Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjes së mbrëmshme të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar atë si tentim për përmbysje të rendit kushtetues. Sipas Hasanit, procedimi i votimit pa siguruar numrat e nevojshëm përbën shkelje serioze të parimeve kushtetuese dhe tentativë për imponim institucional. “Ajo e mbrëmshmja ishte qartë tentim për puç kushtetues, për përmbysjen e rendit kushtetues”, është shprehur ai. Hasani kritikoi edhe kryeparlamentaren Albulena Haxhiu për mënyrën se si, sipas tij, u është bërë presion deputetëve që të marrin pjesë në sallë, duke iu referuar aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se interpretimet e tilla nuk mund të përdoren për “abuzim dhe terrorizim të deputetëve”, ndërsa veprimet e saj i përshkroi si ushtrim të “funksioneve policore”, të papajtueshme me pozitën e kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentes. Hasani rikujtoi se Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se deputetët nuk mund të detyrohen të qëndrojnë në sallë apo të votojnë në një drejtim të caktuar. “Presidenti është organi legjitimues, ai i ka çelësat e të gjitha pushteteve, prandaj është balancuesi kryesor”, deklaroi Hasani.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
