Lëvizja Vetëvendosje ka sinjalizuar se nuk e mbështet rikandidimin e Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës, ndërsa ka shprehur gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve të reja. Dy deputetë të zgjedhur të LVV-së, Arbërie Nagavci dhe Vigan Qorrolli, deklaruan të martën se presidenti i ardhshëm duhet të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë politik dhe jo domosdoshmërisht një figurë nga politika aktive. “Kosova ka figura të denja për pozitën e presidentit dhe diskutimet duhet të vazhdojnë për të gjetur një emër që do të gëzonte mbështetje më të gjerë”, është shprehur Nagavci. Sipas Qorrollit shtoi se, nëse nuk arrihet pajtim për një kandidat që do të mbështetej nga të gjitha partitë, presidenti duhet të jetë një figurë jopartiake dhe mbi ndarjet politike, duke paralajmëruar se mungesa e kompromisit mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Ndërkohë, Vjosa Osmani mori pjesë në takimin mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, Osmani nuk është zyrtarisht pjesë e LDK-së dhe deri më tani nuk ka sqaruar publikisht rolin e saj në këtë takim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
