Ernest Luma: "Ju flet Kosova e Lirë" ishte tingulli, që na rrëqethi të gjithëve

Ernest Luma: “Ju flet Kosova e Lirë” ishte tingulli, që na rrëqethi të gjithëve

NGA MEMORJA E LUFTËS…
(Gërgoc-Dushkajë, 4 janar 1999)
Snajperistë të armikut, të vendosur në Sukë të Cërmjanit, e thyenin kohë pas kohe heshtjen atë pasdite janari 1999, në drejtim të konakut të familjes së nderuar Nimani, në Gërgoc të Dushkajës. “Çerqizi” i UÇK-së në atë zonë, Samiu, i “neutralizonte” krismat armike me këngën dhe humorin e tij, që nuk mungonte as në ato momente, ndërkohë që në një tranzistor dore, bashkë me komandant “Tigrin” – Fadil Nimanin dhe me shumë ushtarë të tjerë të lirisë, e pritnim edicionin e parë të lajmeve në Radion “Kosova e Lirë”, në orën 16:00. Pikërisht sot dy dekada më parë. “Ju flet Kosova e Lirë”, tingelloi përshëndetja, që na rrëqethi të gjithëve. E, pas saj, një batare automatiku nga Komandant “Tigri” dhe togu i tij i ushtarëve, në rresht.
Atë natë, në Gërgoc, festuam, derisa jashtë shtrihej ngadalë terri, mbi borën e bardhë dhe lisat e borëzuar të Dushkajës tipike në dimër. Qetësinë e jashtme e thyenin vetëm lehje sporadike qenësh dhe snajperët e armikut. Por, festën s’e zbehnin ato, as humorin e “Çerqizit”, e as gëzimin në sytë e “Tigrit” dhe të secilit prej nesh.
“Ju flet Kosova e Lirë”. Për herë të parë u ndjeva triumfues dhe shumë më i fuqishëm ballë atyre që e kishin pushtuar përkohësisht Sukën e Cërmjanit.
P.s. Sot, u mbushën 22 vjet të Agjencisë së Lajmeve Kosovapress dhe të Radios “Kosova e Lirë”, të themeluara më 4 Janar 1999, me vendim të SHP të UÇK-së.
Urime të gjithëve e, veçanërisht, atyre që ishin bartës të themelimit, ngritjes dhe zhvillimit të kërtyre dy prej institucioneve të para të lirisë sonë!

Kontrolloni gjithashtu

Rrjeti i Grave të Kosovës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)[1] shpreh shqetësimin për publikimin e fundit të Kornizës së Shpenzimeve Afatmesme…

Mungesa e Konsultimeve Publike për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) I nderuar Kryeministër i Republikës …