Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për nënshkrimin e dekreteve për shkarkimin e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, duke e cilësuar atë si një veprim politik dhe jo juridik. Hasani tha se, nëse do të kishte pasur synim zbatimin e ligjit, vendimi do të duhej të merrej në kohën kur u krijuan rrethanat ligjore dhe jo katër vjet më vonë. “Nëse dikush donte të vepronte sipas ligjit, duhej të vendoste atëherë. Jo katër vjet më vonë. Tani po krijohet përshtypja sikur ligji po zbatohet, kur në fakt po zgjidhet një çështje politike”, deklaroi ai. Hasani vlerësoi se si Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, kanë marrë vendime për një çështje që, sipas tij, nuk ka qenë në kompetencën e tyre. Ai paralajmëroi se ky veprim përfaqëson, sipas tij, një përdorim të pushtetit nën mbulesën e ligjshmërisë. “Ky është një demonstrim pushteti nën maskën e ligjshmërisë. Ushtrim pushteti”, u shpreh Hasani. Deklaratat e tij vijnë pasi Albulena Haxhiu nënshkroi dekretet për shkarkimin e shtatë prokurorëve serbë, një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesat e tyre për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor të vitit 2022 dhe i propozoi presidentes ushtruese të detyrës shkarkimin e tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
