ka dalë edhe një herë jashtë kontrollit.

“Një i çmendur, gjithë vendin çmend”, thoshte 20 vite më parë poeti i kombit, Dritëro Agolli.

Njëzet vite më pas gjithçka dëshmon se çmendja ka dalë jashtë kontrollit dhe po shfaqet edhe një herë nën petkun e vitit 1997, por, edhe pse nuk ka më të drejtën e urdhërit për të bombarduar qytetet, për të hedhur helme kimike, për të ngritur detashmente të krimit, për të shpartalluar ushtrinë, dëshira e tij mbetet e njëjtë: luftë mes shqiptarëve.

Idenë e pushtimit të shtetit përmes grushtit dhe krimit ai e ka ngritur që në tentimin për grusht shteti në Shkollën e Bashkuar, e ka vazhduar më tej në krimin e organizuar të 2 prillit 1991, ku ishin të pranishëm vetëm “dajallarët” e fëmijëve të tij, malazezët, media dhe politika; për të shkuar në një kulminacion të padëgjuar në vitin 1997.

Jam i bindur se sa herë e akuzojnë për 21 janarin ai buzëqesh, pasi i duket sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndoshta është edhe i trishtuar pasi kishte ëndërruar për disa qindra të vrarë, si e përcaktoi vetë më pas në fjalimet e amok-ut të tij politik. Jam i bindur pasi, në vitin 1997, ai e la pushtetin pasi kishte pas vetes disa mijëra të vrarë, të cilët, sado që do të mundohet deri në fund t’ua lërë të tjerëve mbi kurriz, ai e di më mirë se kushdo tjetër se është njeriu i vetëm i fajit të padëgjuar.

Që nga fillimet e tij politike ai ka bërë diversionin e ndarjes mes jugut dhe veriut. Në të gjithë retorikën e tij, sa herë kanë qeverisur socialistët, ka zënë vend të qelbur ideja e tij se e majta, duke pasur bastionet e saj në jugun e vendit, po e poshtëron dhe e sundon veriun, po e lë atë si në një geto, po e zvarrit politikisht dhe financiarisht, ndaj veriu duhet të ngrihet, të pushtojë institucionet dhe të bëjë kauzën e Berishës – luftën e vet.

Në veriun e Shqipërisë u ngritën të ashtuquajturit komitetet e veriut, të drejtuara nga duar të zeza, si kundërvënie e fuqishme ndaj protestave të jugut.

Nga veriu i vendit ai bëri grumbullimin e qindra e mijëra vetëve, të trullosur nga propaganda e tij perfide dhe mizore e rebelimit të jugut kundër qeverisë së veriut; i armatosi ato, i veshi gjysma gjysma si ushtarakë dhe nën komandën e gjeneralit të gjendjes së jashtëzakonshme, përsëri një verior, i dërgoi të ishin pjesë e krimit në zonat e jugut të Shqipërisë.

Të njëjtën gjë ai bëri edhe në vitin 1998, shtator, me grushtin e shtetit, ku njerëzit e tij, në më të shumtën të mobilizuar përmes mashtrimit, i dërgoi të merrnin përmes flakës e zjarrit institucionet e shtetit, të shkatërronin gjithçka dhe, mbi të gjitha, të eliminonin drejtuesit e qeverisë së majtë, sipas tij, jugore dhe kundër veriut. Në këtë ndodhi, që mund të ishte fatale për tërë kombin, ai përdori edhe trupat dezertore të FARK-ut, të cilat, përmes qeverisë Bukoshi, jo vetëm i kishin armatosur militantët berishistë, por edhe e kishin financuar, sepse, njëlloj si Berisha, edhe Bukoshi, dëshironte përmbysjen e qeverisë së socialistëve.

Pronarët e njëjtë sugjerojnë dhe i drejtojnë në rrugë të njëjta.

Po të kishte qenë i padënuar grushti i shtetit 1998, pa asnjë dyshim, lufta në Kosovë do të ishte shuar, ofensiva serbe që sapo kishte filluar në përmasa të gjëra, jo rastësisht paralel me grushtin e shtetit, do të kishte përmbysur rendin e gjërave në Kosovë, zona operative e Dukagjinit, ku ishte lufta më e ndjeshme dhe porta drejt luftës në Kosovë, do të ishte shuar, dhe i gjithë faji do kishte mbetur në qeverinë “jugore”, ku, përmes thirrjeve të “ministrit të brendshëm” të Kosovës nën regjimin e Milloshiviçit, një farë Rexhep Gjergji, do i kërkohej llogari jugut të Shqipërisë.

E djeshmja është e sigurt se nuk do të përsëritet, por harresa risjell pasojat e saj.

Opozita, edhe një herë si në vitin 1998, si ka ndodhur sa herë që ka qenë në opozitë, bën thirrje për luftë, për përmbysje të institucioneve, përplasje civile. Me zërin e saj, pararendës shpesh herë, janë bërë dhe analistë “ të pavarur”, të cilët, të zemëruar me pushtetin e Ramës, nuk e kanë problem të sjellin kaosin, përplasjen dhe luftën.

Më i keq është gërgasi, se sa dorasi, është një fjalë e hershme, dhe vetë koha e tashme, kur synimi për të ngjallur psikozën e luftës është në ngritje të vazhdueshme, duhet t’i bëjë ata të venë mend.

Është e ditur pse Berisha, Basha, opozita në përgjithësi kërkon destabilizimin dhe përplasjen. Kjo është e qartë tashmë edhe nga vetë ata.

Kjo nuk është më e panjohur.

E panjohura, që në fakt nuk është edhe aq e panjohur, qëndron në faktin përse, me kaq ngulm, kaq furishëm dhe domosdoshëm, opozita e kërkon këtë përplasje, që mund të ketë pasoja fatale, dhe nga e cila asnjëherë nuk do të ketë fitues.

Është i çuditshëm fakti, ndoshta jo edhe aq i çuditshëm, që dy liderët kryesorë të opozitës, Berisha e Basha, në fillimet e rrugës së tyre politike kanë patur e kanë edhe sot, lidhje të fuqishme me klanet serbe. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Asnjëherë, absolutisht asnjëherë sa në këto tri dekada, politika serbe dhe klanet e saj, nuk kanë qenë më të pranishme dhe më të fuqishme në vendin tonë, por edhe në Kosovë.

Dhjetëra e qindra milionë euro janë derdhur për të patur këtë gjendje. Nën goditjen e klaneve serbe kanë qenë institucione të rëndësishme, që nga Shërbimi Informativ Kombëtar e deri tek struktura të veçanta qeverisëse. Përmes tyre, jo pak herë, kanë kaluar filtrat e pozicionimit politik të njerëzve të ndryshëm që edhe sot janë pjesë e politikës.

Luftë? Me urdhër të kujt? Kundër kujt?

Asgjë nuk është aq e fshehtë.  (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve të ish-stafit

Reagimi i drejtorisë së Radios-Kosova e Lirë në deklaratën skandaloze e naive të disa anëtarëve …