Ellis: Vendimi ndaj ish-krerëve , të UÇK-së, mund të ndikojë në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë, mund të ketë ndikim jo vetëm për fatin juridik të katër të akuzuarve, por edhe në zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare. Kështu ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, i cili e konsideron këtë një nga çështjet më të rëndësishme juridike që do të trajtohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Sipas Ellis, një nga pyetjet kryesore që duhet ta zgjidhë trupi gjykues është nëse Prokuroria ka arritur të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe nëse katër të akuzuarit kanë pasur rol dhe kontribut në një qëllim të tillë. Ai thekson se, për shkak të funksioneve të ndryshme që kanë mbajtur Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, përgjegjësia e secilit duhet të vlerësohet në mënyrë individuale. Një tjetër çështje vendimtare, sipas Ellis, është përgjegjësia komanduese. Për Radion Evropa e Lirë, ai ka shpjeguar se gjyqtarët duhet të përcaktojnë nëse të akuzuarit kishin kontroll efektiv mbi vartësit, nëse kishin dijeni ose arsye për të ditur për krimet e pretenduara dhe nëse kishin mundësi t’i parandalonin ato. Kjo lidhet edhe me një prej përplasjeve kryesore mes Prokurorisë dhe mbrojtjes: pretendimin për një strukturë të centralizuar të UÇK-së përballë argumentit të mbrojtjes se organizimi ishte i decentralizuar dhe se udhëheqja politike nuk kishte kontroll efektiv mbi komandantët në terren.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ellis ka theksuar se gjykata duhet të fokusohet te përgjegjësia penale individuale e katër të akuzuarve dhe se aktgjykimi nuk duhet të shihet automatikisht si gjykim ndaj UÇK-së apo ndaj legjitimitetit të luftës së Kosovës. Megjithatë, ai pranon se vendimi mund të ketë ndikim të gjerë edhe në mënyrën se si lufta e Kosovës do të trajtohet në të ardhmen. Ellis vlerëson se mënyra se si gjyqtarët do ta trajtojnë teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për jurisprudencën ndërkombëtare. Nëse kjo teori pranohet, kufizohet apo rrëzohet, vendimi mund të shërbejë si referencë për raste të tjera në të ardhmen. Eksperti ka thënë gjithashtu se besueshmëria e Gjykatës nuk duhet të gjykohet vetëm nga rezultati, por mbi të gjitha nga mënyra se si arsyetohet aktgjykimi dhe si vlerësohen provat. Sipas tij, pavarësisht rezultatit, vendimi do t’i shtohet jurisprudencës ndërkombëtare dhe mund të ndikojë në mënyrën se si në të ardhmen trajtohen çështjet e përgjegjësisë së udhëheqësve të lartë. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave, ndërsa aktgjykimi ndaj tyre pritet të shpallet më 16 shtator 2026.

Kontrolloni gjithashtu

Ehat Miftaraj: Ndërrimi i personit nuk e rinis afatin gjashtëmujor për ushtruesin e detyrës së presidentit

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se kufizimi kushtetues …