Etilda Gjonaj

Etilda Gjonaj: Lirimi me kusht të një të dënuari me burgim të përjetshëm, është thyerje flagrante e ligjit

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në një deklaratë për mediat ka dënuar lirimin nga burgu të të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle, teksa ka theksuar se ka kërkuar pezullimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha, si edhe ka shkarkuar nga detyra, Drejtorin e Shërbimit të Provës në Krujë. “Ndaj me ju sot,shqetësimin e thellë timin dhe të qeverisë mbi vendimin skandaloz të gjyqtares së rrethit gjyqësor Krujë, Enkeleida Hoxha, për lirimin me kusht të një të dënuari me burgim të përjetshëm, në thyerje flagrante të ligjit dhe të çdo norme funksionale të sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”-, nisi fjalën e saj ministrja Gjonaj. Njëkohësisht i  kam kërkuar Institucionit të Prokurorisë, ushtrimin e ndjekjes penale ndaj gjyqtares, jo vetëm për ndëshkimin e vendimmarrjeve abuzive, por edhe për parandalimin e fenomeneve të tilla me pasoja të rënda në besimin e qytetarëve tek drejtësia. I jam drejtuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për ndjekjen me prioritet të përshpejtuar të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtares, por edhe  të gjithë rasteve të tjera të ngjashme, mbi të cilët, në vite, rëndojnë akuza të shumta publike për paligjshmëri dhe korrupsion.

Po gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se edhe Drejtoria e shërbimit të provës Krujë, e cila ka depozituar raportin e saj në këtë gjykim për të dënuarin Dokle, duke sugjeruar rehabilitimin me dënim alternativ, ka vepruar në shkelje të rënda të dispozitave ligjore dhe vlerësimit që ky shërbim ka kryer për këtë rast. Si rezultat i kësaj, janë marrë të gjitha masat administrative nga Ministria e Drejtësisë, duke pezulluar menjëherë nga detyra Drejtorin e shërbimit të provës Krujë dhe po dje, është depozituar kallëzim penal ndaj tij, në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Krujë për shpërdorim detyre”-, theksoi Gjonaj.

“Duke marrë shkas nga vendimi i gjyqtares Hoxha, vendim haptazi në kundërshtim me ligjin, ashtu si dhe duke mbajtur në vëmendje, vendimmarrje të ngjashme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për lirimin apo favorizimin e subjekteve kriminalë me rrezikshmëri të lartë, të cilat po kthehen në një precedent negativ, përsëris me zë të lartë nevojën e një reagimi të menjëhershëm institucional nga të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë.

Vendime të tilla të dhëna nga individ të caktuar, apo individë të tjerë të cilët po shfrytëzojnë këtë periudhë tranzitore, duke e patur të qartë që nuk do ta kalojnë procesin e vetingut, dhe që po veprojnë për interesa personale,duhet të marrin reagimin dhe ndëshkimin e menjëhershëm nga institucionet e reja të drejtësisë me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve tek sistemi i ri që po ndërtojmë por njëkohësisht edhe imazhin e vendit në procesin e integrimit evropian.

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë dhe shpresoj miratoj, me urgjencë, në ditët e ardhshme propozimet e bëra nga qeveria në kuadrin e paketës së reformës në drejtësi për masat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve(e ashtuquajtura paketa anti-KÇK), e cila, padyshim do t’u japë institucioneve të reja të drejtësisë, instrumente të rinj dhe efikas, për të reaguar ndaj kësaj kategorie gjyqtarësh dhe prokurorësh, të cilët, duhet të përgjigjen penalisht për vendimet e tyre, dhe jo ta kenë vendin në sistemin e drejtësisë”-, përfundoi deklaratën e saj, ministrja Gjonaj. (ATSH)

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Ahmetaj ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti, për ndërhyrje direkte në procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Ahmetaj ka akuzuar kryeministrin Albin …